Banorët e ‘Unazës së Re’ në Tiranë kanë depozituar një kallëzim në Prokurori kundër prishjes së banesave të tyre pa marrë dëmshpërblimin. Ndërkohë, Partia Demokratike ka publikuar gjithashtu dokumenta që tregojnë se projekti ka shkelje të shumta dhe të rënda ligjore, si dhe i ka bërë thirrje kryeprokurores Arta Marku të reagojë.
Gjatë pjesëmarrjes në protestën e sotme, Basha i kërkoi gazetarëve që t’i drejtojnë mikrofonat te Prokurorja e Përgjithshme dhe ta pyesin për këtë aferë, dhe mos të pyesin vetëm për aksionin e opozitës, pasi ajo protestë po organizohet nga vetë qytetarët.
Por gazetarët e pranishëm kanë deklaruar përpara Bashës se kryeprokurorja Marku refuzon të përgjigjet për këtë çështje, pavarësisht këmbënguljes së tyre.
“Nuk del ajo të flasë”, iu përgjigjen gazetarët Bashës, ndërkohë që kreu i opozitës kërkoi prej tyre që të rrinë në dyert e Prokurorisë dhe të pyesin çdo prokuror dhe zyrtar që del nga institucioni deri sa ata të japin shpjegime për çështjen.