Ta lëmë Kinën, kemi lëngatën tonë dhe virusin që ka zënë pushtetin

E Enjte, 30 Janar 2020 16:10

Nga Ilir Nikolla

Periudha më e vështirë konsiderohej kohëzgjatja e vështirësisë dhe shqipja ka një fjalë shumë të gjetur për ta përshkruar këtë gjendje: lëngatë. Lindja, vdekja, fatkeqësitë, në shumicën e rasteve janë prodhime të një çasti, e prandaj, sado fatale të jenë, s’janë aq të papërballueshme sa lëngata. Shqipja, si gjuhë e vjetër dhe parake që është, e ka në brumin e vet, gjithë qerthullin që ngërthen kobi i lëngatës, duke lënë mundësi për shpjegime edhe shkencore për sëmundjet që kanë të bëjnë me lëngjet e trupit, që prodhohen nga lëngjet, që shndërrohen në epidemi nga lëngjet e kësisoj.

Ky shpjegim parak na kujton vetëm përciptazi koronavirusin që vjen nga Kina dhe sindromën kolektive të panikut që ka mbërthyer të gjithë botën. Gjithçka është e justifikueshme dhe e drejtë, edhe paniku bile, por në Shqipëri s’ka se pse të mbyllim sytë ndaj gjithë të këqijave të tjera, duke lënë në ballë të panikut koronavirusin...dhe tërmetin, që na zvarritet si një kuçedër që dëmin më të madh s’e ka bërë kur dha goditjen, por po e bën tani, me planet e zeza të grabitjes së fondeve të rindërtimit. Në Shqipëri ka një lëngatë prej një kohe shumë të gjatë, e cila duhet të marrë fund menjëherë, është lëngata e keqqeverimit dhe e jetës së pasigurt. Pamjet makabër të ekzekutimit të vëllait të një korrieri droge, si pjesë e një plani shpagimi për mosdorëzimin e mallit janë fytyra e vërtetë e realitetit, jo statistikat me poëer-point të ministrisë së Brendshme. Zaten, aso statistikash s’i beson më askush në Shqipëri, janë bërë njësoj si tabela e shumëzimit të të paharruarit Fadil Hasa kur 28 kamiona ndaheshin në 7 batalione dhe secilit prej batalioneve, në fund të veprimit aritmetik, u takonte të merrnin nga 13 kamiona. Kështu janë edhe statistikat e Ministrisë së Brendshme për uljen e krimeve, njësoj të rreme janë edhe statistikat e ministrisë së Mirëqenies (ç’perversitet është treguar në ndërrimin e emrit të ministrisë nga Edi Rama!) për uljen e nivelit të varfërisë apo statistikat shtetërore për rritjen e numrit të fuqisë punëtore.
Përtej këtyre shifrave është lëngata, të cilën e shohim të gjithë. E hasim në aeroporte, kur takojmë qindra të rinj çdo javë, që lënë vendin, për të mos u kthyer më, e hasim në fshatra, ku bujqit s’e punojnë më tokën, pasi edhe në prodhoftë, atë s’e shesin dot, sepse s’nxjerrin as lekët e farës, e hasim bile edhe në parlament, teksa dëgjojmë shakatorët e lagjeve, të cilët janë katapultuar aty për të lexuar temenarat për kryeministrin (edhe ato, një pjesë s’dinë t’i lexojnë).
Përpjekjet për të shitur një memorandum për lëngatën si një shërbim kombëtar, si një marrëveshje për hapjen e negociatave, janë tregues optimistë, se virusi i lëngatës është dobësuar, se trupi i shoqërisë tonë është ende i fortë dhe po reziston. Por nuk mund t’i lihet kohë virusit të forcohet, s’ka asnjë gjasë që e justifikon marrëveshjen me të. Përrallat që dëgjojmë këto ditë për planet e rindërtimit, për kohën që projektet duan, për nevojën që klima politike që jetë stabël, pas marrjes së vendimit për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE, janë stratagjemë. Bartësit e virusit po kërkojnë të fitojnë kohë, prandaj edhe ninullat e memorandumit të mossulmimit janë këngët më të këqija që mund të dëgjojë aktualisht veshi i shqiptarit dhe i çdo dashamiri të vendit tonë. Një alternativë për largimin përfundimtar të virusit të vjedhjes e krimit nga pushteti është më urgjente sesa cicmicet me afate politike për largimin e Edi Ramës nga pushteti. Koronavirusi ka rëndësinë e vet globale, edhe përmasën e tij lokale në Shqipëri në daçi, por s’mund t’i japim bashin e vendit në diskursin publik. Ne kemi lëngatën tonë që zgjat prej shumë kohësh, prej asaj duhet të çlirohemi. Kemi rezistuar mjaft ndaj një virusi që tek ne ka edhe pushtetin, prandaj koha shtesë do të ishte një mëkat i pafalshëm.

Modifikuar më E Enjte, 30 Janar 2020 21:40
Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...