Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, komentoi nga studio e News 24 edhe deklaratat e sotme të Ramës ndaj Metës, të cilat i cilësoi si të ulëta dhe provokatore.
“Mu duk një Edi Ramë në vazhdimësi, brenda identitetit të tij politik, brenda sjelljes së tij publike. S’pati asgjë të re, i kënaqur me veten, me bilancet, euforik me të ardhmen dhe Rama një provokator dhe polemist i nivelit të ulët me presidentin e Republikës. Fjalori i tij për presidentin nuk përfshihet në gjuhën e shkencave politike por është një gjuhë parapolitike”, tha Mustafaj.
Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj i ftuar në studion e rubrikës “Opinion” në “News24” tha se Rama po i shkon deri në fund çmendurisë së vet dhje qëllimeve që i ka vendosur vetes.
“Rama po i shkon deri në fund çmendurisë së vet politike. Ka figura të rëndësishme të kulturës që i kanë dalë kundër Edi Ramës për Teatrin, pa përmendur Aurel Plasirin. Unë besoj se pasi nuk ka marrë parasysh të gjitha këto qëndrime, ai do të shkojë deri në fund në këtë betejë”, tha Mustafaj. Besnik Mustafaj theksoi se është pro një lëvizjeje të re, pasi do i bënte mirë Shqipërisë. “Unë mendoj se një lëvizje e re, me njerëz të re, me persona më pak të implikuar në zhvillime, aq më mirë do t’i bënte Shqipërisë. Unë nuk jam anarkist, por një lëvizje politike e re, që do të sillte realisht ndryshim, do ta dëshiroja. Në çdo rast në Shqipëri është tentuar të behet, por nuk është arritur. Makron në Francë për shembull erdhi nga hiçi. Unë transformimin e shoh vetëm brenda politikës”, deklaroi Mustafaj.
Mustafaj ka komentuar vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit për t’i ndaluar hyrjen në SHBA kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako dhe familjes së tij. “Zakonisht në praktikën e vetë DASH do të thotë sektori konsullor deklaron refuzim vizash kur kërkohet një vizë. Në këtë rast nuk kemi një praktikë të zakonshme që Dako të ketë kërkuar vizë. Në këtë kuptim gjesti është i pazakontë. Në argumentin që jep DASH, dyshimet që shpreh nuk janë surprizë as për mua e as për opinionin publik shqiptar. Ka disa vjet që përmendet për korrupsion në përmasa shumë të mëdha. Në këtë kuptim nuk ka surprizë për dyshimet që artikulohen por një farë surprize për rrethanat që u bë ky lajm. Dako është persona non grata në SHBA. Nga ana diplomatike është një mesazh që i dërgohet prokurorisë. Në mënyrë publike mban një qëndrim ndaj një njeriu dhe familjes së tij. Penalizimi i familjes së tij është më kuptim sepse do të thotë që familja ka qenë përfituese. Në vlerësimet që ka ambasada amerikane këtu, DASH atje, familja ka qenë përfituese”,- deklaroi Mustafaj.