Ekskluzive/ Neritan Ceka: 250 mijë euro për varret ilire në Selcë, projekt i marrë, apo punë cubash?!

E mërkurë, 06 June 2018 12:42

Intervistë ekskluzive me arkeologun e mirënjohur, Prof. Dr. Neritan Ceka

Flori SLATINA

Dy javë më parë, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e shoqëruar nga ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vllahutin, si dhe autoritetet lokale, vizitoi qytetin ilir të Pelionit, në Selcën e Poshtëme në Pogradec. Gjatë vizitës ajo u shpreh e befasuar nga ky qytetërim dhe deklaroi para kamerave dhe gazetarëve se do të investohen plot 250 mijë euro për restaturimin e varrezave ilire të Selcës. Në pamje të parë është një lajm i mirë, por kur kemi parasysh projekte të tjera të ngjashme me BE-në, ku paratë janë shpenzuar pa rezultat, kjo shumë të le të dyshosh. Prof.Dr. Neritan Ceka, arkeologu i mirënjohur, të cilit i takon merita kryesore jo vetëm se është autori i zbulimit të këtyre varrezave ilire që në vitin 1969, por njëherësh edhe studjues i tyre, autor i një libri të veçantë mbi Pelionin, por edhe si drejtues ekspeditash në Selcë, herë pas here, në konservimin dhe kërkime të reja në këtë qytet ilir, reagon pas deklaratës së ministres Kumbaro, pasi jo vetëm që nuk është marrë në konsideratë kontributi dhe mendimi i tij i vyer, si autori i gërmimeve dhe studimit, por në rastin e investimit, sipas tij, kemi të bëjmë me një abuzim të pastër, një “projekt cubash” siç e quan ai, që nuk ka për qellim restaurimin e varrezave, por lë të dyshohet për vjedhjen e fondeve të BE-së, kur mund të jenë gjetur edhe ata që do bëjnë punimet,  edhe ata që do të ndajnë paratë.  Intervista e mëposhtme, eksluzivisht për “55news.al”  na njeh me vlerat e mëdha të këtij qyterimi të lashtë ilir, si dhe, njëherësh, preznaton edhe projektin e vet që nuk është as ¼ e vlerës së Kumbaros.

Profesor, jemi në dijeni të një projekti që ju keni hartuar për ruajtjen e riaktivizimin e varrezave ilire Selcës…

Selca e Poshtme në Mokër është një nga mrekullitë e arkeologjisë jo vetëm shqiptare, por edhe asaj ballkanike. Në fillim të këtij viti, me iniciativën e intelektualit pogradecar Kopi Kyçyku, jam thirrur nga kryetari  Bashkisë së Pogradecit dhe nga Prefekti i Korçës, në interes të tyre të përbashkët, për të dhënë përvojën time në aktivizimin e qendrave arkeolgjike të rrethit të Pogradecit. Kemi bërë një vizitë në mozaikët e Linit, duke propozuar edhe një projekt-ide se si mund të aktivizohen e të përfshihen ato në turizmin lokal, i cili në verë ka pikun e tij, sidomos në muajin korrik e gusht. Natyrisht u propozua krijimi i një miniparku në Selcë, i cili do të administrohej nga Bashkia e Pogradecit. Ky projekt parashikonte një përforcim të strukturave të varreve monumentale, sidomos mbrojtjen e tyre nga rreshjet, sepse në punimet e konservimit nga Instituti i Monumenteve,  që i kam drejtuar në vitet 2001-2002, u krijuan disa strehë të lehta plastike, që të mos shqetësojmë ambientin, por që kanë luajtur një rol për ruajtjen e varreve monumentale. Gjithashtu projekti parashikon edhe krijimin e shtigjeve që dalin sipër varreve, në pjesën e sipërme të qytetit, për të soditur panoramën, si dhe bërjen e një ndërtese të lehtë që do ti shërbente atyre që do kujdesesin për parkun, biletarinë, për rojet, punëtorët sezonalë, etj. Eshtë parashikuar ngritja e një rrethimi të lehtë në anën e hyrjes, pasi nuk ka nevojë të rrethohet i gjithë siti arkeologjik,sepse është i rrethuar nga shkëmbinj të pakalueshëm. Pra duhej një rrethim vetëm në pjesën ballore, edhe për të penguar diletantët që shkojnë për të kërkuar thesare e që nuk kanë munguar edhe aty, duke sjellë dëme. Ky projekt  do të lidhej edhe me asfaltimin e rrugës së re, e cila pret shkurt, duke shkuar nga Qukësi për të dalë në Qafë-Plloçë, drejt Korçës. Pra është një rrugë ku do kalojnë me mijëra turistë në ditë dhe për një pjesë të tyre do jetë një atraksion, kur u thua se vetëm 5 minuta nga rruga ata kanë një pamje të jashtëzakonshme të sitit arkeologjik dhe të gjithë krahinës së Mokrës, që dominohet prej tij. D.m.th i gjithë projekti parashikonte orientimin e turistëve, duke filluar që nga tabela në takimin  e rrugës së Selcës me rrugën automobilsitike, dhe pastaj krijimi i miniparkut, vendosja e tabelave spjeguese, kujdesi për mounumentet, vazhdimi i ruajtjes së tyre etj. I gjithë projekti kushtonte rreth 45 mijë euro, i përkthyer në lekë shqiptare shkonte aty te 53 apo 54 milionë lekë të vjetra. Ideja ishte që një pjesë të aseteve që Ministria e Kulturës nuk ka mundësi jo vetëm t’i përdori, por as të kujdeset për to, t’i kalojnë pak nga pak në menaxhim pushtetit vendor. Kjo është arsyeja që z. Spirollari e kërkoi këtë projekt nga unë. Pra ishte ideja e një projekt-menaxhimi  që po eksperimentohet edhe në parqe të tjera si p.sh nga Bashkia e Kukësit, që po tenton të krijojë një park arkeologjik në Liqenin e Fierzës në kështjellën ilire të Pecës. Kështu, në Selcë    do kishim edhe një përpjekje tjetër për të hapur një rrugë të re për menaxhimin e pasurive kulturore. Ky ishte projekti, me mendimin për të rihapur edhe ekspeditën arkeologjike të Selcës që funksiononte në vitet 2011-2012, nën drejtimn tim dhe të prof. Luan Përzhitës, në bashkëpunim me Universitetin e Torinos dhe Institutin e Monumenteve, por që u ndërpre nga znj. Kumbaro, sapo mori postin e ministres.  

Tani kemi të bëjmë me një çudi tjetër, kur Kumbaro ka deklaruar se do të japë për Selcën, jo aq sa keni parashikuar ju, por pesëfishin e saj, 250 mijë euro. Cili është komenti juaj, profesor?

Këtu ka disa pikëpyetje. E para e punës përse nuk është pyetur as Instituti i Arkeologjisë, as autori i gërmimeve që do të ishte minimumi i projektit, nëqoftëse atë projekt e ka bërë IMK. Por, kushdoqoftë dhe çfarëdo karakteri që të ketë projekti, edhe në qoftë se lidhet vetëm me ambientin, prapëseprapë autori i gërmimeve dhe Instituti i Arkeologjisë duheshin pyetur. Bëhet një konsultë më parë, gjë që nuk ka ndodhur. U paraqit sikur ministria bëri një zbulim të madh, duke parë Selcën.  Projekti ishte në Bashkinë e Pogradecit dhe në Prefekturën e Korçës, por unë besoj se ata e kanë dërguar edhe në Ministrinë e Kulturës, siç u kisha rekomanduar. Por edhe nëse jo, ministria duhet të mbante mend se ka pasur kërkime arkologjike dhe punime konservimi të monumenteve në Selcë, deri në vitin 2012 dhe pesë vitet që kanë kaluar janë vitet që ajo ka drejtuar Ministrinë që duhet të kujdesej për sitin e jashtzakonshëm të Selcës.

Screenshot_1.png

Pikëpyetja e tretë është se si mund të bëhet një investim kaq i madh prej 250 mijë euro në një vend si Selca, çfarëdolloj projekti të jetë! Ky, o është projekt i marrë, o është projekt cubash, duke lënë të dyshosh se e kanë caktuar që tani se cila firmë do ta bëjë dhe ku do shkojnë paratë. Me këto para, qofshin edhe të BE, unë i kam propozuar kryeministrit, nëse do punë, ka Institutin e Arkeologjisë dhe Institutin e Monumenteve, të cilët me ato para, në bashkëpunim me Bashkitë përkatëse, mund të bëjnë katër parqet të reja arkeolgjike. Me 250 mijë euro bëhet Selca, Petrela, pjesa antike, sepse ka edhe një kështjellë ilire në kodrën karshi kështjellës mesjetare, që pak vetë e dijnë, nga më të mëdhatë e më të bukurat e vendit. Mund të bëjmë Kalanë e Dajtit, një mrekulli ku lëvzin mijëra turistë, si dhe Albanopolin ose Zgërdheshin dhe nuk ka pse këto para të avullojnë. Përgjigja që kam marrë është se projekti ka të bëjë me gjeologjinë. Do bëhet një studim gjeologjik se toka e Mokrës rrëshqet. Unë e di se çfarë do bëhet:   një raport me 40 faqe që nuk ka për ta lexuar askush e askujt nuk do i shërbejë. Besoj se ju e njihni më mirë Mokrën dhe se në Slatinë asgjë nuk rrëshqet, as në Slabinjë, në Golik po ashtu.  Edhe në ka 2 mijë vjet që nuk rrëshet asgjë. E gjithë Mokra është atje ku ka qenë prej 2000 vjetësh.   Qyteti antik i Selcës dhe varret janë në një shkëmb masiv dhe atje nuk shkëput dot 5 gr dhe çdo gjë ka qenë gëdhendur me daltë. Nuk ka asnjë rrezik shkarjeje. Kushdo që do të vizitojë Selcën do të bindet se projekti për një studim gjeologjik në Selcë, ose është një projekt injorantësh, ose një projekt cubash. Këta duhet të pranojnë, o njërën, o tjetrën, por po të pranojnë të parën është më e lehtë, më e ndershme.

A duhet të përfshihet edhe Ura e Golikut në këtë projekt?

Ura e Golikut është pjesë e një rruge të vjetër, që mori emrin romak Egnatia. Monumentet e kësaj rruge fillojnë që nga Durrësi. Monumenti i parë është mozaiku i Arapajt, i dyti është Shkëmbi i Kavajës ku ishte i vendosur shtabi i Pompeut dhe aty duhet krijuar një belvedere ku njerëzit të shohin gjithë betejën midis cezarit dhe Pompeut, nga më të famshmet e lashtësisëmë. Stacioni i tretë është Kalaja e Peqinit, e cila tregon se edhe në kohën turke ajo rrugë ka funksionuar, e kështu me radhë. Elbasani, me vetë bazilikën që prej vitesh nuk kanë vënë dorë njeri dhe vetë Ministria e Kulturës e ka lënë rrënojë,  dhe pastaj gjithë rruga që kalon nga ura e Mirakës deri në kufi, në Qafën e Thanës, dhe me degën më të vjetër, e cila të çon drejt Selcës. Përgjatë kësaj rruge ka edhe gjurmë antike, siç është Manastireci, ku gjendet një kala e shek VI dhe një pikë shumë e bukur, por edhe Ura e Golikut, e cila duhet mbrojtur, sidomos nga thesarkërkuesit injorantë, që i janë qepur e ndonjë ditë do ta hedhin edhe në erë. Ka nevojë për një srategji që aktivizon gjithë rrugën “Egnatia” dhe e bën atë të vizitueshme për turistët. Këtu po flitet shumë për agroturizmin, por nuk ka agroturizëm që shkon njëri apo tjetri për të pirë raki dhe për të ngrënë fërlik, po nuk u shoqërua me vlërësimin e traditës: që ai që shkon atje të shijojë kuzhinën lokale, njëherësh të shohë edhe nga tradita, si në rastin e Selcës, ku kemi një nga majat e kulturës së hershme ilire.

ura.jpg

Edhe në rastin e Selcës kam frikë se do të kantandiset koshoshi, një thelë, dhe kjo praktikë duhet ndaluar, sepse është një ofendim për inteligjencën shqiptare, nisen nga parimi se “shqiptarët nuk dine se ç’pasuri kanë”, “nuk kanë specialistë”, “hajt t’ua bëjmë ne shqptarëve” dhe në fund të fundit llogjika është “hajt t’ua vjedhim paratë”. Ata vjedhin paratë e tyre, por me flamurin shqiptar dhe kjo, besoj, është një ofendim për kombin, por edhe për kapacitet që nuk i kanë munguar ndonjëherë Shqipërisë. /55news.al/

Modifikuar më E mërkurë, 06 June 2018 13:33
Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...