Një operacion i koordinuar nga tri shtete europiane ka çuar në arrestimin e 15 shtetasve shqiptarë të akuzuar për trafikim dhe kontrabandim të qenieve njerëzore. Policia federale belge njoftoi se banda e trafikantëve dërgonte klandestinë shqiptarë për në Mbretërinë e Bashkuar.
Transporti bëhej përmes automobilëve të modifikuar për të mbajtur fshehur disa persona, ose nëpërmjet kamionëve në marrëveshje me shoferë të huaj.
12 prej autorëve u arrestuan në Belgjikë në data 23, 24 dhe 25 shtator, ndërsa dy të tjerë në Mbretërinë e Bashkuar dhe i fundit në Gjermani, pasi ndaj tyre ishin lëshuar fletarreste europiane.
Organizatori i trafikut raportohet të jetë një shtetas shqiptar i moshës 29 vjeç, identiteti i të cilit nuk bëhet i njohur. Ndërkohë në një hotel afër portit belg të Gentit, që shërbente si vendqëndrim, autoritetet zbuluan edhe 37 klandestinë që prisnin të kalonin kufirin britanik.
Në posedimin e autorëve u gjetën katër automjete dhe një sasi e vogël hashashi. Tre prej të dyshuarve pritet të ekstradohen në Belgjikë për t’u përballur me drejtësinë, ndërkohë nga 12 personat e arrestuar ditët e fundit, 5 prej tyre janë paraburgosur dhe 7 të tjerë janë liruar me kusht.