1974/Pushkatimi i 24-vjeçarit Sokol Sejko në Berat, si u falsifikua hetimi

Premte, 05 Prill 2019 18:27
Në foto eksperimenti hetimor dhe shkrepsja e pretenduar se do digjta kombinatin "Mao Ce Dun" Në foto eksperimenti hetimor dhe shkrepsja e pretenduar se do digjta kombinatin "Mao Ce Dun"

Nga Kastriot Dervishi

Fotografia bashkëlidhur është eksperimenti hetimor i zhvilluar për gjoja “aktin e diversionit”, sikur kjo vajzë 15-vjeçare tekstiliste do digjte objektin e industrisë komuniste. Dy dërrasa e pak pambuk ishin nxirë aksidentalisht më 22 prill 1973 në një nga mjediset e Kombinatin e Tekstileve “Mao Ce Dun” në Berat, ndërsa vajza ishte prangosur se kishte dashur “të digjte kombinatin”. Në mjedise të kombinatit, vende ku mblidheshin masivisht njerëz, filloi të pëshpëritej gjithnjë e më shumë nën zë e mbi zë se pas kësaj ngjarjeje qëndronte Sokol Teme Sejkos (i vitlindjes 1950) pasi ai kishte të dashur, vajzën Fëllënxa Lundra. Dashuria e të rinjve ishte e vetmja e vërtetë e kësaj historie. Sokoli, punëtor në kombinat, merret nga Sigurimi në përpunim paraprak më 30.4.1973 për “diversion në ekonomi” nga punëtori operativ Abedin Çaushi. Nga gjurmimi nuk del asgjë. Hartohen gjithë ato plane, por asnjë fakt nuk del rreth akuzës. Ndërkohë edhe Thëllëza përpunohej në kushte arresti. Nga kampi i grave nr.318 i Qytetit Stalin (Kuçovës) dërgohet me legjendim e dënuara për vjedhje, bashkëpunëtorja e Sigurimit “Flutura”. Kjo dërgohej në Berat gjoja për hetime. Pavarësisht se provokohet shumë herë, nuk rezulton të kishte ndonjë akt të porositur. “Flutura” e pyet dhe provokon vazhdimisht vajzën, për të nxjerrë diçka, sipas vijësjelljes që ka marrë, por asgjë e vlefshme nuk del që të ketë lidhje me djegien e kombinatit. Ja çfarë debati zhvillohet në qeli më 28.5.1973 midis bashkëpunëtores dhe të arrestuarës:

-“Flutura”: Po u dogj fare pambuku atje?

-Thëllëza: E shuajtëm fare moj.

Sokoli arrestohet më 3.6.1973. Dosja hetimore në ngarkim të Sokol Sejkos ka pikësëpari detyrën të përmbysë atë që ka dosje formulare në të cilën nuk del asgjë që të provonte akuzën e ngritur. Sokol Sejko nuk pranon asnjë akuzë, por as nuk ka frikë të shpreh bindjen e veta. Midis të tjerash shprehej:

“Unë nuk e dua këtë parti e këtë pushtet qysh nga koha që mua nuk më dhanë të drejtën të ushtroja një zanat. Ndaj tyre kam ushqyer urrejtje e hakmarrje. Kam mbajtur shpresë në ndërhyrjen e forcës amerikane në Shqipëri për të ndryshuar gjendjen ekonomike, të përmbysnin pushtetin që është në Shqipëri për të ndryshuar gjendjen politike dhe të vendosnin pushtetin sipas modelit të tyre”.

Me vendimin nr.12, datë 26.1.1974 Gjykata Popullore e Beratit e deklaroi fajtor e dënoi Sokol Sejkon me pushkatim të akuzuar në bazë të neneve 64 e 76 të Kodit Penal me vdekje dhe në bazë të neneve të tjera 70 e 73 me burg. Përfundimisht e dënoi me vdekje. Dy të tjerët që u përfshinë kot në proces u dënuan me nga 25 vjet dhe 20 vjet. Thëllëza u dënua me 6 vjet burg.

Sokol Sejko refuzon të kërkojë falje. Në mungesë të tij, gjyshi dhe familjarë të tjerë i drejtohen Gjykatës së Lartë. Por kjo e fundit, e la në fuqi, me vendimin nr.176, datë 9.2.1974. Edhe Presidiumi i Kuvendit Popullor refuzoi t’i falë jetën.

Sokol Sejko u ekzekutua më 6.3.1974, ora 24.00, “në vendin e caktuar”. Në fjalët e fundit të tij deklaroi:

“Nuk kam shumë gjëra për të thënë, ashtu siç nuk më takuat kur unë isha 9 vjeç me babain tim kur ai u ekzekutua, po ashtu nuk më takuat edhe mua me njerëzit e familjes time. Afrohuni edhe pak edhe shtini”. Ishte vetëm 24 vjeç. Urdhër pushkatimi ndaj vetes më parë kish dhënë vetëm Themistokli Gërmenji.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...