×

Warning

JUser: :_load: Unable to load user with ID: 44

Motra e drejtorit në Bashki fiton tenderin e “Tirana Parking”

E Enjte, 26 July 2018 20:59

Kompania në pronësi të motrës së drejtorit të punëve publike në bashkinë e Tiranës, Taulant Tusha ka fituar një tender të majmë nga agjencia e parkimit ‘Tirana Parking,’ duke ngritur pikëpyetje për një konflikt të mundshëm interesi.
Agjencia e bashkisë së Tiranës- ‘Tirana Parking,’ e cila po ndërton një rrjet parkingjesh me pagesë në kryeqytet hapi mesin e muajit tetor një procedurë prokurimi me fond limit 67.7 milionë lekë për blerjen e ‘makinerive dhe pajisjeve për sheshet’.

Kjo kontratë me një afat kohor ekzekutimi prej 6 javësh, kishte si objekt prokurimin e një numri sistemesh parkimi automatike dhe të integruara, me specifikime teknike të detajuara, ku përfshihen pajisje që luhaten nga barrierat hyrëse dhe dalëse në parking, deri te sistemi i menaxhimit multiparking që do të ofrohet.

Pas mbylljes së procedurave të prokurimit, fitues i këtij tenderi është shpallur kompania ADVANCED Sh.p.k, në bashkëpunim me ED Konstruksion dhe Adi Professional Sh.p.k., me një ofertë prej 63.7 milionë lek ose 94 % e fondit limit.

Në tender nuk ka pasur ofertues të tjerë. Ndërkohë, dokumentet e zbuluara nga BIRN, tregojnë që kompania kryesore fituese është nën pronësi të motrës së drejtorit të punëve publike në bashkinë Tiranë, Taulant Tusha, çfarë ngre pikëpyetje për një konflikt të mundshëm interesi në procesin e prokurimit të kontratës.

E kontaktuar nga BIRN, Bashkia mohoi që ky ishte një rast konflikti interesi, duke nënvizuar që Tirana Parking është një institucion më vete dhe se motra e drejtorit nuk përfshihet në rastet e parashikuara nga ligji.

“Tirana Parking është një institucion më vete dhe Drejtori i Punëve Publike nuk ka asnjë ndikim dhe vendimmarrje institucionale. Tirana Parking, si institucion varësie, ka buxhet dhe struktura te pavarura nga Bashkia e Tiranës për procedurat e prokurimeve,” tha bashkia e Tiranës nëpërmjet një zëdhënësi.

“Nuk ka asnjë konflikt interesi, sipas ligjit, përveç personave (babai, nëna, gruaja ose fëmijët) nëse nuk ka marrë pjesë në vendimmarrje në rastin e të njëjtit institucion dhe sigurisht që, nuk analizohet as si kazus ligjor për një institucion tjetër me struktura dhe autoritete te pavarura,” shtoi bashkia.

Tirana Parking është një agjenci nën varësinë e bashkisë Tiranë, e krijuar në nëntor 2015, me qëllim menaxhimin e parkimit në rrugë dhe jashtë rruge. Sipas Vendimit të Këshillit Bashkiak Nr. 48, të marrë në 11 Nëntor 2015, detyrat kryesore funksionale të Tirana Parking përfshijnë: administrimin e parkingjeve publike me pagesë, mbi tokë dhe nëntokë; si dhe planifikimin, ndjekjen dhe zbatimin e investimeve në infrastrukturën e nevojshme për shërbimin e parkimit publik me pagesë.

Prokurimi i fundit për pajisjet e shesheve të parkingjeve ka qenë pjesë e investimeve të agjencisë për të shtrirë rrjetin e saj të shërbimeve në të gjithë hapësirën e bashkisë së Tiranës.

Operatori i vetëm pjesëmarrës në tenderin me procedurë të hapur ka qenë bashkimi i shoqërive ADVANCED Sh.p.k, ED Konstruksion dhe Adi Professional – që u shpall fitues në mungesë të ofertave të tjera.

Kompania ADVANCED Sh.p.k është themeluar në shkurt të vitit 2008 me emrin ADVANCED SECURITY SYSTEMS, duke pasur si objekt të aktivitetit të saj projektet elektronike, sigurinë publike dhe instalimet e automatizuara. Ajo liston mes klientëve të saj disa nga kompanitë kryesore në Shqipëri si Vodafone, AMC, Tirana Bank , por edhe bashkinë e Tiranës- për të cilën shkruan në faqen e saj në ueb se ka shërbyer si nënkontraktor në disa projekte ndriçimi.

Akti i themelimit të kompanisë tregon se në fillim ka pasur katër aksionerë, të cilët kishin secili nga 25 % të aksioneve. Dy nga aksionerët, Viktor Mitrevski dhe Teodor Begov janë shtetas maqedonas, i treti ka qenë shtetasi grek Stefano Papazios dhe i katërti shtetasi shqiptar Taulant Tusha – i cili sot ushtron detyrën e drejtorit të punëve publike në bashkinë e Tiranës.

Me 8 maj 2008, Stefano Pazios dhe Taulant Tusha ia kanë shitur kuotat e tyre në kompani shtetases shqiptare Edlira Hoxha për 50 mijë lekë. Të dhënat e regjistrit civil dhe të aktit të shitjes tregojnë që Hoxha është motra e madhe e Taulant Tushës. Më vonë, në vitin 2010, Hoxha ka blerë dhe aksionet e dy ortakëve të tjerë maqedonas, duke u bërë pronarja e vetme e kompanisë. Në vitin 2013, kompania ka ndërruar emrin nga ADVANCED SECURITY SYSTEMS, në ADVANCED Sh.p.k.

Tusha është emëruar si drejtor i punëve publike në bashkinë Tiranë në shtator të vitit 2015, pas zgjedhjes në krye të bashkisë të Erion Veliajt. Më përpara, ai ka shërbyer si drejtor i shërbimeve mbështetëse në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë- nga tetori 2013 deri në shtator 2015, kohë kur Veliaj ka shërbyer si ministër.

Drejtoria e punëve publike është drejtoria më e rëndësishme në bashkinë Tiranë, duke përfshirë në përgjegjësitë e saj, përveç punëve publike dhe investimeve, prokurimet, transportin rrugor dhe emergjencat civile. Edhe pse agjencia Tirana Parking është një institucion nën varësinë e bashkisë Tiranë, është e paqartë nëse drejtori Tusha ka luajtur një rol – mundësi që bashkia e mohon – në dhënien e tenderit për pajisjet e shesheve të parkingjeve ish kompanisë së tij ADVANCED, tashmë nën pronësi të së motrës.

Ligji i konfliktit të interesit i vendos një kufizim të vazhdueshëm zyrtarëve të lartë të njësive të qeverisjes vendore dhe disa prej familjarëve të tyre, për sa i përket lidhjes së kontratave me institucione nën juridiksion.

Shtojca 7 e dokumenteve standarde të tenderit, e cila lidhet me deklaratën e konfliktit të interesit të operatorit ekonomik, parashikon se “zyrtar i nivelit të lartë drejtues të një njësie të qeverisjes vendore, ndalimi për shkak të interesave private të zyrtarit, të përcaktuara në këtë pikë, zbatohet vetëm në lidhjen e kontratave, sipas rastit, me bashkinë, komunën ose këshillin e qarkut, ku zyrtari ushtron këto funksione. Ky ndalim zbatohet edhe kur palë në kontratë është një institucion publik, në varësi të kësaj njësie,” siç është dhe agjencia Tirana Parking.

Kufizimi i vazhdueshëm i vlefshëm për zyrtarët e lartë të qeverisjes vendore, për të fituar nga tenderë publikë të hapur nga institucione publike në varësi, vlen edhe për një pjesë të familjarëve të tij, ku përfshihen “prindërit. bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi dhe fëmijë në moshë madhore. Motra e zyrtarit nuk përfshihet në personat e lidhur, të cilëve u mohohet e drejta për të lidhur kontrata, megjithëse nuk përjashtohet që në rastin konkret nuk ka pasur forma të tjera të shfaqjes së konfliktit të interesit.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...