Basketbollisti që vinte nga stepat

Diel, 13 Janar 2019 15:44

Nga Luçiano Boçi

(In memoriam të Alfred Isak)

Fred Isak(u) më 2 Janar është shuar! 

Lajmi i vonuar më dhëmbi me një krisje të thatë metali kujtimet.
Një kërkim i shpejtë mediatik, ma shtoi pa cak hidhërimin e ikjes së tij.
Kudo heshtje...
Nuk gjeta gjëkundi dy gisht fjalë për basketbollistin emblemë të Elbasanit dhe të Kombëtares.
Asnjë organizëm sportiv nuk kishte publikuar një homazh formal për 59-vjeçarin.
Një njeri model modestie, shembull i politesës së harruar, i urtë deri në ulërimë, i lartë deri në përkulje, i ndershëm deri në vetëmohim.
Basketbollist i lindur, profesionist i vërtetë, Fred Isak ishte simbol frymëzimi për “ne” të ekipit të rinjve të atyre viteve, por dhe për disa breza lojtarësh e tifozësh që e brohoritën vite rresht me shpirt.
Atë datë lajmet për Fifin, Florin, Kejsin, aksidentin X, ndarjen e bujshme Y, kishin rrjedhë lumë.
Ironikisht rastësisht, një ndër “miqtë” bashkëkohës, kundërshtarë të tij në tabelë, ish-qendër i Dinamos, sot në pozicionin e Kryeministrit, po atë ditë shpaloste spotin e emisionit të fundit qesharak.
Twitter-i i tij i 2 Janarit dhe në vazhdim, ishte bosh për Fredin.
Kadriu, Domenika apo dikush tjetër janë me shumë të rëndësishëm për të dhe janë imponuar në një formë apo tjetër dhe tek ne. (Ju lutem, e kam revoltë njerëzore, jo politike!)
Ndërsa Bashkia Elbasan, e verbuar nga dritat e fishekzjarreve, mungoi kurorën e luleve dhe ceremoninë e merituar për qytetarin e nderuar, që kontriboi pareshtur për lartësimin e emrit të saj.
Të paktën të kishte kryer njoftimin!
Pushteti e politika, por dhe shoqëria jonë e çoroditur, që ka humbur prej kohësh pikat e referencës e vlerat, kryen kështu në bashkëpunim, aktin e fundit të braktisjes së basketbollistit të mirë.
Fatkeqësisht njerëzorja midis nesh, pak nga pak ka kaluar në koma.
Por Miqtë nuk e harruan.
Falë Bujarit, Vasos, Netit mësova lajmin e trishtë në FCB.
Komentet për të rridhnin dhimbjen e sinqertë.
Me meritë e quanin Legjendë.
Koli e krahasonte me të madhin Divac, por STANZA e Gimit (ish shok i ngushtë) ishte më e plota në përjetësi.
Akoma e kam në vesh tingëllimin bas të komentatorit Shundi, tek artikulonte me epizmin e tij, jo pa adhurim, togëfjalëshin “Vëllezrit Isak” (Fredi dhe Turi).
Basketbollisti 2 metrosh, me sy të xhamtë dhe flokë të kashta, ngjasonte si një pjese stepe e shkëputur nga Rusia e largët.
Nëna e tij ishte ruse.
Ai dhe vëllai krijonin me prezencën e tyre një lloj dritare, nga ku ne më të rinjtë përpiqeshim të kundronim botën e ndaluar, atë revizionisten, të huajën.
Ky romantizëm sovjetik i përshfaqur, ishte dhe pengesa e Fredit për të arritur 5-tëshen e kombëtares, megjithë grumbullimet e herëpashershme.
Bashkë me të vëllanë Turin, Tos Suvarinë, Çim Dobrën, Ferd Hodon, Mond Biçokun, Ben Llakajn, Vasil Meternikën etj, e pak më vonë Arjan Mustën, Ben Xhyrën e Fred Sharrën dhe tranjerin Skënder Qorri, i dhanë jetë Labinotit të viteve ‘80.

Fjalëpak e djersëshumë, Fred Isak ishte, jo thjesht ne rolin qendrës, por dhe qendra referuese e ekipit.
I shpallur disa herë në 10-shen e sportistëve më të mirë të qytetit, ai meritonte një vend më elitar në rang kombëtar, megjithëse lufta e atëhershme e biografive rrëzonte dhe gjigandët si ai.
Megjithatë, “rusi” siç e njihnin përtej Elbasanit, pa u dorëzuar asnjëherë, dhuroi spektakël, mjeshtëri sportive, ndeshje e kosha me emocione të paharruara.
Transmetoi vendosmëri, karakter, forcë e mençuri njeriu.
Pas lënies së basketbollit, natyra e ndjeshme e tij, hasi mospërputhjen me rrokullimën e zhurmshme e plot gropa të tregut të depresionuar të lirë shqiptar pas viteve ‘90.
Stoik dhe kundërshtar i plotë i antinjerëzores, Fredi zgjodhi të revoltohet me heshtjen dhe shmangien e tij, me shumë kuptime.
U tërhoq në një vetmi të cilën e shijonte si helmin e ëmbël të fatit të tij të hidhur, i cili nuk e coi drejt ndërtimit të familjes.
Dinte të inkurajonte të tjerët, por ndërgjegjshëm nuk e bëri këtë asnjëherë për veten.
Dinte dhe dhuronte dritë idesh për të tjetër dhe çuditshëm zgjodhi errësirën për veten e tij.
Me dëshirën e madhe për të refuzuar të keqen, Fredi në një farë mënyre refuzoi jetën.
Lamtumirë miku im!
Ndriçofsh në parajsë!
Ajo është krijuar për njerëz si ty!

Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...