Presidenti Ilir Meta, ishte këtë të hënë në Vlorë, ku zhvilloi një bisedë me gazetarët. Presidenti u ndal tek situata e COVID-19 në vend dhe procesi i vaksinimit. Ai theksoi se duhet një menaxhim më i mirë i situatës dhe të fokusi të vendoset tek shpëtimi i jetëve të qytetarëve.
“Ky është një proces që duhet të ecë me shpejtësinë e duhur në mënyrë sa më shkencore, kritere të qarta, siç i ndjekin të gjitha vendet. Vaksinimi duhet të përshpejtuar, por kurrsesi debati i vaksinimit të na shpërqendrojë nga pacientët që dergjen në spitale pa kujdesin e duhur shëndetësorë. Kemi kërkuar në mënyrë të vazhdueshme blerjen e pajisjeve jetshpëtuese, është më i rëndësishëm se investimet publik që bëhen sot apo nesër. Jeta e qytetarit nuk pret për t’u shpëtuar, ndërsa gjërat e tjera presin. Këtu duhet të dominojë interesi për jetën e qytetarit”, tha Meta.
Presidenti u ndal dhe tek fushatat zgjedhore. Ai tha se gjatë kësaj periudhe aktorët politik të tregohen transparentë me qytetarët. Po ashtu, Meta i bëri thirrje partive politike të pastrohen nga personat inkriminuar.
“Nuk është interesi im sesi ecën fushata, ecën e vakët, e nxehtë apo e ftohtë. Për mua është e rëndësishme që fushata të bazohet në transparencë dhe në debatet për të ardhmen në interes të qytetarëve shqiptar. Kandidatët të jenë njerëz me integritet. Të mos preken nga dekirminalizimi, i bëj thirrje partive të pastrohen nga partitë. Dhe të mos marrin ata që pastrohen partitë e tjera. I bëj thirrje partive të qëndrojnë larg oligarkëve, të mos financohen nga ata. Kur flas për përmbysje demokratike, e kam fjalën për rivendosje të rendit kushtetues në vend. Ajo bazohet tek vota e lirë, tek kontributet e qytetarit. Prandaj flasim për referendum. Jemi në një situatë anormale”, përfundoi presidenti