Me qenë polic...

Tuesday, 19 Mars 2019 15:05

Nga Eden Babani, Bruksel

Pas protestës së parë të madhe të opozitës, asaj të 16 shkurtit të shkuar, nuk di përse më mbante një shpresë e vagët për një reagim spontan ndërgjegjeje në radhët e Policisë së Shtetit ndaj dhunës së ushtruar mbi protestuesit. Madje, teksa kujtoja hapjen e qëllimshme të kordonit policor për të tërhequr te shkallët e Kryeministrisë një grusht protestuesish të dhunshëm, guxova të pyesja edhe nëse ata policë kishin apo nuk kishin ndërgjegje qytetare. A thua të kenë qenë “uniforma në detyrë”, përpara se me qenë qytetarë? A thua t’u ketë shkuar mendja se familjarë, të afërm, shokë e miq të tyre mund të ishin ndodhur mes protestuesve. A thua të kenë menduar qoftë edhe për një çast të vetëm se do të përgjigjeshin përpara ligjit fizikisht dhe para Zotit moralisht, nëse do të kishte pasur viktima?

Ç’të kishin qenë, vallë, njerëz apo robotë të programuar?

Përplasja në afërsi të shkollës “Petro Nini Luarasi” mes “uniformave në detyrë” dhe  koleges së tyre të Shqiponjave, Blerta Dervishi, teksa kjo përpiqej të mbronte pronën e saj, më bënë t’i rikthehesha sërish shpresës sime të vagët. Ndokush nën uniformë do të kishte pasur rastin të mendonte edhe për familjen edhe për veten e vet.

Me një mori dyzimesh të tilla, dy a tri ditë përpara protestës së dytës, asaj të 16 marsit, mora guximin të shprehesha publikisht përmes shkrimit: “Ka ardhur koha që edhe policët t’i thërrasin mendjes”.

Mirëpo paskësha qenë i gabuar. Ndodhitë e së shtunës së shkuar ma zhbënë  shpresën, më bindën se shpresa ime paskësh qenë jetëshkurtër. Dhuna policore e asaj dite, pa ndonjë shkak qenësor, ishte më shumë sesa dëshpëruese.  Nuk u hodhën gurë në drejtim të forcave policore. Por edhe nëse u hodh ndonjë i rrallë, siç pretendohet, të lënduar nuk pati. Nuk u thye asnjë xham, nuk u shkul asnjë fije bari, teksa paralelisht me protestën e Tiranës, në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën orë, Parisi i largët përflakej nga djegia e pronës publike dhe asaj shtetërore.

Pas pamjeve të drejtpërdrejta televizive të së shtunës nga Parisi i ndezur , të dielën në mëngjes, stacioni i këtushëm televiziv RTBF, jepte pamje nga ajo çka kishte lënë protesta e tetëmbëdhjetë e jelek-verdhëve në Shans-Elizenë (Champs-Elysés) e famshme. Dyqane luksoze të plaçkitura, dritare vitrinash të thyera, ndërtesa të nxira nga djegia, fasada të njollosura. Ekipet e pastrimit gjithnjë në punë, edhe se kishin kaluar thuajse 24 orë. Dëmi pritet të jetë i konsiderueshëm, raportonte RTBF.

Po në Tiranë?

Në kryeqytetin tonë të pacenuar nga flakët e nga djegiet, ku nuk u thye as edhe një xham dyqani, ku nuk u llangos as edhe një fasadë muri, spikati ankesa e Kryetarit të Bashkisë, i cili u qante hallin pastruesve të qytetit se do të punonin “atë ditë pushimi” për të mbledhur ndonjë kanoçe, apo shishe uji të hedhur andej-këtej. Hë, se mend  harrova, Të mblidhnin edhe granatat e prodhimit serb, me të cilat policia shpërndante gaz lotsjellës.

* * *

Orën e parë të protestës, gjithë nën ndikimin e shpresës së vagët se do të ngrinte krye shpirti qytetar në radhët e Policisë së Shtetit, ngopesha shpirtërisht ndërsa  shihja një qytetar nga mijëra qytetarë të tjerë protestues, tek u dhuronte shishe me ujë policëve të bërë gardh rreth e qark Kryeministrisë. Dikush e pranonte “dhuratën-ujë”, dikush jo. Ai që e pranonte, them se duhet të gjendej nën efektet e reflektimit si qytetar. Them se brendapërbrenda tij po triumfonte qenia qytetare ndaj qenies “uniformë në detyrë”. Sinjali, ndonëse spontan e i pandërgjegjshëm, ishte kuptimplotë. Mbase ai vetë, domethënë “uniforma në detyrë”, nuk e kuptonte çka po i kumtonte publikut që ndiqte protestën përmes valëve televizive.

Unë e kuptova dhe u ngopa. Lus ta kenë kuptuar edhe plot të tjerë sikundër unë.

Kishte edhe nga ata që nuk e pranonin bidonin gjysmëkilësh të ujit. Qëndronin të drunjtë përpara “dhuruesit”, a thua se po i vëzhgonte shefi me dylbi për së largu. Për mua, ishte e qartë. Brendapërbrenda tyre, kishte triumfuar njëherë e përgjithmonë qenia “uniformë”, ndaj qenies qytetar. Më shumë sesa njerëz, ata qenkëshin  shndërruar tashmë në robotë të programuar ndaj çdo lëvizjeje, edhe asaj më të voglës. Sjell në kujtesë pamjet përpara Parlamentit. Robotët nën skafandra, veç ngrinin shkopin e qëllonin ose lëshonin ujë nën presion ndaj kujtdo që u afrohej. Edhe ndaj atyre që guxonin të ndihmonin të lënduarit.

* * *

Polici është njeri i nderuar.

Kështu thuhet dhe kështu duhet të jetë. Polici e ka jetën në rrezik. Atij i duhet të jetë i përgatitur orë e çast, gjatë orarit të punës e me uniformë ose gjatë kohës së lirë e pa uniformë. I duhet sepse ia lyp profesioni , sepse mund të përplaset papritmas me vrasësin, me hajdutin, me të marrin, me të dehurin, me prishësin e rendit publik... Shkurt, me të keqen, me keqbërësin.

Thuhet gjithashtu edhe sikur ka qenë në traditën e familjeve fisnike që njërin nga djemtë ta përgatisnin për rrobën ushtarake, në mbrojtje të lirisë ose të rendit. Kështu, nga Ishujt Britanikë, deri në Urale, (së paku), dhe prej Vendeve Nordike, në ato Mesdhetare. Kanë qenë kohë luftërash dhe pushtimesh, pa vendi duhej mbrojtur. Duhej mbrojtur edhe rendi, sigurisht.

Thuhet, më në fund, sikur kjo traditë tepër fisnike gjallon ende në vendet me demokraci të kultivuar. Gjallon sot e gjithë ditën, ama falë funksionimit të shtetit e të ligjit, jo falë urdhrave të verbër të njerëzve të papërgjegjshëm që i fshehin forcat policore edhe në vende të shenjta, siç janë ato të kultit.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...