Ekskluzive / Ku shkuan 1,3 milionë euro donacione të BE-së për monumentet?

E mërkurë, 06 June 2018 15:58

Neritan Ceka: “Në Apoloni u abuzua me 750 mijë euro, në Finiq me 300 mijë, dhe po t’i shtosh edhe 250 mijë eurot e Selcës,  shkojnë në 1 300 000 euro dhe kjo shumë është e barabartë me fondet që ka Ministria e Kulturës për restaurimin e monumenteve, të paktën për 20 vjet.”

 Në intervistën ekskluzive për « 55news.al », prof. Dr. Neritan Ceka, arkeologu dhe studiuesi i mirënjohur,  dyshon se shuma prej 250 mijë eurosh që do të përdoret për restaurimin e varrezave Ilire të Selcës së Poshtme do të avullojnë dhe për këtë ka parasysh historitë e mëparshme të financimit të projekteve me fondet e BE-së, që, për fat të keq, ka një histori dështimesh e abuzimesh pa fund.

***

A jeni ju profesor, pjesë e Institutit të Arkeologjisë?

Patjetër që jam. Unë e kam bërë ekspeditën e fundit në vitet 2016-2017 në Bylis, në bashkëpunim me arkeologë italianë, si pjesë Institutit të Arkeologjisë. Unë nuk jam armik i qeverisë dhe do më bënin një nder të madh nëse do më konsideronin “armik” (sipas parimit orvellian:me dy këmbë-armikë me katër këmbë-mik). Unë merrem me punët e mija, arkeologjinë. Këtë pjesën politike e kam ndërprerë që kur kam shkuar ambasador. 

A ka pasur IMK një projekt restaurues për Selcën?

Jo, nuk ka pasur. I fundit ka qenë ai që fola më sipër, një projekt i IMK me Institutin e Arkeologjisë dhe Universitetin e Torinos që nisi në 2011 dhe u ndërpre në 2013 nga vetë Kumbaro. Po kjo nuk është një praktikë e re, se sa herë që bëhet fjalë për para, gjenden edhe ata që bëjnë “projektet”. Prandaj dua t’ju them se  nuk është e hera e parë që në Ministrinë e Kulturës bëhet një praktikë cubash. Është bërë në rastin kur BE-ja ka dhënë 750 mijë euro për Apoloninë dhe ju po të shkoni sot atje nuk ka asnjë euro në monumente. Edhe tabelat janë ato të vjetrat. Rrugët ku kalojnë turistët janë rrugët e vjetra. Kanë bërë një investim të marrë, se ka marrëzi e cubllëkt bashkë, dhe do shikoni se dalin ca koka të kuqe nga toka, që demek janë tuba që do funksionojnë në rast se bie zjarr. Dihet fare mirë se nuk ka zjarr mes monumenteve, se ato pastrohen vazhdimisht dhe nuk krijohet mundësi zjarri. Si rrjedhim, edhe ky është një investim injorantësh. Sikur të mos mjaftonte kjo, kanë bërë edhe një parking për makinat që është më shumë se 1 km larg qendrës arkeologjike, si dhe kanë derdhur beton në themelet e monumenteve, kur nuk e ka parë njeri projektin dhe s’dihet përse e kanë bërë atë punë. Po ashtu kanë lyer me të bardhë dhe kanë prishur sfondin dekorativ të portikut të Apolonisë, ku kanë qenë të ekspozuara skulpturat dhe tani duket sikur je në një stallë lopësh… Kanë pastruar me letër zmerile kishën e Apolonisë dhe e kanë bërë sikur të jetë ndërtuar dje. Një gjë që nuk shkon për monumentet që janë në natyrë. Pastrohen vetëm monumentet që janë në smog, sepse smogu, në kontakt me lagështirën, kthehet në acide dhe gërryen elementet arkitektonikë. Në Milano, p.sh. Duomo është pastruar, por nuk pastrohen kishat, që janë në ajër të pastër. Po me këtë metodë cubash kanë vepruar edhe në Finiq, kanë derdhur tonelata me çakull për të bërë një rrugë më shumë se 1 km të gjatë, të rrethuar me parmakë të holla pishe, që janë shumë të kushtueshëm, në një kosto 300 mijë euro dhe asnjë euro nuk ka shkuar në objekt. Pra kemi një rrugë ku duhet të kalojnë turistët, por që nuk shikojnë asgjë, sepse monumentet e mbuluara me llamarina dhe dërrasa nuk janë restauruar. Nuk është restauruar Tezaurosi i famshëm, megjithëse projekti është relativisht i plotë, sepse arkeologët kanë bërë një studim të plotë të tij. Po ashtu nuk është ngritur shtëpia e dy peristileve, që edhe ajo e ka rikonstruksionin. Të paktën një pjesë e saj mund t’i paraqitej publikut, sikurse mund të restaurohej edhe një pjesë e teatrit, apo godina të tjera përreth. Shembujt mund të vazhdojnë por mund të them se janë 1 milionë euro vetëm në Apoloni dhe Finiq, dhe po t’i shtosh edhe 250 mijë eurot e Selcës shkojnë në 1 250 000 euro dhe kjo shumë është e barabartë me fondet që ka Ministria e Kulturës për restaurimin e monumenteve, të paktën për 20 vjet. Dhe këta nuk janë të parët. Duket se ka një grup që ndikon prej kohësh Ministrinë e Kulturës, se kjo aventurë nuk varet se është PS në pushtet apo PD. Në kohën e PD-së 1.5 milionë euro u harxhuan për Muzeun Historik Kombëtar, si dhuratë e qeverisë spanjolle, por me parullën “shqiptarët nuk janë të aftë të bëjnë muze”, një parullë që e ka në gojë edhe ministrja e sotme. Atëherë sollën një komision prej specialistësh të huaj, bënë dy projekte me firma të huaja, me kontraktorë shqiptarë, një që do provonte se sa i qëndronte tërmeteve MHK dhe tjetri nëse kishte azbest Muzeu. Secili prej tyre me rreth 300 mijë euro dhe kështu avulluan 600 mijë euro. Komisioni nga Europa mori disa mijë euro, një institucion europian, nuk e di a është më apo jo, mori edhe ai pjesën e vet dhe u katandis kokoshi një thelë. Edhe në rastin e Selcës kështu do të katandiset koshoshi, një thelë, dhe kjo praktikë duhet ndaluar, sepse është një ofendim për inteligjencën shqiptare, kur financuesit nisen nga parimi se “shqiptarët nuk dine se ç’pasuri kanë”, “nuk kanë specialistë”, “hajt t’ua bëjmë ne shqiptarëve” dhe në fund të fundit logjika është “hajt t’ua vjedhim paratë”. Ata vjedhin paratë e tyre, por me flamurin shqiptar dhe kjo, besoj, është një ofendim për kombin, por edhe për kapacitet që nuk i kanë munguar ndonjëherë Shqipërisë”. F. Slatina/55news.al/

***

Shënim Prof. Neritan Ceka:

Mendoja se ky stil pune është zbatuar vetëm në arkeologji, por më lejoni t’ju paraqes një tablo të përshkruar nga Ylli Manjani në “Vlora News”, 13.04.2018:

“ Nuk di asnjë projekt infrastrukturor të tenderuar, realizuar dhe mbikëqyrur nga Delegacioni i Bashkimit Europian që:

– të ketë mbaruar në kohë,

– të jetë i cilësisë së lartë siç bëhet në hapësirën e BE.

Asnjë kompani me emër në BE nuk di të jetë përzgjedhur për të kryer punime ndërtimore! Asnjë! Vetëm anonime dhe me partnerë lokalë…  

Shembuj projektesh cilësisht të këqija ka plot. Po ju sjell në vëmendje disa:

– kanalizimet e Golemit, jo funksionale. Ne fakt hyri uji i detit në tuba sapo u vunë në punë.

– kanalizimet e Vlorës, nuk funksionuan. Impianti i bë e u vodh disa here pa u vënë në punë.

-Kanalizimet në Velipojë e Shëngjin, jo funksionale dhe cilësisht të dobëta.

– ujërat e Zeza Ksamil, defektoze.

– lungomarja ( që u bë lungo pare), defektoze.

– pedonalja tek rruga “Murat Toptani”, është për faqe të zezë. Pllakat e gurit lëvizin si tastiere makine shkrimi.

Nuk po llogaris këtu sasinë e jashtëzakonshme të parave që Delegacioni i BE në Tiranë ka harxhuar për asistencë teknike!

Me aq para duhet të kishim blerë gjithë shkencën e botës. Në fakt u blenë thashethemaxhinj nga e gjithë bota, ndaj këtu vetëm llafet ngelen…

Këto ishin para të dhuruara nga taksapaguesit e BE, të cilëve sinqerisht u jemi mirënjohës! Po nuk e di a duhet t’u jemi mirënjohës zyrtarëve të tyre që i administruan si deshën! Në shumë raste na është dashur të dublojmë investimet me para të buxhetit të shtetit tonë të varfër, për të mbuluar cilësinë e dobët të Delegacionit të BE!

Nuk akuzoj askënd, por një gjë e di mirë: kur këto gjera i bëjnë shqiptarët, Delegacioni dhe ambasadorët nuk ngurojnë ti quajnë “Të Korruptuar”!

E bëjnë këtë gjë pa teklif dhe në dhunim të plotë të parimit të Prezumimit të Pafajsisë!

Sidoqoftë kalit të falur, nuk ja shajmë dhëmbët! Por, kjo nuk do të  thotë që të mos ja shohim këmbët!

Modifikuar më E mërkurë, 06 June 2018 16:02
Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...