Pas propozimit të Ramës; Kriptovalutat, të luash me zjarrin, rreziku i pastrimit të parave

Hënë, 05 November 2018 07:07

Shqipëria duket se është në prag të një “ëndrre malteze” për një kuadër rregullator për kriptovalutat. Në një deklaratë publike, Kryeministri shpalosi ambicien e Shqipërisë për t’u kthyer, siç do ta quante ai, “në një pikë graviteti atraktive për tregjet financiare”. Por a jemi gati? Ekspertët ngrenë alarmin se kriptovalutat gjithmonë e më shumë po përdoren për pastrim parash pasi verifikimet janë shumë të vështira, ndërkohë që skemat shumë të komplikuara. Të tjerë që operojnë sot në treg kriptovalutash shprehen se shkalla zero ku jemi për njohuritë nuk duhet të nisë me kuadrin rregullator, por me edukimin dhe krijimin e një baze fillestare tregu. Në të gjitha drejtimet, kriptovalutat cilësohen si e ardhmja, por edhe si një lojë e rrezikshme me zjarrin.

Një deklaratë e bërë rreth dy javë më parë nga Kryeministri për kriptovalutat kaloi pa ndonjë debat të gjerë në opinion. Arsyet e kësaj indiference më së shumti duket se lidhen me faktin që ende nuk ka asgjë të vendosur përfundimisht dhe se procesi është në vlerësim, por edhe sepse ky është një koncept relativisht i panjohur në tregun shqiptar.

Ëndrra malteze e Shqipërisë ndoshta për momentin është e largët, por fakti që ka nisur të merret në konsideratë, duhet të shihet më seriozisht. Kriptovalutat sot përtej të lakuarit si e ardhmja e pashmangshme dhe avantazhet që servirin përkundrejt sektorëve të tjerë në tregjet financiare, mbeten ende të reja dhe të patestuara në kriza dhe ashtu siç quhen nga ekspertët ndërkombëtarë, një lojë me zjarrin. Vendet e zhvilluara që kanë guxuar të eksperimentojnë me këtë aspekt kanë thurur filtra të tërë kontrolli, institucione të maturuara si dhe kuadër të qartë por, mbi të gjitha, kanë rritur pjesën e edukimit financiar të publikut për të kuptuar riskun. Shqipëria nuk ka asnjë nga të mësipërmet plotësisht të perfeksionuar edhe në tregje të tjerë më pak të komplikuar se kriptovalutat.

Rama: Shqipëria, pikë graviteti për tregjet financiare, kuadër rregullator për kriptovalutat

Në ceremoninë e mbajtur me rastin e gazsjellësit TAP dhe duke nënvizuar avantazhet që i sjell ky projekt Shqipërisë, Kryeministri zgjodhi që të ndante për herë të parë një ambicie të re të Shqipërisë. Kriptovalutat! “Në funksion të përpjekjes për të zgjeruar tregje, për të çelur tregje, për të krijuar mundësi të reja dhe mbi të gjitha, për të krijuar perspektivë për vende pune që paguhen shumë më mirë dhe që njerëz të kualifikuar dhe me profesione të ndryshme në sektorë që janë tejet të zhvilluar apo në rrugën e zhvillimit sot në botën ku jetojmë, jemi duke eksploruar edhe mundësinë e krijimit të një kuadri rregullator për kriptovalutën, që është një risi shokuese në botën e sotme dhe ku mundësia për të qenë inovativ për të krijuar një pikë graviteti atraktive për tregjet financiare me një inovacion është e hapur për të gjitha vendet, pavarësisht nëse janë vende shumë të zhvilluara apo janë më pak të zhvilluara. Për momentin jemi në një proces vlerësimi dhe pune për hartimin e kuadrit rregullator, pasi kemi bërë një analizë dhe një studim të thelluar dhe nëse rezultatet e kësaj pune do të jenë të kënaqshme, atëherë ne do të promovojmë edhe përtej kufijve të Shqipërisë gatishmërinë e vendit për t’u bërë një vend pritës për investitorët e shumtë potencialë, që synojnë të përfshihen në këtë revolucion të financave globale”, do të shprehej Kryeministri.

Zhvillimi i sektorëve të tillë ku vendi ynë ka një bazë, apo “know how” (përvojë) nuk mund të shihet me paragjykim por orientimi tek kriptovalutat duket si një lojë e rrezikshme në kushtet kur Shqipëria ka kufizime në tregjet financiare, një historik me një bursë Tirane, që nuk kreu kurrë një transaksion, një Bursë të re private, ende në hapat e para, një treg sekondar ende të pazhvilluar dhe një edukim financiar të brishtë.

Ekspertët: Si po pastrohen paratë në kohën e kriptomonedhave, skemat

Në qershor të këtij viti, dy ekspertë të KPMG, një nga agjencitë më të mëdha të shërbimeve profesionale dhe një ndër katër audituesit më të mëdhenj të njohur si “big four”, publikuan një studim rreth kriptovalutave. Paskal Sprenger dhe Franzisca Balsiger në punimin me titull “Pastrimi i parave në kohën e kriptomonedhave: si po ndryshon loja”, japin në detaj sesi po përdoret ky kanal për pastrimin e parave. Sipas tyre, në disa vende, kripto-pastrimi përdoret për të shmangur sanksionet ndërkombëtare. Ky proces zakonisht përfshin pastrim dixhital të organizuar parash.

“Tipikisht, një proces pastrimi ndjek fazat e mëposhtme.

Krimineli blen një kriptomonedhë bazike në një exchange dixhital ose me cash dhe kartë krediti në një bankomat për monedha dixhitale. E para preferohet më shumë, pasi shumica e atyre që mundësojnë bankomate për kriptomonedha rregullohen nga entitete me detyrime përkatëse, kundër pastrimit të parave. Kur blejmë kriptomonedha në një exchange dixhital kriminelët zakonisht “punësojnë” dikë me rekorde të pastra si dhe me një punësim të rregullt të vërtetuar. Ata e forcojnë edhe më tej anonimatin e tyre, duke adoptuar pseudonime duke përdorur w-wallet anonimë, logime të kufizuara nëpër rrjete private, si dhe smartfone të përshtatur për blokchain.
Sapo personi fasadë verifikohet në exchange dixhital, monedha konvencionale ose transferta bankare përdoren për t’u vendosur si fonde për të blerë kriptomonedha primare, si për shembull Bitcoin, Ethereum, ose Litecoin. Këto monedha primare përdoren për të blerë monedha të tjera alternative në një këmbim më të avancuar. Kriptomonedhat alternative kanë specifikime të veçanta, disa prej të cilave janë monedha privatësie që ofrojnë një nivel superior anonimiteti.
Në mënyrë që të turbullojnë procesin e kontrollit në monedhat primare, pastruesit e parave përdorin një taktikë që njihet si miksim apo përmbysje. Kjo përfshin përdorimin e shërbimeve mikse si Bitmixer apo Helix, për të shkëmbyer adresat e monedhave primare për adresa portofolash dixhitalë të përkohshëm për të ngatërruar sistemin dhe për të thyer gjurmimin përmes kontrollit. Një tjetër taktikë është të përdorësh në mënyrë të qëllimshme adresa faturimi false për të riorientuar transaksionet në adresa të reja, duke krijuar kështu konfuzion në librin e adresave të sistemit. Në një tjetër hap, monedhat primare të përziera transferohen në një exchange të avancuar dixhital, për të blerë monedha privatësie si Zchash, Verge, Monero, Dash, Desire etj.
Pastruesit e parave kanë shumë monedha private, bëjnë shumë shkëmbime dhe adresa dixhitale, duke përgatitur në mënyrë efektive terrenin për pastrim dhe duke i kthyer pastaj në sistemin tradicional financiar.
Duke i shpëtuar sistemit të kontrollit, pastruesi i parave ka një seri opsionesh për të tërhequr paratë e pastruara, tashmë nga monedhë dixhitale në kartëmonedha.
Rrjedhja jashtë sistemit: është procesi kur mbajtja e monedhave private shkëmbehen për monedha primare dhe më pas në një monedhë bazike, që mund të tërhiqet në llogarinë e një banke me të cilën është lidhur ose transferohet në formën e një pasurie të paluajtshme, duke shfrytëzuar hapësirën ligjore për të shmangur taksimin e përfitimit të kapitalit. Së dyti, transferimi i pjesës dixhitale mund të bëhet përmes një portofoli kriptomonedhash, ose printimit të një kodi QR (kod 2D) që mund të transportohet në çdo adresë kudo në botë”, thuhet në studim.

Banka e Shqipërisë, një vit më parë paralajmëronte për riskun e Bitcoin

Një vit më parë, kur një kompani nga Kosova solli në Tiranë për të testuar një bankomat për Bitcoin, institucioni financiar kyç në vend, Banka e Shqipërisë, në një reagim të gjatë nënvizonte se qytetarët duhet të ishin të kujdesshëm me paratë virtuale, pasi nuk i mbronte askush. Në atë kohë, BSH do të theksonte se Banka e Shqipërisë nuk ka licencuar asnjë subjekt financiar në veprimtarinë e të cilit të përfshihet përdorimi i monedhave virtuale. “Për rrjedhojë, çdo shoqëri e cila përfshihet në këtë aktivitet në Republikën e Shqipërisë nuk është e licencuar, e për rrjedhim aktiviteti i saj nuk i nënshtrohet kuadrit rregullues dhe atij mbikëqyrës nga ana e Bankës së Shqipërisë”, – thuhej në deklaratën e BSH. Kjo e fundit do të sillte në vëmendje edhe faktin që institucione financiare ndërkombëtare janë ende në fazë vlerësimi për problematikën që lidhet me paranë virtuale. Në fund, Banka nënvizonte edhe risqet që përkufizojnë paranë virtuale.

“Së pari, vlera e monedhave virtuale të tregtuara apo investuara në platformat përkatëse të këmbimit nuk është e garantuar dhe është mjaft e paqëndrueshme. Vlera e monedhave mund të manipulohet, duke bërë që investuesi të përballet me një humbje të konsiderueshme jashtë kontrollit të tij. Gjithashtu, ka një mundësi të madhe që si pasojë e mungesës së likuiditetit të kundër palës, të mos mundësohet asnjëherë konvertimi i monedhës virtuale sërish në monedhë konvencionale (fiat).

Së dyti, këmbyesit e parasë virtuale janë shoqëri të panjohura, të parregulluara apo regjistruara në një juridiksion të caktuar. Për rrjedhojë, kushdo që investon paratë e tij në monedhë virtuale të këmbyera nga këto shoqëri, do të përballet me rrezikun e humbjes si rrjedhojë e problemeve të natyrave të ndryshme që ato mund të shfaqin.

Së treti, për sa kohë platformat janë vetëm virtuale dhe pa mundësi enkriptimi, ato janë mjaft të ekspozuara ndaj sulmeve kibernetike. Në këto kushte, investimi bëhet i pasigurt dhe ai mund të sulmohet në çdo kohë nga hackers dhe të humbasë përgjithmonë, pa pasur mundësi rikuperimi. Kjo, për sa kohë nuk ka asnjë mundësi mbulimi apo mbrojtjeje, siç është për shembull fondi i sigurimit të depozitave në banka.

Së katërti, për sa kohë investimi në këto monedha ka anonimat, ai mund të përdoret nga individë të caktuar edhe për të mundësuar aktivitete të jashtëligjshme si pastrim parash, financim terrorizmi apo kontrabandë mallrash të paligjshme.

Së pesti, me kërkesë të skemës së monedhës virtuale, nevojitet që personat të bëjnë identifikimin e tyre në platformat elektronike, si për shembull, nëpërmjet skanimit të pasaportës, të retinës apo të gjurmëve të gishtërinjve. Aplikimi i këtyre mënyrave të identifikimit nga ana e programit (IT software) nuk janë subjekt i ligjeve dhe rregullave për mbrojtjen e të dhënave personale apo të standardeve të sigurisë. Për rrjedhojë, nuk ka asnjë garanci që këto kredenciale do të administrohen në mënyrë të sigurt për të shmangur vjedhjen apo keqpërdorimin e tyre”.

 

Shoqata e Bankave: Nuk mund t’i frenojmë, por duhet t’i njohim më mirë

Kriptovalutat duket se kanë fituar një lloj pranimi të gjerë të paktën në tregjet financiare. Përballë tyre qëndrojnë bankat të cilat konkurrohen dukshëm nga avantazhet që ofrojnë kriptomonedhat për kohën e shkurtër të transaksioneve dhe për faktin që nuk kanë kosto. Vetë bankat, nga ana e tyre, kanë vendosur përfshirjen në botën e kriptovalutave. Për Shoqatën Shqiptare të Bankave, fakti që kriptovalutat janë të reja nuk duhet të shkaktojë frikë, por sigurisht ka nevojë për një analizë dhe njohje më të thellë të tyre, në mënyrë që të dihen pasojat që mund të sjellin në ekonomi. Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm pranë Shoqatës Shqiptare të Bankave (AAB), e vë theksin pikërisht te këto aspekte. “Kriptovalutat përbëjnë një fenomen të ri në botën e dixhitalizuar. Si një gjë e re, është normale të ketë pro dhe kundër. Mes shumë debateve, në të gjitha nivelet teknike e intelektuale e në të gjithë botën, nuk mund të thuhet se ka qëndrim të prerë në mbështetje apo kundër. Vende të ndryshme po e studiojnë me kujdes dhe po ecin me maturi drejt formulimit të qëndrimit të tyre. Sido që të jetë vendimi, pro apo kundër, autoritetet rregullatore duhet të shprehen. Nëse janë kundër, duhet të përcaktojnë drejtimet dhe masat për mbrojtje nga ky fenomen. Nëse janë pro, duhen përcaktuar rregullat e lojës si për çdo shërbim apo produkt tjetër. Bota financiare ndodhet përballë sfidave të ndryshme, që vijnë si rezultat i zhvillimit të teknologjisë dhe pritshmërive të klientelës. Rregullimi i fenomeneve të reja, sado me risk që të jenë, kur ka rregulla të qarta, adresohen risqet e tyre dhe menaxhohen. Fakti që janë të reja, nuk duhet të na trembin. Problemi qëndron te thellësia e njohjes së problemit dhe kohës së pakët për të kuptuar risqet, konsekuencat dhe pasojat që mund të sjellin ato në shoqëri dhe ekonomi. Na pëlqen apo s’na pëlqen, na prishin status quo-në apo jo, këto diskutime duken të vjetra. Askush dhe asgjë nuk mund të frenojë fenomenet e reja, për sa kohë ato janë të mirëstudiuara dhe rregulluara. Prandaj rregullimi i tyre është i domosdoshëm. Pastaj aktorët duhet të mësohen se si të sillen dhe të ecin në këtë botë të re dixhitale”, nënvizon ai për “Monitor”.

 

Flet Elio Pashaj, Bashkëthemelues i Blockchain Western Albania “Shqipëria, ende në fazë zero të të kuptuarit të kriptomonedhave”

Krijimi dhe zbatimi i një kuadri rregullator për kriptomonedhat në një vend si Shqipëria ku ka shumë pak individë që i kuptojnë, përbën rrezik më vete. Elio Pashaj, bashkëthemelues i Blockchain Western Albania shprehet se është ende herët për një nismë të tillë dhe vendi ynë ka nevojë që të krijojë një bazë fillestare për këtë lloj tregu e më pas të përcaktojë rregullat. Ai nënvizon se Shqipëria në të ardhmen mund të kthehet në një vend atraktiv për këtë lloj tregu sepse ka disa faktorë favorizues ose mund të ofrojë politika favorizuese, por për të shkuar këtu, duhet t’ia nisë një herë nga “a”-ja, që është stabilizimi i një tregu fillestar.

Sa i njohin sot shqiptarët kriptovalutat në vend në perceptimin tuaj nga ajo që hasni gjatë takimeve që bëni?

Në Shqipëri, kriptomonedhat kanë filluar të njihen në masë të gjerë, edhe pse shumica e personave që janë të interesuar, nuk kanë besim për të bërë investime në to, pasi i shohin si skema piramidale. Kjo vjen si pasojë e mungesës së informacionit që kanë ndaj teknologjisë Blockchain mbi të cilën zhvillohen kriptomonedhat. Për të rregulluar këtë hendek informacioni, Blockchain Western Albania, një komunitet jofitimprurës, ka ndërmarrë shumë nisma, duke zhvilluar shumë meet-up apo evente në prezantimin e kësaj teknologjie dhe përfitimeve të të pasurit Kriptomonedha në vendin tonë. Ideja është që Shqipëria të bëhet një hub (nyje) teknologjik në këtë aspekt, duke tërhequr edhe investimet e huaja. Janë bërë seminare në shkolla të mesme dhe universitete, për t’i prezantuar të rinjtë me këtë teknologji dhe sesi t’i kuptojnë më mirë Kriptomonedhat, pasi në të ardhmen mund të kemi një Kriptomonedhë shqiptare. Pjesa më e madhe që ka besim dhe ka bërë investime në Kriptomonedha janë të moshës 25-35 vjeç, ku rreth 30-40% e këtyre kanë bërë investime.

A është momenti për të pasur një kuadër rregullator që rregullon pjesën e kriptovalutave në Shqipëri?

Nuk është ende momenti për të pasur një kuadër rregullator që rregullon pjesën e kriptomonedhave në Shqipëri, pasi implementimi i tyre kërkon një informacion të detajuar sesi funksionojnë apo rreziqet që hasen. Shqipëria është ende në fazën 0 të të kuptuarit të kriptomonedhave, është rrezik tepër i lartë të zbatosh një kuadër rregullator në një vend me 3 milionë banorë, në të cilin maksimumi vetëm 1 mijë banorë mund të merren me kriptomonedha. Fillimisht duhet bërë një plan-zbatim në shtrirjen dhe përkrahjen e bizneseve të vogla për pranimin e pagesave me kriptomonedha dhe më vonë, mund të kalohet në përkrahjen e komuniteteve të Blockchain dhe Kriptomonedhave që merren me edukimin e personave ndaj këtyre fushave dhe hapi i tretë është implementimi i teknologjisë Blockchain në sistemin shkollor për t’u thelluar më tej. Nëse zbatohet një kuadër rregullator, ai duhet të bëhet në një moment kur tregu i Kriptomonedhave të jetë stabilizuar dhe kjo mund të dojë disa vite në Shqipëri.

A mund të kthehet Shqipëria në një treg atraktiv për këtë pjesë duke tërhequr investitorët?

Po, Shqipëria mund të kthehet në një treg shumë atraktiv për investitorët pasi kemi shumë faktorë që na favorizojnë. Pikë së pari, jemi vend në zhvillim dhe kërkojmë të thithim sa më shumë investime. Si mund të kthehet Shqipëria në një treg atraktiv? Mund të përmend faktin që duke qenë një vend me një orientim të qartë drejt turizmit, mund të ketë një nismë nga ana e qeverisë për të përkrahur resorte, hotele, biznese që të pranojnë kriptomonedha në formë pagesash nga të huajt, të cilët i përdorin gjerësisht në vendet e tyre. Duke qenë një vend që përkrah bizneset e huaja, mund të zbatohen disa politika që lehtësojnë ardhjen e Exchange-ve të Decentralizuara në Shqipëri. Këto exchange bëjnë tregtimin e kriptomonedhave. Mund të ndjekim shembullin e Maltës, ku Binance një nga exchange më të mëdha në botë, e vlerësuar 1 miliard $, u zhvendos në Maltë, për shkak të politikave përkrahëse të asaj qeverie ndaj kriptomonedhave. Edhe në Shqipëri mund të vijnë exchange të tilla, të cilat do ta kthenin vendin tonë në një pasuri teknologjike.

Cilat janë kriptovalutat më të përdorura apo të njohura sot në treg si Bitcoin apo Ethereum dhe cili është zgjerimi që po marrin ato në pagesa?

Kriptovalutat më të përdorura dhe të njohura për momentin janë Ripple, Ethereum, Bitcoin, Verge, EOS, Stellar ku disa prej tyre kanë vlera relativisht të vogla dhe mund të blesh sasi të madhe. Bitcoin është më e njohura por jo më e përdorura, për shkak të vlerës së madhe që ka. Kjo ndodh si pasojë e investimit të ulët në Bitcoin, sa më e madhe vlera e një Kriptomonedhe, aq më pak sasi mund të zotërosh dhe sado të ketë rritje Bitcoin, përfitimi është i vogël në krahasim me Kriptomonedhat që kanë vlerë të ulët. Zgjerimi që po marrin është shumë i madh, si pasojë e implementimit nga banka apo korporata të famshme në botë. Mjafton të përmendim që industria e makinave, filmave, muzikës kanë ndërmarrë hapa në implementimin e kriptomonedhave, ku shumë persona bëjnë pagesa në kohë reale, duke eliminuar vështirësinë apo proceset burokratike që ofrojnë pagesat përmes bankave.

Malta, një qendër atraktive për kriptomonedhat, hyn në fuqi kuadri i ri

Nga 1 nëntori ka hyrë në fuqi kuadri i ri rregullator për kriptomonedhat në Maltë, një vend që përballë qëndrimeve konservatore të vendeve më të zhvilluara, vendosi të hapë dritën e gjelbër për këtë treg. Parlamenti maltez dhe qeveria njoftuan në fillim të vitit që Akti i Aseteve Virtuale Financiare dhe Marrëveshja për Teknologjinë Inovative, bashkë me Aktin e Shërbimit do të hynin në fuqi në muajin e njëmbëdhjetë të vitit. Por çfarë të reje dhe avantazhesh sjellin për Maltën këto hapa. Marrëveshja për Teknologjinë Inovative dhe Akti i Shërbimit do të rregullojnë regjistrimin e marrëveshjeve teknologjike të reja dhe shërbimeve gjithashtu, duke mundësuar edhe lëshimin e një certifikate për ata që mundësojnë këtë teknologji. Akti i Aseteve Virtuale Financiare nga ana tjetër, rregullon lëshimin për Ofertat Fillestare të Monedhave (ICO) në vend. Mes kërkesave, ky akt detyron ata që janë lëshues që fillimisht të publikojnë një dokument lehtësisht të kuptueshëm dhe të firmosur nga gjithë anëtarët e Bordit të Administrimit të atij që është lëshues.

Ky nuk është hapi i parë i Maltës drejt kriptomonedhave por është më i fundit dhe ndër më të rëndësishmit. Më herët, Malta ka treguar një qasje më pozitive ndaj kriptomonedhave dhe teknologjisë Blockchain. Falë politikave “miqësore”, Malta është sot strehë e Exchange-ve të mëdhenj si Bit Bay dhe Binance. Vendi është në partneritet edhe me OKEx, për të lançuar vetë një exchange për kriptomonedhat.

Lëvizja e Maltës duket se nuk vjen rastësisht drejt një qasje gjithmonë e më pozitive për kriptomonedhat. Kjo lidhet me faktin që disa vende po mbajnë qëndrime më konservatore. Për shembull, fakti që Kina ndryshoi tërësisht qëndrim vitin e kaluar rreth kriptovalutave, i dha avantazh Japonisë, por që në fakt është sfiduar nga vjedhja dhe mashtrimi ndërkohë që autoritetet janë përpjekur të marrin masa për të ruajtur këtë pjesë tregu.

Pasiguritë që mund të rrethojnë Korenë e Veriut dhe Hong-Kongun mund t’i vendosin ato në dizavantazh në raport me Maltën, raporton Bloomberg, në një nga artikujt e tij për zhvillimet në tregun e kriptomonedhave dhe Malta. Në Europë, konkurrenca mund të zhvillohet rreth Maltës dhe Zvicrës, pasi kjo e fundit ka gjithashtu një qëndrim miqësor rreth kriptomonedhave, si dhe investitorëve në këtë sektor. Vetëm pak kohë më parë, Autoriteti Mbikëqyrës i Tregut Financiar në Zvicër deklaroi se do të bënte disa ndryshime për të rregulluar Ofertat Fillestare, si dhe që ka nisur një crypto-valley në zonën e njohur si Zug.

Tregu i kriptomonedhave, vlera arrin në 200 miliardë USD, cilat janë kryesoret 

Tregu i kriptomonedhave gjatë gjithë vitit 2018 është luhatur në një vlerë kapitalizimi në treg prej 200 miliardë dollarësh. Kjo shumë ndahet mes më shumë se 1600 kriptovalutave, ku pjesën kryesore e kanë vetëm disa prej tyre. Luhatja më e madhe gjatë vitit është vërejtur te Bitcoin që, një vit më parë, arriti në nivelet 21 mijë dollarë ndërsa pak ditë më parë, në fund të tetorit, vlera e saj ra në 6250 dollarë. Por cilat janë disa nga kriptomonedhat e tjera më të njohura në botë.

Litecoin (LTC) e hedhur në treg në vitin 2011 është mes kriptomonedhave fillestare pas Bitcoin dhe zakonisht asaj i referohen si pjesa e argjendtë e Bitcoin-it flori. Kjo monedhë u krijua nga një ish-inxhinier i Google.

Ethereum (ETH) u hodh në treg në 2015 dhe është një platformë software e decentralizuar që mundëson Smart Contrats (Kontrata të Zgjuara) dhe Aplikacione të Shpërndara që mund të ndërtohen dhe përdoren pa ndërhyje mashtruese, apo kontrolli nga palë të treta.

Zcash (ZEC)një kriptomonedhë e decentralizuar dhe me burim të hapur e hedhur në treg në 2016 dhe që duket premtuese. Zcash ofron transaksione transparente dhe private.

Dash (DASH) është një variant më sekret i Bitcoin, ofron më shumë anonimitet, pasi punon me një rrjet masterkodi të pavarur që i bën transaksionet pothuajse të pagjurmueshëm.

Ripple (XRP) është një rrjet ndërkombëtar që ofron pagesa ndërkombëtare të menjëhershme, specifike dhe me kosto të ulët. U hodh në treg në 2012 dhe u mundëson bankave që të bëjnë pagesa ndërkombëtare në kohë reale, me transparencë të plotë.

Monero (XMR) është një monedhë e sigurt, private dhe e pagjurmueshme. Ajo u hodh në treg në vitin 2014 dhe zgjoi interes mes entuziastëve të kriptovalutave.

Bitcoin Cash (BCH) mban një vend të veçantë në historinë e kriptomonedhave, sepse është një ndër më të hershmet dhe më të suksesshmet. Në 5 tetor, Bitcoin kishte një kapitalizim në treg prej 1.88 miliardë USD.  Monitor

 

 

Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...