Varrezat ilire në Selcën e Poshtëme, një mrekulli e arkeologjisë ballkanike

E mërkurë, 06 June 2018 13:14

Profesor Nertian Ceka është arkeologu i parë që zbuloi dhe drejtoi punimet në varrezat ilire të Selcës në Mokër, në vitet 1969-1972. Herë pas here ai ka drejtuar projekte për rehabilitimin dhe vijimin e kërkimeve. Së fundi reagoi kundër “investimit” që Ministria Kumbaroi premtoi me 250 mijë euro për rijetësimin e këtyre  varrezave, pasi shikon këtu një rastë të pastër abuziv e korruptiv dhe se ka shuëm gjasa që ato para të BE-së të shpërdorohen e të mos shkojnë në destinacion. Por, çfarë përfaqëson sot Selca e Poshtëme?

Neritan Ceka: "Selca e Poshtme në Mokër është një nga mrekullitë e arkeologjisë jo vetëm shqiptare, por edhe asaj ballkanike. Nuk është rastësisht e tillë, sepse aty kalonte në lashtësi “Via Egnatia” që ndiqte luginën e Shkumbinit, nisur nga Durrësi apo Apolonia, e pastaj dilte në Pogradec, Enkelana e Enkelejve, vazhdonte në Fushën e Korçës, nga shkonte pastaj drejt Selanikut. Në Qukës, ndërsa rruga e vjetër kalonte nëpër luginën e Shkumbinit, e reja, via Egnatia romake, ndryshoi drejtimin,  drejt Qafë-Thanës, për në Lihnid, që është Ohri dhe, në vend që të dilte në jug të liqenit, vijoi në veri të tij. Pse ishte kjo qytezë atje? Ishte sepse ajo kontrollonte trafikun e asaj rruge të rëndësishme pararomake dhe kjo dëshmohet nga gërmimet arkeologjike që janë bërë, nga monedhat, që janë të qyteteve ilire, Durrësit apo Apollonisë, por edhe qytete të tjera të Maqedonisë, Thesalonikut, Pellas etj. Ashtu siç janë gjetur amfora që vinin nga Korinthi, që nga shekulli VI para erës sonë, e gjatë gjithë kohës, pasi vera vinte nga Adriatiku, nga Dyrrahu. Pra, Selca ishte një pikë kontrolli, e cila krijoi edhe një fuqi politike, sepse pikërisht këtu kanë pasur origjinën mbretërit e parë ilirë, të cilët, sipas traditës, varroseshin atje nga vinin të parët e tyre. Siç ndodh me Muzakajt, që, pavarësisht se pushtuan Beratin, varret i kishin në Zerec, në luginën e Sipërme të Devollit, afër Moglicës, në kishën e Shën Mërisë së Bungës, siç e përshkruan edhe Gjon Muzaka.

Pra, duke filluar nga gjysma e dytë e shek IV p. Kr. filloi të ndërtohej varri i parë, i gëdhendur në shkëmb, që ndjek traditën e varreve maqedonase, por ndërsa ato ato mbuloheshin me tuma, në Selcë   kemi një shprehje të krijimtarisë ilire, duke gëdhendur në shkëmb, një varr me arkitekturë jonike. Varri i dytë, i skalitur në shkëmbinjtë e qytetit në fillim të shek. III p. Kr., është luksoz dhe ka formën e një portiku, në të cilin janë gdhendur edhe armët mbretërore. Nga e djathta është mburoja ilire, tipike, me rrathët dhe gjysmë-rrathët. Nga e majta e hyrjes, ishte përkrenarja, e cila ngjan shumë me përkrenaren e mbretit Monun, e cila u zbulua rastësisht gjatë Luftës së Parë Botërore dhe që gjendet sot në Muzeun e Antikiteteve të Berlinit. Në fasadë kemi të bëjme me një varr të zbrazur, për të mënjanuar grabitjen, sepse varri i vërtetë gjendej poshtë tij dhe u zbulua gjatë gërmimeve të vitit 1970 me një numër të madh objektesh.

Varri i tretë është në të djahthë të varrit të parë dhe ka formën e një teatri të vogël. Ai i përket gjysmës së dytë të shek. III p. Kr., kohës kur kalohet nga varrimi me trupa në varrimin me urna dhe ka një dhomë varrimi në dyshemenë e orkestrës së teatrit, kurse sipër ka dy radhë për uljen e personave që merrnin pjesë në ceremonitë përkujtimore. Ai ka qenë zbatuar sipas tipit të teatrit epirot- ilir, në modelin e teatrove të Dodonës e Bylisit. Varri i katër është gjigand, më shumë se 60 metra i gjatë, në kërkim të një shkëmbi të fortë, që më në fund e kanë gjetur në pjesën lindore të fasadës, ku kanë hapur edhe dhomën e varrimit. Në faqet e tjera kanë gëdhendur kamare që dikur kanë qenë të mbushura me skulptura e mbishkrime, të cilat kanë humbur. Ky varr monumental, i cili është i fundit në radhën e varreve shkëmbore të zbuluara deri sot, daton në fillim të shek II para erës sonë, në kohën e ngjarjeve që prekën këtë zonë në periudhën e rënies së shtetit ilir.

Varri i pestë, ndryshe nga këta që përmenda, ka qenë një varr i   ndërtuar me blloqe, edhe ky në formën e varreve maqedone dhe daton nga fundi i shek III, fillimi i shek II p. Kr. Nga gjurmimet arkeologjike dhe gjeofizike të bëra nga ekspedita shqiptare – italiane në vitet 2011-2012  ka të dhëna edhe për varre të tjera, të pazbuluar akoma.  Pra, Selca e Poshtëme është një emër i madh në arkeologijnë shqiptare,  por edhe i muzeologjisë, pasi një pjesë të materialeve që unë kam gjetur gjatë gërmimeve në vitet 1969-1972, janë të vendosura në Muzeun Historik Kombëtar, si p.sh armatimi i një luftëtari ilir, i varrosur atje, si dhe enët që e shoqëronin, terrakota, etj. Ndërkonë që në depot e Muzeut Arkeologjik janë edhe rreth 70-të objekte të tjera, ende të paekspozuara, që një ditë, në rast të një ribërje të Muzeut Kombëtar duhet të ekspozohen të gjitha, për të dhënë idenë e pasurisë e luksit të mbretërëve ilirë të asaj periudhe. Përveç kësaj janë edhe objekte të shumtë të zbuluara gjatë gërmimeve në rrafshin e qytetit, të cilët    krijojnë idenë për jetën që ka shoqëruar mbretërit ilirë. Gërmimet arkeologjike dëshmojnë se Selca ka qenë banuar që nga fundi i kohës së Bronzit dhe gjatë periudhës së hershme të Hekurit, por fillimet e  qytetit datojnë nga fundi i shek. VI para erës sonë, kur vijnë edhe materialet e para të importit, nganjëherë edhe të karakterit luksoz siç është një figurinë prej bronxi që paraqet një atlet, por që njëherësh tregon edhe një shoqëri të zhvilluar. Edhe zbulimet e mëtejshme tregojnë për rëndësinë që kishte ky qytet i Dasaretisë, i cili mund të identifikohet me qytetin Pelion, i përmendur edhe në burimet historike si kryeqendra e mbretit ilir Kliti në vitin 335 p. Kr. Kjo është historia, panorama e Selcës." F. Slatina/55news.al/

Modifikuar më E mërkurë, 06 June 2018 13:34
Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...