Dy caqet e pashmangshme të normalizimit

E mërkurë, 30 May 2018 17:38

Nga Qemal SAKAJEVA

Ajo për të cilën Serbia përpiqet të  detyrojë faktorin ndërkombëtar perëndimor është që, në çështjet e brendshme të Kosovës, e drejta e Beogradit të jetë e barabartë me të drejtën e Prishtinës.

Ajo  para  të cilës Kosova nuk epet është  që të mos lejojë jetësimin e mendësisë kolonialiste serbe  që,  e drejta shtetformuese e Serbisë në Kosovë të jetë e barabartë me atë të shtetit të Kosovës.

Kjo vlen të jetë e qartë nga çdo shtet dhe politikan, sepse ndodh që, pas kaq vitesh nga lufta, thuhen deklarata që përfshijën idera të barazimit të vrasësit me viktimën, të popullit të çliruar me pushtuesin e dikurshëm.  Vite më parë,  ministri i punëve të jashtme të Sllovakisë, ish-bashkëpunëtor në BE i Catherine Ashton, qe përpjekur të karakterizonte frikën e të dy vendeve duke thënë: “Pala kosovare është e frikësuar që të mos krijohet një mekanizëm, i cili do të bllokonte funksionimin e Kosovës. Ndërkaq, pala serbe ka frikë që komuniteti serb të mos jetë i privuar nga të drejtat e tij”.

Nëse flasim për frikë, droje a ngurim, kjo ende hetohet vetëm te njëra palë - Kosova. Gjithë historia  e pasluftës dhe e paspavarësisë  është një vuajtje e pafundme e shtetit të ri nga politika e Beogradit, i cili lufton me të gjitha mjetet - përveç armëve - të transplantojë në shtetin e Kosovës kolonializmin e dikurshëm serb me fytyrë tjetër, i emërtuar me terma të kohës së paqes. Shqiptarët, që mundën të prekin lirinë, pavarësinë dhe shtetin e përbashkët me pakicat që jetojnë aty, e dinë se lejimi i dorës së  zgjatur serbe në territorin e Kosovës, do ta dështonte shtetin, do ta  zhbënte pavarësinë, do t’i tjetërsonte sakrificat në asgjë.

Po, kjo është frikë.

Dhe është frika e viktimës.

Ajo nuk shfaqet nga ndijimet e së shkuarës, por bëhet e rrokshme, kur shqiptarët shohin Serbinë që mëton të kthehet aty përsëri, të fitojë terren të gjithanshëm përmes bisedimeve.

Nëse flasim për frikë të palës serbe, se ajo druaka që Kosova do t’ua privojë të drejtat pakicës së saj, kjo lloj tute është e paqenë në terren, e hamendësuar nëpër thënie politikanësh radikalë dhe sajim i pastër si strategji, për t’i  barazuar të dy frikat: njëra - e vërteta - që vjen nga kanosja e pandërprerë mbi të njëjtën viktimë,  dhe tjetra - e pavërteta - si aktrim i po atij vrasësi.

Por të drejtat e serbëve të Kosovës janë të garantuara pesëfish:

E para, ato i siguron Plani Ahtisaari, të cilin Kosova e ka pranuar me kompromis shembullor dhe pa kushte.

E dyta, ato i siguron shteti i Kosovës, pasi ai është i detyruar të veprojë sipas kushtetutës së vet,  në të cilën pakica serbe  zotëron të drejta shtetformuese, si në asnjë shtet tjetër të Europës ku ka pakica.

E treta, ato i siguron vëmendja e  posaçme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, si pjesë e lirisë së këtij vendi.

E katërta, ato i siguron e drejta e Serbisë për t’u kujdesuar për pakicën e vet në Kosovë.

E pesta, gjatë bisedimeve shihet të ngjizet garancia - kompromis shumë i madh i Prishtinës - me pranimin e krijimit të Bashkësisë së Komunave Serbe, zhvillim aspak i lehtë për palën shqiptare, e cila, edhe për hir të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, e interpreton si krejtësisht brenda Planit Ahtisaari dhe kushtetutës.

Ajo për të cilën Serbia shkon deri aty sa, siç ka deklaruar dëshpërimisht dikur Ivica Daçiç se, “Bashkësia ndërkombëtare është në anën e Prishtinës dhe ne kemi mbetur vetëm”, dhe  se në Perëndim Serbia nuk ka më asnjë mik, s’ka të bëjë me frikë për të drejtat e garantuara pesëfish, si në asnjë shtet tjetër të perëndimit. Por Beogradi kërkon të ketë autonominë e Bashkësisë së Komunave Serbe brenda shtetit të Kosovës, me të drejta legjislative dhe ekzekutive. Edhe për mospasje të miqve në perëndim, nuk është ashtu: Serbia është favorizuar nga Bashkimi Europian në hapjen e bisedimeve si asnjë vend tjetër, ndërsa presidenti i Këshillit të Europës Donald Tusk, gjatë vizitës para pak kohësh në Beograd, shqiptoi atje një kompliment të pazakontë - madje çuditërisht tejet hiperbolizues (!) - duke thënë: “Serbët në politikë janë aq krativë sa ka qenë Nikola Tesla në shkencë”.

Lufta në Kosovë nuk u bë për të ndërtuar dy shtete në një territor të vogël, por për të pasur një shtet, vetëm Republikën e Kosovës. Ajo për të cilën  Kosova nuk duhet të dorëzohet kurrë është që, të mos lejojë ndarjen e territorit me shpikjet kolonialiste të Beogradit. Kosova, për çështjen e veriut dhe të komunave me shumicë serbe, e ka hedhur hapin, ashtu siç pati bërë në Rambuje të Francës duke e pranuar marrëveshjen. Beogradi atëherë nuk e firmosi marrëveshjen dhe pasoi lufta, siç po ata radikalë, tashmë të rikthyer në pushtet, nuk duan të njohin pavarësinë, dhe si pasojë  Serbisë duhet t’i bllokohen proceset integruese për faj të saj.

Brenda vetë Serbisë ka krah politik që e ngre zërin për dy çështje të mëdha: Beogradi të pranojë që në jug ka fqinj shtetin e Kosovës dhe interesat e Serbisë të mos u lihen peng 100 000 mijë serbëve, që i kanë të gjitha të drejtat në shtetin e tyre të ri.

Flitet  në media për një plan të ofruar Beogradit, të cilin Alaksandër Vuçiç e pati përcaktuar “shumë i keq për popullin serb”, dhe, sipas tij, kjo është “një situatë dramatike” për Serbinë. Nëse ka një plan, por ende i pa nxjerrë në dritë, ai së pari dhe së mbrami duhet të jetë varrosës i kolonializmit dhe pushtimit paqësor serb: Mosndarje e Kosovës dhe njohje e Pavarësisë.

Rruga e normalizimit kalon vetëm nëpër këto dy caqe.

Modifikuar më E mërkurë, 30 May 2018 19:15
Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...