Jurgen Klopp është kthyer në një fenomen në botën e treningut. Tekniku gjerman prej vitesh qëndron në podiumin e trajnerëve më të kërkuar në europë, një personazh unik, i aftë të karikoj këdo që e rrethon, futbollistët, tifozët, ambientim, të gjithë e dashurojnë. Triumfi në Champions League, pas dy finaleve të humbura, rrit edhe më shumë kuotat e Klopp, tani nuk është thjeshtë një trajner karizmatik por dhe fitues.
Elozhet për të erdhën nga e gjithë bota, madje dhe nga rivali i tij më i madh Pep Guardiola por në heshtje nuk ka qëndruar as “kajzeri” i futbollit gjerman, Franz Beckenbauer. Legjenda e Bayern i ka ofruar publikisht stolin e bavarezve:
“Është një nga trajnerët më të mirë në botë. Do të më pëlqente ta shihja në stolin e Bayern”, u shpreh Beckenbauer. Përballe deklaratës së figurës më të famshme të futbollit gjerman nuk mund të mungonte dhe reagimi i Klopp:
“Më pëlqen Franz dhe i pëlqej, por kam një kontratë me Liverpool për një kohë të gjatë. Gjithsesi si Bayern ashtu dhe B.Dortmund kanë trajner shumë të mirë. Diçka e tillë mund të ndodh pas 5 ose më shumë viteve, nuk e di. Në atë kohë mund të ketë trajner totalisht të ndryshëm”, u shpreh Klopp për “Bild”. Klopp ka një kontratë me Liverpool deri në vitin 2022 ndërsa drejtuesit e klubit i kanë ofruar menjëhërë një rinovim të kontratës aktuale.