DREJT NJERIUT TJETËR?!

Saturday, 02 Mars 2019 17:23

Nga Qemal SAKAJEVA

Qe mbrëmje e ngrohtë dhe fëmijët vërsnikë ishin mbledhur  së bashku, por për të mos luajtur  luftash, kukafshehtas, rrasash e mënyra të tjera, cepave të betonizuar ndërmjet  shumëkatshesh të Tiranës. Në një rrugicë të Bllokut, mbi një mur të ulët veshur me pllaka qeramike, ndoshta dhjetë fëmijë me celularë ndër duar qenë renditur  mbi të si  zogjtë në degë, dhe nuk pushonin së çukituri mbi ekranet e  vegjël shoqëruar me grimasa të pavullnetshme.

Lojërat e rreme i shtyjnë me shpejtësi kah harrimi i lojërave të vërteta.

Ky është  i pari brez ndër ne që thënien “hape librin!” e ka zëvendësuar  me “hape celularin” ose “hape kompjuterin”.  Ajo çfarë kanë në përdorim në përditshmërin e tyre, që përbën tashmë diçka krejt të zakonshme edhe pse janë kapërcyer përrallat, ka nxitur ankesa të pandërprera e krijuar shqetësime serioze te prindërit e gjyshërit në tërësinë e shoqërisë për  shëndetin mendor, shpirtëror e fizik të fëmijëve dhe adoleshentëve. Edhe një autor  shumë i njohur si shkrimtari  italian Umberto Ecco, në esenë e vet të shkurtër Brezi i jashtëtokësorëve, botuar në L ‘Espresso, në të cilën i referohej filozofit francez Michel Serres, rreth një shkrimi të tij botuar në Le Monde,  shprehej se fëmija italian rritet pa parë kurrë me sy lopë, derr  a pulë, përveçse virtualisht. Mbase, ende ruan të vërteta shkencore bilogjike, një informacion shkencor i publikuar nga fundi i shekullit të kaluar, që bënte me dije se,  fëmijët  e kohëve tona kanë informacion të pamatë, por nuk lindin më të zgjuar se fëmijët e ardhur në jetë  15 000 vjet më parë.

Por, ata fëmijë të përpirë nga bota që lëvizte me magjinë e prekjes në ekranin e vocërr m’u përa syve të tyre, ma kthyen  mendjen pas, në vitin 1961, gati në moshën e tyre, në një rrethanë biologjikisht e intelektualisht të ngjashme. Në Teknikumin Bujqësor të Fierit, profesore Naxhie Cakrani bënte përshtypje se ishte e dyta femër e qytetit që ngiste biçikletë. E treta pas saj qe gjermania Waltraud Tunger- Bejko, e  martuar në Shqipëri në vitin 1959, e cila përdorte një biçikletë grarishte  Diamant, Made in DDR (Prodhuar në DDR - Republika Demokratike Gjermane).  Naxhies së pashme dhe shumë energjike  ia kishim vënë  nofkën Aksinja, personazh kryesor femër i romanit Doni i Qetë të Mihail Shollohov, portreti i së cilës më shumë se nga libri na kishte mbetur në mendje prej filmit sovjetik me të njëjtin titull, ku rolin e Aksinjës e luante artistja Elena Bistrickaja, të cilës mësuesja  i përngjante shumë.

Një ditë ajo tha se do të merrte lejen e lindjes dhe për pak kohë u zëvendësua nga  A. Jorgaqi. Aleksandri erdhi me një mënyrë tjetër mësimdhënie. Që ditën e tretë i nxori nxënësit nga klasa në fushë, t’i shihnin me sy, t’i preknin me duar e të bashkëvepronin me sendet. Orën pasuese  i  la të lirë, ndërsa  vet  u skajua te një trung  i gjatë si asht gjigant në mezhdë të ngastrës, i zhvoshkur lëvoresh  nën përcëllimin e diellit, zbrujtur prej shirave, rrudhur nga ngricat, kalbur e bërë pleh nën të. Pasi zuri vend nxori prej çantës së lëkurës një tufë fletësh të daktilografuara dhe nisi të lexojë. Dikur, një prej nxënësve kureshtarë, iu avit pa droje duke i pëshpëritur : ”Mësues,  a mund të lexoj dhe unë?” Ai ia përcolli fletën dhe djali u ul ngjitur me të. Kur e përfundoi dhe ndër duar mori fletën e dytë, një tjetër nxënës  kishte zënë vend  pranë tij. Faqja pasuese kaloi te i treti,  pastaj te i katërti, i pesti  dhe, kur profesori pati përfunduar faqen e 25-të, krah tij e  bashkë me të qenë renditur në heshtje të 24 nxënësit, që nga rrënja e deri te kreu i trungut, siç rrijnë zogjtë në degë. Ajo çfarë ata lexuan ishte novela e famshme Letra e një të panjohure e  Stefan Cvajg, e përkthyer nga i vëllai i tij.

Pikërisht te krahasimi shfaqet problemi: fëmijë të dy brezave, me gjysmë shekulli ndërmjet, renditur njëlloj si qënie biologjike, humane  e sociale, por me sjellje skajshmërisht të ndryshme. Ne i  përpinim  mendimet në letër e me to krijonim përfytyrime, këta mbërthehen nga  virtualja dhe u duhet të përfytyrojnë tokësoren. Ne të atëhershmit nuk e kishim  të rrejshmen, këta të sotmit arratisen nga realja. 

Papa Francesku, i preokupuar  për  të ardhmen e Botës dhe rreziqeve që vijnë prej  tjetërsimeve të pakthyeshme, ka shpallur 10 Urdhëresat. Në urdhëresën e 7-të thuhet:  Mos zëvendësoni marrëdhëniet e vërteta me ato online. “Marrëdhëniet e vërteta tani kanë tendencë të zëvendësohen nga një lloj komunikimi virtual që na bën t’i shmangim dhe eliminojmë ato të vërtetat”. Madje ka filluar edhe krijimi i infrastrukturës qytetëse  për  “të lajthiturit” me smartphone në dorë, ngaqë kanë  ndodhur edhe  aksidente të rënda.  Në qytetin  Antverpë të Belgjikës është vënë  në  përdorim udha e parë në Europë  për njerëzit që duke ecur shkruajnë mesazhe në telefona cerluarë, apo përmes tyre futen në internet. Kjo është emërtuar në anglisht  Text walking line, emërtim që është vulosur me ngjyrë të bardhë mbi pllakat e trotuarit. Diçka e ngjashme  pati  nisur së pari në korrik të vitit 2014 në Uashington të SHBA, me nismën e kanalit televiziv National Geographic, që u pasua në muajin shtator në qytetin Chongqing të Kinës, duke e quajtur Foreigner street (Rrugë e të  huajit). Urdhëresa e 6-të e Papa Franceskut, rreth kësaj sjellje masive të njerëzve, numri i të cilëve në Botë ka arritur në 7.2 miliardë banorë, por që zotërojnë 7.5 miliardë telefona celularë, porosit: Mos u bëni skllevër të smartphone-ve tuaj: “ Dija e vërtetë nuk kërkohet nga akumulimi i të dhënave të shumta në një celular, gjë që na çon në konfuzion dhe në një lloj ndotjeje mendore”.

A mos po shkohet drejt njeriut tjetër?!

Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...