1983/Letra drejtuar Enver Hoxhës nga Qafë Bari: Ja si na rreh e torturon Edmond Caja në kampin e shfarosjes

Hënë, 08 Prill 2019 18:17

Nga Kastriot Dervishi

Agron Çipllaku ishte fare i ri kur u arrestua, vetëm 16 vjeç i burgosur. “Pushteti popullor” e dërgoi me akuzë të rëndë në sallën e gjyqit. Pa asnjë dallim për shkak të moshës, kaloi procedurën përkatëse së bashku me një shok tjetër. Ata ishin:

-Agron Bajram Çipllaku, lindur në Fier më 24.11.963, u arrestua më 2.4.1980.

-Durim Ferat Delibashi, lindur në Fier më 6.7.963, u arrestua më 3.4.1980.

Gjykata Popullore e Rrethit Fier e kryesuar nga Thimjo Kondi, duke pasur pranë prokurorin Nebi Shkëmbi, me vendimin nr.130, datë 4.6.1980 i deklaroi fajtorë me akuzën e agjitacionit e propagandës si dhe të tradhtisë ndaj atdheut të mbetur në tentativë dhe i dënoi Agronin me 11 vjet dhe Durimin me 10 vjet heqje lirie.  Agroni niset ta vuajë dënimin në Spaç. Pas e vjetësh dërgohet në Qafë Bari. Vetëm një muaj nga qëndrimi këtu, i shkruan Enver Hoxhës për kushtet e këqija. Më 5.3.1983 Enver Hoxha lë shënim në letër se duhej kontroll i rreptë në burgje e kampe e se duheshin marrë masa ndaj atyre policëve e drejtorëve po të ishte kështu. Ramiz Alia thërret prokurorin e përgjithshëm, Rrapi Mino, i cili më 8.3.1983 kryen një inspektim në Qafë Bari. Në raportin e datës 12.3.1983 për sekretarin e KQ të PPSH-së, Ramiz Alia, Rrapi Mino thotë se ka gjetur shumë nga elementët e letrës së të dënuarit në fjalë. sipas raportit, i dënuari i letrës, Ahmet Tufa dhe Bajram Dervishi ishin thirrur nga komandanti i togës së policisë (Edmond Caja), duke iu kërkuar llogari për moszbatimin e normës e duke i fyer rëndë. Pas largimit të tij, policët i kishin rrahur. Ndërsa komisari i kampit Novruz Naska, nuk pyeste as për prokurorin e përgjithshëm, por i deklaronte se kishte të drejtë t’i mbante të dënuarit 16 orë në punë. Pasi kaloi kjo çështje, asnjë masë nuk u mor ndaj Edmond Cajës dhe personave të tjerë. Madje u graduan.

Letra dërguar diktatorit

Zotit Enver Hoxha. Jam i detyruar t’ju shqetësoj me anën e kësaj letre, thjesht për punë personale. Jam i dënuar për faje penale (me) 11 vjet heqje lirie në moshën 16 vjeç në vitin 1980. Tre vjet dënimi të vuajtjes i kam kryer në kampin e Spaçit. Megjithëse mosha ime e vogël dhe gjendja shëndetësore jo e mirë, unë atje kam punuar dhe nuk jam bërë shembull i keq kurrë. Thëniet e mia vërtetohen se gjatë kohës së qëndrimit në Spaç nuk është marrë asnjë masë disiplinimi dhe e kam realizuar normën. Më datën 23 janar (1983-shënim) unë transferohem në kampin e Qafë Barit. I shtyrë nga rrethanat e këtij kampi po detyrohem t’ju vë në dijeni kushtet e punës në përgjithësi janë të tmerrshme. Unë nuk jam i aftë t’ju shpjegoj në hollësi por po prek ato më kryesoret. Frontet e punës në minierë ku punojmë janë të mbytura me ujë. Frontet e punës nuk janë bë gjendjen pune. Nuk gjendet mineral për të realizuar normën e detyruar. Detyrohemi me forcë për të punuar në hapësirë në kundërshtim me rregulloren e sigurimit teknik, ku na rrezikohet jeta çdo sekondë. Prezenca e ujit në frontet e punës që e vështirëson realizimin e normës nuk merret parasysh. Edhe kur nuk ka mineral, policia (d.m.th. Edmond Caja-shënim) thotë dua normën, gjeje ku të duash. Banjot për t’u larë kur mbarojmë punën funksionojnë me ujë të ftohtë për mungesë të lëndës djegëse. Kjo është minierë piriti që trupi futet e lahet vetë me ujë të ngrohtë, ndryshe nuk del pisllëku. Banjot janë jashtë dhe po të bësh dush me ujë të ftohtë merr plevitin. Ushqimi që na është garantuar nuk na jepet në rregull. Nga vidhet ose shpërndahet, unë nuk e di këtë. Si rrjedhim i të gjithë këtyre faktorëve, norma është e parealizueshme dhe ky është fakt se mbi 80% e të dënuarve nuk e realizojnë normën. Për mendimin tim, fajin e ka personeli inxhiniero-teknik që e kanë katandisur minierën në këtë gjendje dhe drejtoria e ndërmarrjes që janë dhe do të jenë përgjegjës për të gjitha pasojat që do të ndodhin. Në qoftë se do të vihet dorë, komanda e repartit duke u ndodhur përpara këtyre vështirësive dhe e paaftë për të zgjidhur gjërat me bindje dhe në rrugë partie, ka futur dhunën dhe terrorin në kamp, duke rrahur çdo ditë të dënuarit me kamxhik në mënyrë çnjerëzore. Shkel çdo ligj, çdo të drejtë njerëzore. Na lënë dy turne në galeri, na heqin zvarrë nëpër galeri dhe na rrahin pa mëshirë. Disa të dënuar kanë mbetur me të meta fizike nga kamxhiku-zorra e trashë- siç e quaj policia. Unë vetë jam një nga ana që dënuar që jam rrahur në mënyrën më çnjerëzore nga policia me në krye shefin e policisë së repartit (Edmond Caja-shënim). Unë dhe shumë të dënuar, na mbajnë me dy turne në galeri pa bukë. Ne padyshim japim maksimumin, po nuk e arrijmë dot atë që kërkohet. Gjendja fizike dhe shëndetësore është shumë e keqe, por këtu nuk merret asgjë parasysh. Deri kur do të vazhdojë kjo gjë unë nuk e di, por dua të them se çdo gjë ka një kufi dua të theksoj se kjo minierë në këto kushte nuk është kamp pune dhe riedukimi, por kamp shfarosje. Në qoftë se kjo gjendje do të vazhdojë kështu, të gjithë të dënuarit për një kohë të shkurtët dalin të pavlefshëm për vetën e tyre dhe familjet e atdheun. Unë tash jam 19 vjeç, kam edhe 6 vjet burg për të bërë. Në kushte normale unë e ndiej veten të aftë të kryej këtë me punë dhe të kthehem pranë familjes t’i shërbej asaj, vetes dhe atdheut ku ka nevojë. Unë kam lexuar në literaturë se ne jemi një shtet human, me ligje njerëzore dhe të shenjta. Kush i shkel ato e pëson. Në këtë kamp ne nuk na mbron asnjë ligj. Kam besim se partia këto gjëra do t’i zgjidhë sa më shpejt. Këto që po ndodhin në Qafë Bari nuk i shërbejnë kurrkujt përveçse armiqve të Shqipërisë.

Me nderim, Agroni

 

Modifikuar më Hënë, 22 Prill 2019 18:22
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...