Edmond Spaho: 25 Prilli, dita që do të shënojë përmbysjen e madhe

E mërkurë, 30 December 2020 10:40

 

Nënkryetari i PD-së: Do të anulojmë të gjitha koncesionet abuzive, kushdo që qëndron pas tyre do përgjigjet para ligjit. Shpirti i reagimit qytetar nuk ka vdekur. Nëse Rama mendon të manipulojë zgjedhjet, bën një gabim fatal dhe për këtë do paguajë një çmim të rëndë

Bisedoi: Herion Mesi

 

Nënkryetari i Partisë Demokratike Edmond Spaho deklaron se me ardhjen e saj në pushtet pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, Partia Demokratike do të anulojë të gjitha koncesionet abuzive të nënshkruara nga Qeveria “Rama”, duke garantuar në të njëjtën kohë që kushdo që qëndron pas këtyre koncesioneve do të përgjigjet para ligjit. Në një intervistë dhënë për “Koha Jonë” teksa bën bilancin e vitit që po lëmë pas, Spaho shprehet se viti 2020 është një nga më të vështirët që kemi kaluar. Pandemia e koronavirusit, thotë Spaho, na përballi me një realitet të cilin nuk e kishim jetuar më parë. Veçanërisht e vështirë është gjendja për ata të cilët humbën shtëpitë gjate tërmetit të fundvitit 2019. Në aspektin politik, shprehet nënkryetari i PD-së, nën maskën e masave të marra ndaj pandemisë, të drejtat dhe liritë e njeriut morën goditje thelbësore. “U rrit arbitrariteti dhe shtypja nga organet shtetërore. Vrasja e një të riu të pafajshëm nga policia është treguesi më i qartë i abuzimit masiv me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut në Shqipëri. Të njëjtën gjë tregoi prishja e Teatrit Kombëtar natën dhe me dhunë të pa shembull policore. Gjatë vitit 2020 u rritën më tej korrupsioni dhe vënia e vendit nën kontrollin e një grupi oligarkësh pranë qeverisë. Mungesa e kontrollit për shkak të pandemisë thelloi më tej praktikën e tenderave korruptive në shëndetësi, në koncensionet e rrugëve, në tjetërsimin e pronës shtetërore dhe fusha të tjera”, shprehet Spaho. Nënkryetari i PD-së thekson se zgjedhjet e 25 Prillit 2021 janë jetike për të ardhmen e vendit. “Nëse Rama mendon që ta kalojë lumin duke i manipuluar ato, ai bën një gabim fatal në gjykim dhe për këtë do paguajë një çmim të rëndë”, thekson Spaho.

Intervista e plotë

Spaho, meqë kjo intervistë na gjen në prag të ndërrimit të viteve, në analizën tuaj si ishte 2020-ta dhe si i gjen 2021-shi shqiptarët?

Viti 2020 është një nga më të vështirët që kemi kaluar. Pandemia e koronavirusit na përballi me një realitet të cilin nuk e kishim jetuar më parë. Me mijëra njerëz janë ndarë nga jeta dhe fundi i pandemisë ende nuk është arritur. Shqipëria kishte kohë që përballej me vështirësi ekonomike, por pandemia dhe reagimi shumë i dobët i qeverisë i thelloi vështirësitë dhe mijëra e mijëra njerëz humbën vendet e punës. Veçanërisht e vështirë është gjendja për ata të cilët humbën shtëpitë gjate tërmetit të fundvitit 2019. Deri më sot për ta është bërë shumë pak dhe e ardhmja e tyre qëndron në ajër. Në aspektin politik, nën maskën e masave të marra ndaj pandemisë, të drejtat dhe liritë e njeriut morën goditje thelbësore. U rrit arbitrariteti dhe shtypja nga organet shtetërore. Vrasja e një të riu të pafajshëm nga policia është treguesi më i qartë i abuzimit masiv me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut në Shqipëri. Të njëjtën gjë tregoi prishja e Teatrit Kombëtar natën dhe me dhunë të pa shembull policore. Gjatë vitit 2020 u rritën më tej korrupsioni dhe vënia e vendit nën kontrollin e një grupi oligarkësh pranë qeverisë. Mungesa e kontrollit për shkak të pandemisë thelloi më tej praktikën e tenderave korruptive në shëndetësi, në koncensionet e rrugëve, në tjetërsimin e pronës shtetërore dhe fusha të tjera. Reforma zgjedhore e filluar me supozimin për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme, mori goditjen shkatërruese me ndryshimet e njëanshme kushtetuese dhe më pas në Kodin Zgjedhor. Pavarësisht vështirësive dhe pengesave të mësipërme, shpirti i reagimit qytetar nuk ka vdekur. Protestat e të rinjve për vrasjen e shokut të tyre treguan që pushtetet bazuar mbi arrogancën dhe dhunën, si ky i Edi Ramës, mund të shemben duke zënë përfund ata që e kanë ngritur këtë pushtet. Vitit 2021 do të jetë viti që do i japë fund agonisë 8 vjeçare nen regjimin e Rilindjes. Në 25 Prill kemi mundësinë e madhe të largojmë këtë klikë nëpërmjet votës dhe të hapim një faqe të re për Shqipërinë dhe qytetarët e saj.

Çdo do të thotë për vendin emërimi i anëtarit të gjashtë të Gjykatës Kushtetuese, përtej kushtëzimit të ngritjes së saj me çeljen e negociatave me BE-në?

Si në asnjë vend tjetër të botës, Shqipëria për tre vjet nuk pati Gjykatë Kushtetuese duke i dhënë mundësinë Edi Ramës të sillej sikur ta kishte Shqipërinë bahçe personale. Dëmet e shkaktuara nga mospasja e Gjykatës Kushtetuese në aspektin politik, juridik, ekonomik dhe shoqëror janë të pallogaritshme. Emërimi i anëtarit të gjashte të Gjykatës Kushtetuese, ka krijuar në parim mundësinë që ajo të jetë funksionale. Dihen përpjekjet e jashtëzakonshme që ka bërë dhe do të bëjë Rama edhe në të ardhmen, për kapjen e kësaj Gjykate. Se sa e paanshme dhe në funksion të vendit do të jetë ky institucion do të duket kur të shqyrtojë dhe vendosë për çëshje të medha si zgjedhjet vendore të vitit 2019 dhe ndryshimet e njëanshme kushtetuese dhe në Kodin Zgjedhor të para disa muajve. Në lidhje me anëtarësimin e vendit tonë në BE, opozita e ka bërë të qartë që është për hapjen e negociatave sa më parë dhe pavarësisht plotësimit të kushteve. Personalisht mendoj që nuk do të ishte e ndershme te thuhej se Shqipëria është maturuar politikisht, institucionalisht dhe juridikisht, sepse u arrit kuorumi në Gjykatën Kushtetuese. Testi për Shqipërinë është 25 Prilli i vitit të ardhshëm, ku Qeveria duhet të zhvillojë zgjedhje të lira, të ndershme dhe të pakontestueshme. Pa zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk ka demokraci, nuk ka institucione, nuk ka rend jurik, nuk ka zhvillim ekonomik dhe paqe sociale.

Sipas analizave shqetësuese të publikuara së fundmi nga IFIMES, mazhoranca qeverisëse ka rreth 2 miliardë euro gati për t’i përdorur për zgjedhjet e ardhshme. Sa të kërcënuar ndiheni ju si opozitë për këtë fakt? Dhe sipas jush çfarë do bëni për të parandaluar shit-blerjen e votave, një krim ky tashmë i njohur zyrtarisht edhe nga Gjykata e Dibrës, me hetimin mbase të pjesshëm të dosjes së famshme “184”?

Nuk është ndonjë gjë e re të them që bashkëpunimi me krimin dhe vjedhja e blerja e zgjedhjeve është praktike e hershme e Rilindjes. Kjo praktikë është institucionalizuar që kur Rama drejtonte Bashkinë e Tiranës. As kam dyshim që ai do të vazhdojë me të njëjtën metodë edhe në zgjedhjet e ardhshme, por jam i bindur që qytetarët me urrejtjen që kanë krijuar ndaj këtij pushteti dhe opozita me masat që ka marrë dhe do të marrë edhe në muajt e ardhshëm, do t’i japin Ramës një daçkë të fortë dhe do ta çojnë atje ku ai meriton. Zgjedhjet e 25 Prillit 2021 janë jetike për të ardhmen e vendit. Nëse Rama mendon që ta kalojë lumin duke i manipuluar ato, ai bën një gabim fatal në gjykim dhe për këtë do paguajë një çmim të rëndë.

Pse duhet që shqiptarët ta votojnë Opozitën dhe jo mazhorancën e udhëhequr nga Edi Rama që kërkon mandatin e tretë qeverisës?

Qytetarët shqiptarë sot përballen me një pafundësi problemesh, pjesa dërrmuese e të cilave janë produkt i qeverisjes së Ramës. Sintezë e kësaj gjendjeje të vështirë të vendit është emigracioni i pa fre, sidomos i moshave të reja. Mesazhi është i qartë, ata nuk shikojnë të ardhme në Shqipëri me politikat që janë ndjekur, prandaj emigrojnë. Partia Demokratike nuk premton “mrekullira” si ato të Ramës në vitin 2013, por një qeverisje serioze e të përkushtuar, e cila të bëjë të mundur që hap pas hapi, muaj pas muaji e në vazhdim, t’ju kthejë shqiptarëve shpresën për të jetuar në Shqipëri. Shpresa do të kthehet në radhë të parë duke krijuar një ambient që të nxisë punësimin. Për këtë qëllim do të ndërmerren reforma të thella e të gjithanshme që vendi të prodhojë për qytetarët dhe jo oligarkët. Disa prej këtyre reformave do synojnë uljen e barrës fiskale nëpërmjet taksës së sheshtë, rritjen e pagave dhe pensioneve, subvencionimin e bujqësisë me 100 milionë euro në vit, reformimin e sistemit arsimor dhe çlirimin e studentëve nga tarifat e pa përballueshme, reformimin e sistemit shëndetësor dhe rritjen e ndjeshme të pagave për mjekët në 1000 euro dhe infermierët në 700 euro në muaj, uljen e çmimeve të lëndëve bazë si energji elektrike, karburante dhe gaz i lëngët. Vëmendje do t’i kushtohet luftës ndaj korrupsionit dhe lidhjeve qeveritare me oligarkët dhe krimin e organizuar. Të gjithë koncensionet të cilat janë abuzive, në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e vendit do të anulohen, dhe më e rëndësishmja, ata të cilët janë pas kontratave korruptive do të mbajnë përgjegjësi para ligjit. Asgjë e kryer në kundërshtim me ligjin gjatë këtyre 8 viteve nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. Garanci për realizimin e këtyre premtimeve është Zoti Basha dhe ekipi i tij i përbërë nga njerëz të kualifikuar, të panjollosur e të pa përfolur. Unë jam i bindur që 25 Prilli i vitit të ardhshëm shihet nga të gjithë shqiptarët si dita që do të shënojë një përmbysje të madhe e rikthim i shpresës për vendin dhe qytetarët e tij.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...