Qeveria shqiptare duket se nuk do të ndalojë shitjen e Telekom Albania tek serbët, nën pretendimin se nuk ka fuqi ligjore për ta ndalur këtë transaksion.
Drejtuesit e Telekom Serbia kanë mbërritur të mërkurën në Tiranë, për të kërkuar nga qeveria shqiptare autorizimin për blerjen e Telekom Albania.
Lajmi është bërë publik nga Top Channel, i cili raportoi se drejtuesit e Telekom Serbia kanë takuar këtë të mërkurë zyrtarët e lartë të Ministrisë së Infrastrukturës, duke kërkuar nga qeveria shqiptare pëlqimin për blerjen e telekomit.
Por edhe pse pretendon se është kundër këtij transaksioni, qeveria thotë se nuk mund ta bllokojë dot shitjen.
‘Përfaqësuesve të Telekom Serbia u është thënë se pavarësisht se shteti s'ka rol në një transaksion të mundshëm mes dy kompanive private, futja e tyre në tregun shqiptar në një sektor strategjik si telekomunikacioni, nuk është e mirëseardhur’, citohet të ketë thënë një burim i qeverisë.
Vetë qeveria pretendon se nuk mund të ndalojë dot blerjen e Telekom Albania nga telekomi serb, nëse dy kompanitë do të arrinin marrëveshjen.
Sipas saj, shteti shqiptar aktualisht nuk ka asnjë të drejtë pronësie mbi Telekom Albania dhe nuk ka asnjë rol në transaksionet financiare mes dy kompanive private.
Ndërkohë sipas mediave serbe telekom serbia ka bërë ofertën më të lartë për blerjen e Telekom Albanias, duke ofruar 60 milionë euro.
Kjo shifër e bën telekomin serb favoritin kryesor për të blerë Telekom Albania, një situatë që nuk do ta kishte parashikuar askush.