Shqiptari i sotëm

Saturday, 20 July 2019 20:52

Nga Ilir Kalemaj

Shqipëria e sotme është një vend që të josh dhe frikëson, të kalamend dhe tundon. Kafenetë tumllas dimër dhe verë, në çdo orë të ditës, ku në stinën e verës shpesh ndonjë mizë hardalliset edhe në ambjentet e brendshme të kondiconuara. Ku grerëzat të bëjnë shoqëri plazheve trendy të jugut mbi kanaçen e ftohtë që orvatesh ta ruash plot fanatizëm, ndërsa mushkonjat e kudogjendura të bëjnë shoqëri netëve të nxehta. Por edhe vendi ku shoferi i panjohur përballë ta bën me drita për të të paralajmëruar nga rreziku i policit-gjobaxhi përballë, vençarisht kur ky i fundit rri fshehur poshtë një shkurreje me matësin në dorë.

Solidariteti për t’ia hedhur shtetit në fakt është rrënjosur herët në psikikën e shqiptarit dhe nuk është se kanë ndonjë faj për këtë. Shteti shpesh është parë si plackitës dhe jo mirëbërës, si fajkua i xhepave të më të dobtëve dhe jo shtet i garantimit të mirëqënies dhe ligjeve të drejta dhe të aplikueshme barabar.

Në Shqipërinë e sotme i huaji vlerësohet shumë më tepër se bashkë-kombasi, i bëhen nderet sipas vendit, nëse është turist e ndihnë me informacion dhe shpesh nuk e lënë me vënë dorën në xhep. Nëse është “ndërkombëtar” e vendosin madje dhe në krye të punëve apo arbitër kur nuk merren vesh me sho-shoqin. Toleranca shtrihet te tjetri por jo te i ngjashmi. Atij nuk ia falim suksesin apo lavdinë qoftë kjo me punë dhe djersë. Vençarisht nëse është e merituar. Halë në sy. Merremi me punët e të tjerëve shumë më tepër se të shohim bahçen tonë.

Shqiptari i sotëm e dëshiron dhe e vuan mungesën e një pune ëndrrash: një pune në shtet. Aty ku qari dhe zarari janë në proporcionin më të drejtë të mundshëm. Aty ku llafollogjia dhe intriga marrin prevalencë ndaj eficençës për orë pune dhe matje rezultatesh. Aty ku edhe po nuk rodhi, do pikojë. Nuk e ka thënë kot populli. Qerrata popull.

Ndoshta e kanë kuptuar këtë edhe ata kodoshë-gazetarë dhe botues që i’u servirin intriga Blloku dhe bllokmenësh tre dekada pas rënies së komunizmit totalitar, gjakprishur dhe mizor që zhduku jo vetëm individë por u përpoq të vriste dhe vetë individualitetin. Që imponoi jo vetëm dhunë kolektive, por i vuri kazmën dhe kulturës sado të brishtë politike dhe çfarëdolloje tradite të mirë që kishim pasur. Që ç’rrënjosi jo vetëm kisha dhe xhamia, por vrau dhe ndjenjën e besimit dhe solidaritetit që i bën njerëzit më humanë dhe bashkëpunues. Pasojat e të cilave po i ndjejmë sot e gjithë ditën. Por që na shfaqin gjasme një anë njerëzore të asaj që vetëm lidhje me njerëzoren nuk kishte. Duke vazhduar matufjesjen e atyre që u ka ngelur ora dekada pas dhe duke mpirë trurin e të rinjve me budallallëqe me okë që nuk shtojnë kurrgja në kandarin e arsyes.

Një vend që kultivon vipa me okë dhe është i mbushur me kunguj plot e përplot. Përpjekja për t’u dukur si të tjerët, për t’u veshur si ata, për të postuar të njëjtat trende duket se është në konflikt me natyrën individualiste të shqiptarit, gjë e cila i prish punë në tokën arbnore por e lejon të jetë i suksesshëm gjetkë. Aty ku mundi dhe talenti shpërblehen proporcionalisht. Ndoshta mungesa e roleve modelë, të suksesshëm në art apo sipërmarrje, në politikë apo kulturë, në letërsi apo sport, në shkencë apo inovacion, dhe kultivimi me dhunë i rol-modeleve të silikonit pa tru nga njëra anë dhe kokë-katrorëve zinxhir-varur dhe qafë-trashë nga ana tjetër, ku spikat dhe politikani batakçi dhe gjykatësi leku-letër në një vend pa drejtësi, ka ndikuar jo pak në këtë fazë tranzicioni të shqiptarit të sotëm.

*Shkruar enkas për Boldnews.al

Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...