Kanceri në gjak, kë prek dhe shenjat e para

E mërkurë, 23 May 2018 08:44

Nga Arben Ivanaj 

(Hematolog, Pedagog në shërbimin
e Hematologjisë Fakulteti i Mjekësisë)

Kanceri në gjak në pjesën dërrmuese të rasteve prek moshat e mesme, ndërkohë që janë një sërë shenjash me të cilat manifestohet”. Arben Ivanaj, shpjegon shkaqet e sëmundjes dhe disa mënyra sesi mund ta parandalojmë. Sipas tij, ndonëse këto patologji janë të pashërueshme, jetëgjatësia e pacientit është zgjatur ndjeshëm, duke shkuar në minimalisht 10 vjet.
Cfarë është kanceri në gjak?
Me kancer në gjak përfshihen të gjitha ato patologji, që në zhargonin mjekësor quhen hemopatitë malinje. Pra, janë të gjitha llojet e leuçemive: leuçemi akute, mieloide, leuçemi kronike mielodie, leuçemi akute linfoide dhe leuçemi linfoide kronike. Përfshihen gjithashtu mielomat dhe ato që quhen limfomat malinje. Shumica e këtyre patologjive, fatkeqësisht janë të pashërueshme, por shumë mirë të kurueshme.
Çfarë do të thotë shumë mirë të kurueshme?
Me mjekimin e duhur, jetëgjatësia e të sëmurit është rritur jashtëzakonisht shumë dhe në disa kategori patologjish nga ana teorike mund të diskutojmë nëse janë shëruar apo jo. Në grupin e dytë bëjnë pjesë një numër limfomash, disa leuçemi mieloide kronike apo disa leuçemi linfoide kronike, për të cilat jetëgjatësia është rritur më shumë me medikamentet e reja, që janë aktualisht në treg apo me teknika të ndryshme që përdoren në trajtimin e tyre. Po ashtu, ndonëse prej kohësh themi se leuçemia akute është e pashërueshme, me mjekimin e duhur dhe me procedurat e miradaptuara edhe në këtë grup patologjish jetëgjatësia është rritur shumë dhe shanset e të sëmurëve që të jetojnë mirë dhe për një kohë shumë të gjatë janë relativisht shumë të larta. Progres tjetër në këto patologji është shënuar në mielomën multiple, pasi praktikisht këto patologji janë shumë mirë të kurueshme dhe mund të jetojnë gjatë dhe cilësi jete shumë të mirë. Zhvillimi i teknologjisë së trajtimit të këtyre patologjive ka shënuar kthesën që për një numër të madh të sëmurësh, nga sëmundje shumë agresive, që në shumicën dërmuese nuk e kalonin 5 vjet jetë ka bërë që sot të flasim për minimumi 10 vjet jetëgjatësi për personat e prekur. Pra, kemi dyfishim të jetëgjatësisë.
Në këtë drejtim a ka rëndësi kapja në kohë e sëmundjes dhe jo në një fazë të avancuar?
Për një numër sëmundjesh nuk ka kuptim fjala “kapje në kohë”. I sëmuri duhet të shkojë te mjeku kur ka një simptomë.
Cilat janë disa nga shkaqet e këtyre sëmundjeve?
Në përgjithësi për kancerin ne nuk e dimë se nga se vjen. Në veçanti për kancerin e gjakut nuk e dimë se nga vjen. Nuk mund të themi se ka një shkak specifik, por si për të gjitha llojet e kancerit janë akuzuar një numër produktesh toksike, produktet kimike të industrisë apo të bujqësisë, shkarkimet industriale nga më të ndryshmet. Ndoshta edhe ndotja e ajrit, që vjen pikërisht nga shkarkimet e ndryshme industriale dhe kimike. Nuk kemi lidhje të drejtpërdrejtë të duhanit dhe alkoolit, por mendojmë se kjo ka një influencë direkte apo indirekte me këto grupe patologjish. Nga ana tjetër janë akuzuar një sërë infeksionesh, që janë të lidhur direkt ose indirekt me sëmundjet malinje të gjakut, siç janë viruset apo disa baktere. Tashmë është e konfirmuar që të gjitha këto sëmundje kanë një mënyrë “unike” të mekanizimit të tyre të lindjes, ku faktorët e jashtëm veprojmë mbi faktorët e brendshëm, që i ka secili prej nesh (faktorët gjenetikë) dhe në një moment të caktuar ndodh një dëmtim gjenetik në qelizë.
Cilat janë disa nga shenjat?
Në përgjithësi nuk ka një simptomë specifike për sëmundjet e gjakut. Ato karakterizohen nga pasojat që japin. Pra, kemi prekjen e tri linjave të mëdha të qelizave, që janë: qelizat e kuqe, qelizat e bardha dhe trombocitet, që shërbejnë për mpiksjen e gjakut. Ulja e prodhimit të njërës prek tyre apo të tria së bashku shoqërohet me shenja klinike. Në qoftë se kemi ulje të rruazave të kuqe, ajo që do të kemi është këputje të përgjithshme, dobësi apo zbehje, të cilat në përgjithësi në sëmundjet malinje instalohen në mënyrë të menjëhershme. Ndërsa ulja ose rritja e rruazave të bardha është e zakonshme të shoqërohet me infeksione. Gati në 1/3 e rasteve këto patologji shoqërohen me infeksione. Infeksione nga viruse apo baktere të ndryshme, që shoqërohen me temperaturë. Prania e temperaturës është një nga ato shenja klinike e zakonshme në këto patologji. Po ashtu, në 1/3 e rasteve kemi fenomene hemorragjike, pra njolla të zeza e të kuqe në lëkurë apo gjak nga hundët, nga mishrat e dhëmbëve apo nga nevoja e trashë. Ndërsa, kombinimi i këtyre simptomave, të tria së bashku përbën gati 1/3 tjetër të rasteve. Të gjitha këto simptoma në përgjithësi instalohen në mënyrë të menjëhershme, pra marrin afërsisht 1 javë apo 10 ditë. I sëmuri fillon të mos e ndjejë veten mirë dhe pastaj i drejtohet mjekut. Për një kategori tjetër të sëmurësh, siç janë të sëmurët me limfoma, kjo shoqërohet me rritjen e gjendrave. Janë gjendra më pak se 1 cm që ne i kemi në qafë, nën sqetull, rrëzë kofshës. Për të sëmurët me mieloma një karakteristikë tjetër është dhimbja në shpinë, që thjesht ngatërrohet me dhimbjen e reumatizmës.
Cilat janë moshat më të rrezikuar?
Mosha më e shpeshtë që “preferojnë” këto sëmundje është mosha e mesme, përveç leukozave akute që në përgjithësi nuk njohin moshë. Pra, moshat 50-60 vjeç janë moshat ku takohen këto lloj sëmundjesh.
A mund të parandalohen këto sëmundje?
Nuk ka një mekanizëm që t’i parandalojë, por gjithsesi duhet të jemi të kujdesshëm me atë që e cilësojmë si jetë e shëndetshme. Nuk kemi gjetur se cilët janë shkaktarët e drejtpërdrejtë të kësaj sëmundjeje, por në përgjithësi si për gjitha problemet e tjera shëndetësore rekomandohet jeta e shëndetshme. Praktikisht nuk kemi mekanizëm tjetër që mund ta parandalojmë. Sigurisht që duhet të eliminojmë çdo rënie në kontakt me produkte toksike. Thjesht për histori, të gjithë e njohim Mari Kyrinë, e cila vdiq nga leukoza akute si pasojë e rrezeve radioaktive, që janë të konfirmuara që japin leukoza akute. Pra, duhet të eliminojmë ato produkte, të cilat potencialisht mund të shkaktojnë njërën nga këto sëmundje.
Një këshillë të fundit?
Kur të keni simptoma duhet të shkoni te mjeku i familjes. Gjithçka fillon te mjeku i familjes.

Modifikuar më E mërkurë, 23 May 2018 08:52
Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...