Kroaci, modeli i rikthimit të emigrantëve

Diel, 08 July 2018 13:52

Disa largohen për të mos u kthyer më kurrë, të tjerë, edhe pse vendi nuk është plotësisht gati, përdorin fonde të BE-së për të krijuar biznese të reja artizanale, siç është edhe prodhimi i birrës artizanale, shkruan Giovanni Vale në Zagreb.

Fenomeni i prodhimit të birrës artizanale, i cili po bëhet gjithnjë e më popullor në Republikën e re ish-jugosllave, duket se sfidon dy të vërteta të mëdha të Kroacisë së sotme, të cilat janë goditja që ky vend ka marrë nga emigrimi i të rinjve dhe paaftësia e vendit për të absorbuar fondet europiane në dispozicion të saj.
Llojet e reja të birrave artizanale si Barba, Bura, Plavuša, Nova Runda, Varionica, Zmajsko dhe shumë të tjera, të cilat janë hedhur së fundmi në tregun në anën tjetër të Adriatikut, flasin për të gjithë ata të rinj kroatë që kanë vendosur të qëndrojnë në vendin e tyre (ose të kthehen) dhe të ndjekin pasionet, shpeshherë me ndihmën e fondeve të BE-së.
Këto aventura sipërmarrëse kanë shumë të përbashkëta me njëra-tjetrën dhe megjithëse ato përbëjnë një përjashtim në ekonominë kroate, janë një pikënisje të mirë për të përmirësuar disa prej problemeve që kanë karakterizuar Kroacinë që nga hyrja e saj në BE në vitin 2013.
Një birrë për të qëndruar
Në dialektin dalmat, “barba” do të thotë “xhaxha” ose “njeriu i moshuar”, por gjithashtu do të thotë edhe “kapiten i një anijeje”. Që nga viti 2015, ai është edhe emri i një prej birrave më të famshme artizanale të Splitit, i prodhuar nga Siniša Andjelić, në bashkëpunim me xhaxhain e tij. Siniša, i cili tani është 33 vjeç, e provoi për herë të parë shijen e një birre artizanale në vitin 2013, kur jetonte në Norvegji. Në këtë kohë, një mik i tregoi të gjithë procesin e prodhimit të një birre në kushte artizanale.
Ai filloi të bënte eksperimentet e para për prodhimin e birrës në dhomën e tij, deri në atë pikë sa situata u bë e padurueshme dhe e dashura i kërkoi që të zgjidhte mes saj dhe birrës! Dhe ata u ndanë… kujton Siniša i kënaqur!
Pasi ai u kthye në Kroaci, ai filloi “studimin në lidhje për prodhimin e birrës artizanale”, njëkohësisht duke bërë edhe eksperimentet e para. “Xhaxhai im ishte mbështetja ime më e madhe, sidomos në dështimet e fillimit”, thotë Siniša.
Në vitin 2015, gjërat nisën të ecnin në rrugën e duhur. “Barba” u regjistrua si markë birre, prodhimi filloi menjëherë pas kësaj dhe në pranverë të vitit 2016 u shitën shishet e para.
Sot, Barba prodhon rreth 100,000 litra në vit dhe ka rreth pesë punëtorë, megjithëse për Siniša Andjelićin, prodhimi i birrës artizanale mbetet “një hobi” më shumë se një punë me kohë të plotë. “Për gati një shekull në Kroaci, dy prej birrave më të pëlqyera kanë qenë Ožujsko dhe Karlovačko. Ndërsa sot, një birrë e re artizanale prodhohet thuajse çdo javë, shprehet Siniša, duke qeshur.
Ky sektor është vërtet dinamik. Në të njëjtën periudhë, në të cilën shishet e para të birrës Barba mbërritën në raftet dyqaneve dhe lokaleve në Split, disa qindra kilometra në veri, në Poreč, u shfaq etiketa me birrën “Bura”. E konceptuar nga Alessandro Zeçhinati, Claudio Rossi dhe Veronika Beckers, dy italianë dhe një grua e re gjermane, “Bura” do të ishte marka e një tjetër birre të re artizanale.
Edhe birra e famshme “Bura” mbart në vetvete historinë e një kthimi nga emigrimi. Pas takimit në Dublin, Alessandro dhe Veronika (tani të martuar) vendosën të largoheshin nga puna e tyre në sektorin e IT-së dhe të hapnin një fabrikë birre në Istria, ku kalonin pushimet e verës. Në vetëm pak vite, prodhimi arriti në 50,000 litra në vit, duke u shpërndarë në mbi 120 lokale, dyqane dhe restorante në Kroaci, Itali, Zvicër dhe Austri. “Njerëzit janë të lodhur nga konsumi i birrave të këqija industriale”, thotë Alexander, duke shpjeguar suksesin e Bura-s.
Histori emigrimi
Barba dhe Bura, janë dy histori jo-standarde. Mijëra kroatë, veçanërisht të rinj, bëjnë një rrugëtim të kundërt, duke ikur jashtë shtetit për më mirë. Sipas një raporti të kohëve të fundit të publikuar nga Rrjeti i Politikave Sociale Europiane (ESPN Flash Report 2017/50) edhe pse konfirmimet statistikore janë të kufizuara, disa elemente tregojnë se Kroacia po kalon një valë të re emigrimi, që nga hyrja në Bashkimin Europian më 1 korrik të 2013-s.
Edhe pse vështirë për t’u matur saktësisht, çështja e emigrimit është një prej temave më të shpeshta të gazetave kroate. Raporti i ESPN-së vëren se, ndërsa Zyra Kroate e Statistikave (CBS) regjistroi 29,000 emigrantë në vitin 2015 dhe mbi 36,000 në vitin 2016, autoritetet e Gjermanisë dhe Irlandës, dy prej destinacioneve më të pëlqyera nga kroatët, regjistrojnë shifra më të larta.
Për shembull, Berlini raportoi rritje prej 34,000 banorësh të rinj kroatë midis 2014 dhe 2015, ndërsa Dublini raportoi një rritje të numrit të kroatëve nga 1,000 në vitin 2009 në mbi 5,000 në 2016 (por sipas Zyrës Kroate të Statistikave asnjë kroat nuk u largua për në Irlandë në 2015).
Shkurtimisht, shifrat janë të pasakta dhe alarmi në Zagreb ka filluar prej kohësh. Qeveria e Plenković rriti buxhetin e Ministrisë së Çështjeve Sociale, e riemëruar “Ministria e Demografisë, Familjes, Rinisë dhe Politikave Sociale”, ndërsa gazeta e përditshme “Jutarnji List” ka publikuar se sipas disa vlerësimeve të reja statistikore, Kroacia numëron sot më pak se 4 milionë banorë, krahasuar me 4.28 milionë banorë, gjatë Censusit të fundit në vitin 2011.
Hyrja në BE, e shoqëruar kryesisht me aksesin e lirë në vendet e këtij bashkimi, e ka përkeqësuar këtë fenomen. Rritja e numrit të banorëve që largohen nga vendi nuk shpjegohet vetëm nga niveli i lartë i papunësisë së të rinjve, me një mesatare vjetore prej 27%, por edhe nga pagat relativisht të ulëta në krahasim me pjesën tjetër të BE-së (paga mesatare në Kroaci është rreth 750 euro në muaj), si dhe nga një mungesë e theksuar e “perspektivave”.
Sipas sondazheve të fundit të kryera në mesin e të rinjve, një prej arsyeve kryesore që ata emigrojnë është edhe ajo politike, që përmendet shpesh prej tyre, si dhe dëshira që kanë për të jetuar në një vend ku arsimi vlerësohet.
Një raund i ofruar nga BE-ja
Qëndrimi në Kroaci dhe fillimi i një biznesi nuk është i lehtë. Davor Simičić dhe Matija Mrazek, krijuesit e birrës Varionica, ende kujtojnë vështirësitë e viteve të para. Ata e regjistruan markën e tyre në vitin 2014, pas një viti të tërë planifikimi dhe vështirësive me burokracitë.
Edhe pas hedhjes në treg, “dy vitet e para kanë qenë shumë të vështira”, kujton Davor Simičić. “Gjysma e prodhimit mbuloi shpenzimet”, veçanërisht ato që lidhen me fabrikat e marra me qira. Por ardhja e fondeve europiane është shpresa për një të ardhme më të mirë. Gjashtë muaj më parë, Varionica mori miratimin nga Brukseli për një kredi prej 4.8 milionë kuna (rreth 650,000 euro) për ndërtimin e një impianti të ri, me një kapacitet mbi tre herë më të lartë.
Sot, kompania prodhon 120,000 litra birrë në vit, madje ata kanë vështirësi në përmbushjen e kërkesës, thotë Davor. Aktualisht ata kanë katër punonjës dhe do të punësojnë edhe gjashtë të tjerë deri në fund të 2018-s. Ashtu si Davor Simičić, edhe Matija Mrazek, Miroslav Šuvak synon të përdorë fondet europiane për të ndërtuar një fabrikë të re për të prodhuar birrën artizanale, Nova Runda. Me një prodhim që nuk përfshin prodhimin e saj në kanoçe apo shishe, kjo birrë artizanale e cilësisë së parë mund të gjendet vetëm në banakun e lokalit ku prodhohet. Kjo zgjedhje mund të duket radikale, por ka pasur edhe fitime të larta gjatë viteve.
E krijuar në vitin 2013, Nova Runda prodhon deri në 161,000 litra në vit. Duke qenë ndër të parët që hapi një punishte artizanale dhe e quajti veten “ambasador i birrës artizanale” (pasi kalon shumicën e kohës në “edukimin e banakierëve, kamerierëve dhe pronarëve të lokaleve), Miroslav Šuvak mund të hapë rrugën edhe për kolegët e tij në lidhje me përdorimin e fondeve europiane. Në fakt, në vend nuk ka projekte të mjaftueshme për të përfituar të gjithë financimin e ofruar.
Fondet europiane janë ende të papërdorura
Marsin e kaluar, ministrja kroate për Fondet Europiane, Gabrijela Žalac, tha se vendi i saj ka absorbuar vetëm 39% të 10.7 miliardë eurove në dispozicion për periudhën 2014-2020. “Objektivi kryesor është të përcaktohen kontratat për 60% të fondeve në dispozicion, deri në fund të vitit”, tha më tej znj. Zalac (dhe deri në 90% të fondeve deri në vitin 2020).
Keqmenaxhimi i fondeve europiane u përmend edhe kohët e fundit nga Guvernatori i Bankës Qendrore Kroate, Boris Vujčić, duke komentuar mbi ndikimin pozitiv të hyrjes së Kroacisë në BE, pesë vjet më parë (eksportet u rritën me mbi 40%).
Kryeministri, Andrej Plenkoviç, duke prezantuar ministrin e ri të Ekonomisë, Darko Horvat në fund të majit, shprehu mendimin se ministri i ri do të kontribuojë në një “absorbim më të mirë të fondeve europiane”, siç u inkurajua edhe nga Banka Qendrore Europiane.
Një prej arsyeve se përse fondet europiane kanë pasur vonesa në përdorimin e tyre, është për shkak se fondet e parapranimit dhe ato të programeve të mëparshme nuk përdoreshin plotësisht brenda afatit të caktuar.
Aplikimi për financim në Bruksel mbetet një proces i ndërlikuar (“dy vjet punë”, shpjegon Davor Simičić), por jo i pamundur. Dhe pasi të aprovohen, fondet europiane sjellin me vete edhe mundësi të reja. Pesë vjet pas hyrjes së Kroacisë në BE, ne mund të shpresojmë se shembulli i suksesshëm i prodhimit të birrës artizanale mund të shërbejë për të rikthyer në vend edhe atë pjesë tjetër të larguar të banorëve.

Modifikuar më Diel, 08 July 2018 13:53
Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...