Mjekët dhe Instituti i Shëndetit Publik kanë vlerësim të ndryshëm për numrin e virozave në vend. Të parët thonë se me ndryshimin e stinëve rastet janë shtuar, ndërsa ISHP shprehet se situata është e njëjtë me një vit më parë dhe nuk ka vend për alarm.
Me ndryshimin e stinëve, situata e virozave në vendin tonë është rritur ndjeshëm. Një gjë e tillë konfirmohet dhe nga mjeku i përgjithshëm, Nikolin Koliqi.
Nikolin Koliqi: Me ndryshimin e stinëve ka një fluks më të shtuar për virozat, kategoritë më të prekura janë fëmijët nën 5 vjeç, të moshuarit, gratë shtatzëna dhe pacientët me sëmundje kronike.
Mjeku Koliqi bën apel për kujdes nëse pacientët ankohen për sekrecione të shtuara, temperaturë të lartë dhe këputje trupore.
Mjeku Koliqi: Gjitha virozat ulin imunitetin dhe mund të predispozohen për një infeksion bakterial që mund të shkojë deri në pneumoni.
Por Insituti i Shëndetit Publik sqaron se situata në vendin tonë nuk është për tu alarmuar.
Mjeku epimideolog, Artan Simaku, deklaron se situata pritet të ndryshojë pasi mund të ketë një rritje të lehtë të rasteve nga fundi i tetorit e fillimi i nëntorit, kryesisht me infeksione respiratore.
Artan Simaku: Trendi paraqet një rënie në krahasim me javët paraardhëse. Një rritje e lehtë fillon nga fundi i tetorit dhe fillimi i muajit nëntor.
Përkundër mjekëve, ISHP thotë se krahasuar me një vit më parë, situata mbetet e njëjtë.