Shkëndija e Tetovës ka marrë një lajm të keq pas fitores së arritur një ditë më parë në Shkup ku mposhti me rezultatin 1-0 FC Sheriff Tiraspol në turin e dytë të Champions League. Kuqezinjtë nuk do të kenë në dispozcion për një kohë relativisht të gjatë shërbimet e sulmuesi maqedonas Marjan Radeski. 23-vjeçari pësoi një dëmtim të rënd në gju në ndeshjen e kthimit në turin e parë të Champions League kundër The New Saints F.C. Rezonanca ka treguar se lojtari ka këputur ligamentet e gjurit dhe duhet t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale për t’u riaftësuar. Nëpërmjet një komunikate në faqen zyrtare klubi i Shkëndijës njofton mungesën e sulmuesit 23-vjeçar.
“Rezonanca magnetike ka konfirmuar seriozitetin e lëndimit, pasi sulmuesi ka të këputur ligamentet e kryqëzuara të gjurit të këmbës së djathtë. Shkëndija do të jetë pa Marjan Radeski një periudhë më të gjatë. Dëmtimi i pësuar në Uells në takimin e kthimit të xhiros së parë eliminatore të Champions League kundër The New Saints F.C. rezulton të jetë serioz. Testimet e detajuara dhe rezonanca magnetike tregojnë këputje të ligamenteve të përparme të kryqëzuara të gjurit të këmbës së djathtë. Kjo nënkupton ndërhyrje kirurgjike dhe pauzë më të gjatë, e nevojshme për rehabilitim. Ndërhyrja do të kryhet ditëve në vijim, ndërsa menjëherë do të fillojë me procesin e rikuperimit”, thuhet në komunikatën e klubit të Shkëndijës