Arsimi duhet të financohet të paktën me 5% të PBB-së për një dekadë, që të bëhemi të krahasueshëm me rajonin

Diel, 07 October 2018 08:17

Sektori i arsimit në Shqipëri vuan nga mungesa e financimeve dhe e kualiteteve në burimet njerëzore dhe infrastrukturës shkollore. Ish-ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, këshillon që financimet për arsimin duhet të arrijnë në 5% të PBB, të paktën për një dekadë, në mënyrë që të bëhemi të krahasueshëm me rajonin. Ne jemi në një vend me të ardhura të mesme të larta dhe investojmë 15 herë më pak se mesatarja e vendeve të OECD, tha Tafaj.

Shpenzimet për një nxënës në vit janë rreth 700 USD, ku 150-200 i financojnë prindërit, 500 USD janë nga buxheti i shtetit.
Ndërkohë që mesatarja në vendet e OECD është 11 mijë dollarë për nxënës. Për studentët, kjo diferencë është edhe më e thellë. Ne investojmë 600 USD vit për formimin e një studenti, kur vendet e OECD-së shpenzojnë më shumë se 15 mijë dollarë në vit, tha ish-ministri.
A po e zbaton Shqipëria modelin e duhur në sistemin arsimor?
Modeli ynë arsimor është i përshtatur me përvojën e disa vendeve perëndimore dhe aktualisht ka të gjitha nivelet që aplikon Europa e zhvilluar sot, që nga arsimi parashkollor, arsimi fillor bazë, i mesëm i ulët, arsimi i mesëm dhe ai i lartë.

Nga pikëpamja e strukturës është njësoj me modelin e vendeve perëndimore. Krahas arsimit të përgjithshëm kemi edhe arsimin profesional, i cili gjithashtu është i përshtatur nga vendet origjinë, një model i përafruar kryesisht me arsimin profesional të Austrisë. Në arsimin e lartë kemi një strukturë që aplikohet gjerësisht në Europë, Sistemin e Bolonjës. Sa i përket strukturës jemi njësoj me vendet e zhvilluara, çka do të thotë se diplomat shqiptare janë të ekuivalentueshme.
Si është cilësia e arsimit në Shqipëri?
Kemi një prapambetje në sistemin arsimor, jo vetëm nga cilësia, por edhe nga përmbajtja e kurrikulës. Mësimëdhënia ende bazohet me metoden e riprodhimit te teksteve mësimore, sesa në nxitjen e aftësive krijuese. I gjithë rezultati i sistemit matet me rezultate tradicionale, por jo me aftësi reale të fituara.
Çfarë duhet përmirësuar për të ofruar arsim cilësor?
Duhen mësues dhe pedagogë cilësorë, kurrikulë dhe infrastrukturë. Burimet njerëzore janë të parat, por të tria bashkë janë buxhet, d.m.th janë financa. Ne jemi ende ndër vendet krejtësisht të fundit, madje shumë pas vendeve në zhvillim për investimet në arsim. Shqipëria është një vend me të ardhura të mesme të larta dhe investon 15 herë më pak se mesatarja e vendeve të OECD.
Aktualisht, vendi ynë shpenzon rreth 700 USD në vit për shkollimin e një nxënësi, ku rreth 100-150 USD i financojnë prindërit dhe 500 USD financohen nga buxheti i shtetit, ndërkohë që mesatarja në OECD është 11 mijë dollarë USD për nxënës në vit. Për studentët, kjo diferencë është edhe më e thellë. Për arsimin e lartë financohet 0,6% e PBB-së, ku 0.4% e merr përsipër shteti dhe 0.2% të PBB-së prindërit. Ne investojmë vetëm 600 USD në vit për formimin e një studenti, kur vendet e OECD-së shpenzojnë më shumë se 15 mijë dollarë në vit për një student.
Mungesa e financimit reflektohet te niveli i pedagogëve dhe infrastruktura shkollore. Investimet gjithsej në arsim nuk shkojnë as 3.3% të PBB-së dhe kjo është një kuotë krejt e pamjaftueshme për të sjellë përmirësime të dukshme. Të gjitha vendet që kanë dashur të përmirësojnë sistemin e tyre arsimor për një dekadë rresht kanë investuar të paktën 6% të PBB-së. Por nëse Shqipëria nuk bën përpjekje që së paku të çojë financimet për arsimin në 5% të PBB për një dekadë rresht, do ta ketë shumë të vështirë ta bëjë sistemin të krahasueshëm edhe me rajonin.
Ku duhen fokusuar financimet?
Kostot në arsim po vijnë gjithnjë e në rritje për shkak të procesit të dixhitalizimit dhe çmimeve gjithnjë e më të larta të laboratorëve. Teknologjia çdo ditë e më shumë po bëhet baza e zhvillimit të shoqërisë. Kurrikulat dhe forma e mësimdhënies po orientohen gjithnjë e më shumë nga teknologjia. Mirëpo teknologjia kushton, ndaj rritja e financimeve për sektorin e arsimit vjen si domosdoshmëri e kohës.
Më duhet të them se, thembra e Akilit është qasja e financimit në arsim, pasi investimet në këtë sektor duhet të jenë vizionare. Për më tepër, Shqipëria ka një popullsi arsimdashëse, ndaj kjo duhet të jetë një sfidë për politikën arsimore, e cila duhet t’i përgjigjet qasjes pozitive që ka popullsia e Shqipërisë për t’u arsimuar. Por Shqipërisë, përveçse i mungojnë financimet, duket se i mungon edhe vizioni. Ne jemi ndoshta i vetmi vend në Europë që nuk financojmë kërkimin shkencor në universitete. Një nga kapitujt kryesorë për hapjen e negociatave është për kërkimin shkencor dhe tregun e punës. Shqipëria nuk është aq e varfër sa të mos financojë së paku 15 milionë dollarë në vit për kërkim shkencor.
Pagat në arsim, nga ana tjetër, janë të pamjaftueshme, por sistemi vuan gjithashtu pamundësinë për të konkretizuar modelin arsimor që tani kemi në zbatim. Aktualisht, në Europë, modeli i Finlandës është më i përparuari, por konkretizimi i tij në vendin tonë po has në vështirësi për disa arsye, ndër të cilat kryesore është mungesa e përvojës së mësuesve shqiptarë.
Për të ndryshuar mendësinë e vjetër të mësimdhënies është shumë i nevojshëm reformimi i fakulteteve të mësuesisë dhe kjo nuk është çështje financimi, por edhe e përmbajtjes së kurrikulës. Prandaj është i domosdoshëm dualizmi. Duhet një bashkëpunim më i ngushtë i shkollave të mësuesisë me shkollat. Shkollat duhet të jenë laboratorë të studentëve të mësuesisë. Gjithashtu një vëmendje e veçantë duhet për përgatitjen e pedagogëve të rinj, të cilëve duhet t’u krijohen mundësitë që kenë një karrierë të pashkëputur. Shqipëria ka burime njerëzore të mjaftueshme, për të krijuar një trupë të mirë pedagogjike në të gjitha nivelet e arsimit, por ne kemi jetike gjithashtu një bashkëpunim më të ngushtë me Universitetet e Europës.
Sa i orientuar është arsimi me tregun e punës?
Edhe vendet e zhvilluara vuajnë nga hendeku i sistemeve arsimore me tregun e punës. Ndër arsyet se pse Portugalia dhe Italia e përjetuan më shumë krizën ekonomike të 2008-s ishte mospërputhja e madhe e sistemeve arsimore me tregun e punës. Por duhet bërë më shumë në ngushtimin e këtij hendeku. Në Shqipëri, mospërputhja është edhe më e madhe, pasi tregu i punës është ende i kufizuar. Ne kemi një strukturë ekonomie që dominohet nga biznesi i vogël.
Hapësira e tregut të punës që buron nga sektori privat është ende e kufizuar dhe kërkon përgjithësisht nivel të ulët kualifikimi. Shqipëria ende nuk ka një kompani të huaj të njohur ndërkombëtarisht, në mënyrë që të rrisë kërkesën për kualifikim dhe nivelin e pagave në treg. Ne shkollojmë rreth 2000 studentë dhe nxënës në vit në fushën e TIK-ut, por nuk kemi një kompani të madhe të huaj në Shqipëri që të punësojë këto burime që formon shkolla. Kjo qëndron edhe në fusha të tjera. Por sistemi arsimor në vendin tonë vuan nga formimi i dobët praktik, i cili nuk ka qenë qasje në traditën historike të arsimit në Shqipëri. Kjo i ka munguar gjithmonë Shqipërisë dhe vijon të mungojë.
Cilat janë disa simptomat që po vuan më së shumti sistemi arsimor në vend?
Ka disa, si mungesa e financimeve, niveli i mësuesve dhe vështirësitë që sjell tranzicioni demografik. Niveli i mësuesve lë për të dëshiruar. Gjatë dekadës së parë në fillim të së dytës, profesioni i mësuesit u braktis për shkak të pagës së ulët. Një kryefamiljar me pagë mësuesi nuk ishte në gjendje të përmbushte nevojat bazë të familjes, ndaj profesioni u braktis në drejtime të tjera më fitimprurëse. Niveli i ulët i pagës bëri që degët e mësuesisë të braktiseshin nga nxënësit kualitativë. Ne vumë re kur pagat filluan të rriteshin pas vitit 2005, profesioni i mësuesit nisi të bëhej atraktiv dhe degët e mësuesisë nisën të merrnin sërish studentë me rezultate të larta.
Gjithashtu, lëvizjet demografike kanë ulur numrin e nxënësve në shkolla dhe në zonat e varfra e kanë gjithnjë e më të vështirë aksesin në arsim. Mirëpo mundësitë gjithnjë e më të pakta për arsim në këto zona do të përkeqësojnë më tej varfërisë, sidomos në qarqet e Veriut. Në vitin 2004, hynë në klasën e parë 54 mijë fëmijë, po sivjet ulen për herë të parë në bankat e shkollës vetëm 32 mijë. Në vitin 2013 ishin në gjimnaz 47 mijë maturantë, aktualisht, më 2018, nuk janë më shumë se 37 mijë. Çdo vit hyjnë në klasen e parë 1500 – 2000 fëmijë më pak. Emigracioni do ta thellojë edhe më tej uljen e numrit të nxënësve që po vjen nga rënia e shtesës natyrore të popullsisë.
Për të plotësuar Objektivat e Zhvillimit Strategjik 2030 të OKB-së, të nënshkruara edhe nga vendi ynë  aktualisht 100% e fëmijëve që mbarojnë 9-vjeçaren duhet të ndjekin gjimnazin, por ne ende nuk e kemi plotësuar këtë target. Gjithashtu çdo 18 -vjeçar duhet të vazhdojë studimet Bachelor, por në Shqipëri kjo është e pamundur, për shkak të tarifave të larta në universitetet publike. Po të shohësh listat e provimeve në universitet publike do të vësh re se shumë prej tyre nuk mund të mbyllin masterat vetëm për shkak të mungesës së financimeve. Këto tarifa e kanë minuar mundësitë për shkollim në zonat e varfra.
Një studenti nga Dibra ose nga Kukësi i duhen së paku 200-300 mijë lekë për një vit studimi, duke përfshirë edhe shpenzimet e jeteses,por kjo shumë është e pamundur për familjet e atyre zonave. Nxënësit cilësorë të këtyre zonave po mbeten jashtë aksesit në studimet e larta, për shkak kostove të larta të studimeve. Disa degë në universitete rrezikohen të mbyllen do të mbyllen për shkak se nuk ka bursa për studentë cilësore. Disa degë në Fakultetin e Gjeologji – Minierave, në Universitetin Bujqësor dhe në Shkencat Natyrore janë tashmë të rrezikuara dhe Shqipëria do të mbetet pa disa profesione të rralla, të cilat në të gjithë botën mbështeten me bursa.

Modifikuar më Diel, 07 October 2018 08:20
Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...