Ramadan Topuzi, vjen me librin me poezi "Pengu i Dritës"

Tuesday, 13 November 2018 10:59

I diplomuar dhe doktoruar për inxhinieri Ramadan Topuzi vjen me një befasi të bukur përmes poezisë. Përbrendësia e shpirtit të tij shpaloset si një dritë e pastër mëngjesore. Konceptimi i botës përmes unit lirik vjen pa zhurmë e zulmë, por përmes dritës, peng i së cilës jemi të gjithë. Në ditët e sotme, kur jeta është kthyer në një maratonë pragmatiste R. Topuzi, të fton të ndalesh, të marrësh frymë, të ndjekësh dritën njerëzore, të rishikosh raportet e shtrembëra të kësaj bote, dhe sidomos, të fton të reflektosh: Quo Vadis?!   
Në këto poezi mund ta gjejë veten secili prej nesh. Edhe pse është vëllimi i tij i parë poetik, ky nuk është takimi i tij i parë me poezinë. Autori e ka pasur poezinë një mike të përhershme e cila e ka motivuar, i ka dhënë forcë, i ka fshirë një lot të fshehtë dhe mbi të gjitha e ka ndihmuar të mbetet i pastër, me një shpirt dritësor, të ndjeshëm e përherë të butë e të ndritshëm dhe kur terri i indiferencës dhe vorbullave thithëse të jetës e ka kërcënuar.
Njeriu mbetet kryefjala e vargut poetik të autorit, njeriu që kërkon të mbetet njeri, pa mohuar origjinën, pa shtypur të tjerët dhe pa egocentrizmin banal. Shpresa dhe besimi zhyten, por nuk mbyten nëpër përsiatjet e tij poetike dhe ai do të vazhdojë të mbetet peng i dritës, ndjekës i saj me një dashuri të pakushtëzuar, sepse është krenar me veten, me të qenit thjesht dhe vërtet njeri i pastër.
Dritëhijet e shpirtit të poetit luhaten nëpër vargje me një dinamike tërheqëse dhe me një verb poetik të spikatur. Në këto poezi ka mendim dhe qasje paqësore ndaj dritës dhe sfidave. Këmbëngulja është arma më e mirë dhe kjo përftohet vetëm nëse ke mjaftueshëm dashuri. Brenga e bren edhe burrin dhe ta pranosh këtë nuk është sentimentalizëm, por guxim
Në këtë vëllim poetik i cili i dedikohet familjes me një mirënjohje të thellë, merr krahë  një poezi premtuese, e cila ka nisur fluturimin e saj të parë. Një poezi-dallëndyshe kthehet gjithmonë në fole dhe po gjithmonë rrok qiejt me një liri, dashuri e përkushtim të admirueshëm. Konstatoj në këtë vëllim poetik një vlerë të padiskutueshme artistike e po aq njerëzore.  Urime Ramadan Topuzi për dritën që sjell!  Hekuran Hasanaj

Kush është Ramadan Topuzi?

U lind më 22 gusht 1977 në Dibër. 

Është diplomuar për inxhinieri pranë UBT, ku dhe ka mbrojtur gradën shkencore “Doktor”.
Pasioni për letërsinë e ka shoqëruar kaherë. Poezitë e para i ka botuar në gazeta e revista të ndryshme

Pengu.jpg

Cikel me Poezi nga Ramadan Topuzi

SIKUR...   

Të mundja të “shpërtheja”
Të lëshoja dritë mbi botën,
Ta gëzoja gjithë njerëzinë,
Që endet rrugëve, ngrys kohën.

Të mundja të ndriçoja rrugët,
E terrin ta largoja në fund të botës,
Të shfryja dufin me të paudhët,
T’i ngulja thellë në zemër të tokës!

Të mundja të lëshoja rreze,

E me to të ngrohja gjithësinë,

Të isha i lumtur jo veç për vete,

Por të lumturoja mbarë njerëzinë.

Të mundja të përhapja dije,

Si korifejtë e mëdhenj të shkencës,

Të mos jetonte askush në hije,

T’i jepja dashuri e kuptim jetës.

ISHE TI 

Në një album të vjetër, më dole ti,

U shtanga, u mpiva... si dikur... i ri.

Desha të të vjedh, të të ndjej përsëri,

Nuk di si u ndjeva... s’e di... jo, s’e di.

Ishe ti. E gjithë qenia jote! Po, po, ti!

Me atë vështrim, po me atë çehre.

Me flokë të dendur që binin mbi sy,

Në borën e ngrirë, si lule ditë-vere.

Një foto, një kujtim, një diell në agim.

Tej fotos uji, lëndina, ashtu si vetëm ti di.

Nuk di në ma dhurove, apo ta mora me rrëmbim

... Kjo foto tani nuk ka çmim.

Ishe ti! E bukur; syshkruar, e lexuar, e shtruar,

E zonja, e zgjuar, e tashme dhe e shkuar.

E kthjellët; e brishtë, e gjitha e qëndisur,

Ti; që me praninë tënde, lije djemtë shastisur.  

Ishe ti; e çiltër, e paqtë, e ndjeshme.

Po, ti je e sotme... ti ishe e djeshme.

Ishe ti... e gjitha ti... një jetë, një melodi.

Një diamant në dashuri... një mrekulli...!

Si kujtim i largët rinie,

Si e tashme mëkatare pjekurie,

Si e ardhme e domosdoshme pleqërie.

Dhe, ngatërrohet strofa, prishet rima.

Më re në kokë, si vetëtima! 

Je TI...!

SHPRESA   

Shpresë e dashur, e fundit frymë.

Me ty gjithmonë kam ëndërruar.

Kur gjumi arratisej flirt,

Gjithmonë ti më ke dashuruar.

Edhe kur zemrën copë e kam,

Më shfaqesh blu, si qiell pa re.

Mos u dorëzo, unë këtu jam!

Më bëhesh jetë, më bëhesh diell.

Ti jetë i jep grahmës së fundit.

Dhembjet m’i heq si me magji.

Kur dheu përsipër do më ketë rënë,

Porsi Feniks do shfaqesh ti.

 

E NGATËRRUAR

E projektoj veten...

brenda një rrethi të vockël,

Jam një gur që jeta hodhi në ujë.

Hapen rrathë, rrathë, rrathë...

Shumë rrathë që rriten pa fund.

E unë guri i vogël,

Si një princ përrallash.

Kërkoj me sy urie shumë, shumë, më shumë…

Në ëndrra jam sovran.

I shkoj kozmosit thellë, thellë në bark të zi

Një donkishot i shkretë kthehem në tokë

Dhe përfundoj si lot atje ku nis.

... si të gjithë...! 

 

FATI

A do ta mbush dot këtë hon të shpirtit

Kuturu në trotuar duke bredhur?!

Me dhimbjen time përditë jam grindur

Përmendësh mërmëris kllapinë e hershme.

E fati im shejtan

Më shtrydh nën vete,

Por shpresa me durim më vë kompresa

Më ngre në këmbë të vuaj përsëri

Si një Sizif të flas gjithmonë me vete.

. . .

Por thellë në vete

Kam një plan të marrë,

Si i burgosur labirint do çaj

Do gjej një fill të kap lirinë e vrarë.

Apokalipsin vetë do ta shkaktoj

Një djall për veshi keq do kap

Një engjëll të pafaj ndoshta dënoj.

Të thonë një ditë për mua:

ky qenka gjallë!

Të thonë: të paktën pati gojë!

 

GJYSMA E DYSHEKUT

Dikur në ëndrrat e guximshme

Netëve kur era klithte si një zanë,

E mblidhja botën gur në dorën time

E ditën e shaloja kalë të bardhë.

Por sot kjo shurdhëri më la pa gojë

Kjo shurdhëri më vrau klithmë e zë,

Askush nuk pati veshë të më dëgjojë

Askush nuk pati gojë, as dorë, asgjë.

Asgjë për mua s’kishte qenë…

Zhgënjimi qen besnik më ndjek nga pas,

E jam mësuar kështu me të, të zgjohem

Pa të nuk mundem dot të fle një natë.

Asnjë rrëmujë nuk më bën përshtypje.

Dera ime - dryn i ndryshkur qan,

As hyj as dal, jam veç me botën time

Kam mall e dhimbje, gropë dhe oqean.

I fshihem vetes si kusar i frikur

Rrugën ndërroj me veten mos përplasem,

Vetja e gjorë më sheh me sy të fikur

Me sy të fikur: gjysma nën jorgan.

Mblidhem kruspull në një kënd të shpirtit

Mjafton për mua gjysma e dyshekut,

Me ndjenjat kuturu rrëshqas hutuar

Dhe shoh se jam në derën e poetit.

 

FLAS ME VETEN

Në intervistë me veten

Mëtova rrënjët e poezisë t’i nxirrja.

Gërmova stinën, ditën, çastin

Kur lindte poezia.

Në fund…

Fillova të qesh me veten time.

Poezia nuk lindet në diell

As ndonjë të diel.

Poezia lindet në klithma e në dhimbje.

Lumturia nuk krijon poezi.

Ajo fishkëllen muzikë.

Lumturia, një e shkuar e pakapshme,

Mbërthehet si Promete

Në vargjet spontane,

Në pronat e muzave dhe djajve.

 

PAS SHUMË KOHËSH   

U shkëmbyem befas

Në vendin më të çuditshëm.

Një vend prozaik.

Sa larg poezisë.

U pamë sy ndër sy,

Pa asnjë hatërmbetje.

U përshendetëm,

Madje edhe buzëqeshëm,

Pështjellim të trishtë,

Ndjemë nën vete.

U prekëm padashur

Dhe... “më fal të lutem”!

Të dy në një gojë,

Çuditërisht ethshëm.

Se mos ju lëndova? 

Njëherësh thamë sërish.

Nuk ju vura re fare,

Sigurisht, ta dish.

U ndamë...

“Mirupafshim” dhe një buzëqeshje.

Të dy e dimë,

Që ne s’mund të shihemi.

Të dy e dimë:

Ne duhemi e urrehemi.

E desha atë buzëqeshje

Në pamje e çiltër e në shpirt tinëzare,

Të zgjaste përjetë...

A të mos e njihja fare.

PRIT...

Se unë pres...

Se ti po ashtu pret...

Duron stoikisht

Durimin tim.

Shpresa dhe pritja

Në një çast intim

Krijuan një Zot të çuditshëm

Një mizor, anonim.

Shpresa - anestezi mizore

Në jetën - agoni.

Se vetë pritja pret në përjetësi

dhe përjetësia po ashtu do të vijojë të presë...

... të dalë ku iu këput kësaj bote filli,

Ai fill që mbi greminë na nden.

***

Ta kundërshtoj?! As që bëhet fjalë.

Edhe pse njëqind herë kam të drejtë,

E ruaj nga lëndimet. Kam shumë mall.

Edhe pse njëqindfish e di dhe vetë.

T’i flas? S’është gjë. Po sikur të mërzitet?

Para meje e ka lexuar mendimin tim.

Ndaj guximi në ëndrra të bukura ndizet,

Skenarë të ethshëm thur me mallin tim.

Kur kritikat boshe përmbytin errësirën

Në thelb të së vërtetës fsheh një lot - trishtim,

Lëvozhga e rrejshme mbështjell dashurinë

Malli mbyt arsyen dhe tjerr një trillim.

Nëse dhe ajo ma ndjen marrëzinë,

Ind e majë kjo quhet dashuri reale,

Ku trupi vesh kostum, ngujohet në kullë

Dhe malli puth ndjenjat në lojë virtuale.

***

Në agoninë time

qesh çuditshëm.

Një qeshje vaji çmendurake.

E mbylla dhe sot,

me një fjollë poezie.

Nga ato të rrallat

poezi dashurie...

Dramat i lashë aty ku halli bën flirte.

E mbylla dhe sot!

I lashë të ndizen yjet.

RREZE DIELLI

Vjen një rreze e ndrojtur

si sytë e Lulit të Migjenit.

Vjen pa hile,

vjen një muzë.

Më sjell dritën e qiellit.

Lëkura ime zgjohet,

flak tej dimrin e gjatë

e nëpër deje rrotullohet kujtimi

... Unë foshnjërisht në krahët e nënës.

Unë si një zog i hareshëm,

si kjo rreze e sotme mëngjesi.

Ja tek jam: -vrapoj si Ante,

vrapoj si një dre

që u shpëtoi kurtheve të gjahtarëve

... Edhe sot...

Ndjek rreze dielli.

Rreze shprese.

Dhe zhurmën e ujqve

e hedh në një gropë.

Marr frymë!

Sa të ketë diell

Dimri nuk zgjat përgjithmonë. 

 

GËNJESHTRA E BARDHË

Gënjehet njeriu çdo ditë më kot,

Një çast i vetëm e hedh në tokë,

I duhet forcë, veten ta shtyjë,

Vështirë se mendja mundet me lotë.

Si një fëmijë me mollë mashtrohet,

E gënjen mendja, shpik plot arsye,

E ngroh dielli që në mesnatë,

Në mes të ngricës, futet në hije.

Përgjum logjikën në mes të ditës,

Pa vrarë mendjen se e gënjejnë,

Thërret guximin, i gjuan frikës,

Në pranga ndjenjat e mbërthejnë.

Në fund të fundit e mirë gënjeshtra,

Pak kozmetikë mirë do të ishte,

Do plasnin njerëzit nga ngurtësia,

Monotonia do shtrihej frikshëm.

                                   

Modifikuar më Tuesday, 13 November 2018 11:09
Login to post comments

Lajmet e fundit

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...