"Dateri rritet brenda gurit. Dhe ky gur është thyer nga keqbërësit që kanë vjedhur daterin. Por sipër këtij guri ka pasur edhe shumë gjallesa të tjera që përbëjnë biodiversitetin ujor,"-tha ambientalisti Simo Ribaj.
Dateri rrezikon zhdukjen, por ky gur është dëshmia se gjuetia e species vijon edhe pse e ndaluar me ligj.
Ambjentalisti Simo Ribaj thotë se fenomeni i jashtëligjshëm ka qenë alarmant gjatë sezonit veror.
Simo Ribaj: "Duhet të ndalohet thyerja e shkëmbit, vjedhja e daterit, tregtia dhe konsumimi i tij. Ashtu siç e ka ligji duhet ta zbatojmë në praktikë. Në momentin që dëmtohet dateri, dëmtohet pjesa shkëmbore, ku sipër saj janë një numër i madh gjallesash që përbëjnë larminë e biodiversitetit, atraksionin nënujor që kanë nevojë njerëzit të shohin dhe që janë ushqimore e detit."
Tregtia e kësaj midhje dykapakore është e ndaluar, por në disa restorante kryesisht në bregdet mund ta gjesh.
Drejtori i AKU në Vlorë, konfirmon se këtë vit u evidentuan 7 subjekte që e tregonin, të cilët janë gjobitur.
Përmirësimi i ligjit sipas Bellajt pritet te rrisë masat ndëshkuese për të parandaluar gjuetinë e daterit ose “Shpueses së shkëmbinjve” siç njihet ndryshe.
Bellaj: "Kanë qenë rreth 7 subjekte që janë gjobitu vitin e kaluar dhe diku tek 8 subjekte këtë vit. Kështu që besoj se vitin që vjen kontrollet të jenë akoma edhe më të shpeshta në këto restorante që ne i kemi klasifikuar si bazë risku, që do të thotë se kanë precedentin për ta përdorur edhe vitin tjetër."
Për të parandaluar dëmtimin e florës dhe faunës përgjatë bregdetit u zhvillua një takim-ekspedite mes organizatave ambientaliste, përfaqësues të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, rojet bregdetare dhe përfaqësues nga ministria e Turizmit.