'Martesat e rreme në SHBA për Green Card, me pasoja të rënda', sqaron avokati amerikan

Saturday, 14 December 2019 09:47

Avokati amerikan Kieran Both ka dhënë sqarime lidhur me martesat e rreme në SHBA për përfitime. Letrave ai iu përgjigjet: "I kam lexuar artikujt tuaj rreth marrjes së green card-ës nëpërmjet martesës. Kam ardhur në Shtetet e Bashkuara si vizitore, por e kam kaluar afatin e qëndrimit këtu. Nuk kam bërë kërkesë për status emigracioni, por tashmë jam e shqetësuar për shkak të gjithshkaje që dëgjoj në lajme. Kam dëgjuar nga një shoqe që nëse martohem, bashkëshorti mund të paraqesë dokumenta pranë emigracionit për mua dhe të marr green card. Njoh dikë që sapo është divorcuar dhe që më ka thënë që mund të martohet me mua për të më ndihmuar. Nuk kam rënë në dashuri me të, por jam në një gjendje të dëshpëruar. A ka gjasa që t’ia dal me sukses? Çfarë më duhet të bëj që ta filloj proçesin?/Anonime

Rregullat e etikës profesionale nuk ia lejojnë një avokati të japë këshilla ligjore në ndihmë të dikujt që kërkon të mashtrojë. Gjithsesi, mund t’ju japim këshilla lidhur me pasojat që mund të ketë paraqitje e një kërkese bazuar në një martesë të rreme. Konkluzioni është mos e bëj. Mos shkatërro të ardhmen. Nëse martohesh me dikë vetëm për të marrë një status emigracioni, si ju ashtu dhe bashkëshorti juaj po kryeni një martesë të rreme. Kjo përbën shkelje të ligjeve të emigracionit dhe mund të sjellë një problem serioz.

Martesa e rreme paraqitet në forma të ndryshme. Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë së SHBA-së (USCIS) ka identifikuar llojet e mëposhtme të martesave të rreme:

Martesat me porosi (ku ose shtetasi amerikan ose shtetasi i huaj e dinë që martesa është e rreme) dhe

Martesat e rreme me fituesit e llotarisë amerikane.

Si zbulohet martesa e rreme

Në momente të ndryshme gjatë proçesit të emigracionit, USCIS do t’i kërkojë aplikuesve që të paraqesin prova që martesa e tyre ka qenë e vërtetë ose që janë martuar në mirëbesim. Siç shpjegohet nga gjykatat e emigracionit, me mirëbesim nënkuptohet që çifti i është futur martesës me idenë për të krijuar një jetë së bashku. Ligjet e emigracionit kërkojnë që USCIS-i t’i kushtojë vëmendje të veçantë martesave më pak se dyvjeçare në kohën kur u aprovua green card-a (nëse aplikimi ishte bërë në SHBA) ose në kohën kur emigranti futet në SHBA me vizë emigranti (nëse vjen nga jashtë).

Pasi aplikojnë për green card, emigrantëve të tillë u jepet green card-a me kusht, e vlefshme për dy vjet. Brenda 90 ditëve, përpara mbushjes së periudhës dy vjeçare, çifti duhet t’i paraqesë Emigracionit një aplikim të ri, të shoqëruar me dokumenta që vërtetojnë që martesa e tyre vazhdon dhe është e vërtetë. Ka përjashtime në rast divorci (diçka që nuk shihet në vetvete si tregues që martesa ka qenë e rreme); por nëse çifti thjesht nuk jeton më së bashku, ose kur bashkëshorti/ja amerikan/e nuk pranon të firmosë kërkesën e përbashkët për heqjen e kushtit, ka të ngjarë që Emigracioni të mos e aprovojë aplikimin. Nëse ka prova që e justikojnë nisjen e një hetimi, Emigracioni mund të nisë të hetojë nëse martesa ka qenë ose jo e rreme. Edhe sikur çifti ta kalojë me sukses këtë pjesë të proçesit, martesa mund të shqyrtohet sërish kur emigranti të bëjë kërkesë për nënshtetësi amerikane. Sidomos në rastet kur çifti është ndarë, USCIS mund të kërkojë prova të tjera që dëshmojnë që martesa ka qenë e vërtetë. Ndonëse për shumicën e rasteve me bazë martesën, vëndimi bazohet tek provat e dokumentuara, autoritetet e emigracionit kanë pushtet të madh hetimor. Dihen raste kur kanë folur me miq të çiftit apo me punëdhënësit e tyre. Ata mund t’ju shfaqen në derë, në shtëpinë ku presupozohet se jeton çifti (nëse të dy ndodhen në SHBA) herët në mëngjez për të parë nëse jeni bashkë.

Martesat e vërteta shqyrtohen gjithashtu me kujdes

Çiftet që kanë martesa të ligjshme, duhet të jenë në gjendje të provojnë që marrëdhënia e tyre është e vërtetë. Ndonjëherë USCIS dyshon që martesa është e rreme, për shkak se çifti nuk ka bërë punë të mirë në përgatitjen e  formularit I-130, ose ngaqë kanë pasur probleme në intervistë. Nuk është e domosdoshme që çifti të jetë i përsosur, dhe lidhjet mes çifteve janë të ndryshme. Çiftet shpesh grinden, por kjo nuk është domosdoshmërisht shenjë që martesa është e rreme. Oficerët e emigracionit kanë përgatitjen e duhur që i ndihmon të dallojnë sjellje të dukshme ose jo aq të dukshme që tregojnë që martesa është e vërtetë./Gazeta Illyria

Mënyra më e mirë për të shmangur dyshimet, është përgatitja sa më e mirë për intervistën në fjalë. Gjatë kësaj interviste, oficeri i Emigracionit takohet me çiftin për të përcaktuar nëse martesa e tyre është e vërtetë. Nëse oficeri i Emigracionit dyshon se martesa e çiftit është e rreme, ai/ajo i kërkon çiftit të paraqitet për një intervistë tjetër. Gjatë intervistës së dytë, çifti intervistohet veç e veç, mbi aspekte shumë intime të lidhjes së tyre. Më pas, përgjigjet e tyre  krahasohen për të parë nëse ka mospërputhje. Prandaj është shumë e rëndësishme një përgatitje e mirë.

Pasojat e një martese të rreme

Cilado prej palëve në martesë (qoftë shtetasi/ja amerikan/e qoftë ai/ajo i/e huaj) mund të akuzohet për mashtrim nëse i hynë martesës për t’i shpëtuar ligjit amerikan të emigracionit. Martesa e rreme është një krim serioz që mund të çojë në:

Refuzim të aplikimit për green card,

Dënim deri me 5 vjet burg dhe gjobë deri në 250 mijë dollarë.

Akuza të tjera penale si mashtrim për vizë, strehim të një të huaji, ose deklarata të rreme (secila nga këto vepra penale vjen me dënime dhe gjoba shtesë); dhe

Bashkëshorti/ja me nënshtetësi amerikane merr mbi vete një rrezik të madh duke i dhënë bashkëshortes/it të huaj informacion personal.

Nëse USCIS merr vendimin që martesa është e rreme, atëherë kjo mund ta pengojë nënshtetasin/en amerikan/e dhe bashkëshorten/in që të marrin përfitime të tjera nga emigracioni. Kjo nënkupton që nëse peticioni për martesë shpallet I rremë dhe më vonë emigranti martohet me një qytetar/e amerikan/e të cilin/ën e do vërtet, kërkesa do t’i refuzohet automatikisht për shkak të martesës së rreme të mëparshme.

Nëse emigrantit I hapet një proçes deportimi bazuar në dyshimin që martesa është e rreme, emigranti ka ende mundësi ta bindë gjykatësin që martesa është e vërtetë; dhe madje t’i kërkojë gjykatësit t’i japë green card bazuar në këtë martesë (nëse nuk ka pengesa të tjera që ta bëjnë ligjërisht të pamundshme) Gjykatësi e shqyrton me vëmndje çështjen. Emigrantit i kërkohet të dëshmojë nën betim, të paraqesë prova si dhe të pyetet nga prokurori që përfaqëson qeverinë e SHBA-së.

Terroristët dhe krminelë të tjerë i përdorin martesat e rreme si mjet për të hyrë në SHBA, shpesh duke përfituar edhe nga gatishmëria e shtetasve amerikanë për t’u përfshirë në skema martesash të rreme për para. Më pas ata mund të fshehin identitetin e tyre, mund të marrin autorizime të paligjshme pune, si dhe mundësi për t’u futur në godina qeveritare, mund të hapin llogari bankare dhe aktivitet biznesi për të zhvilluar aktivitet të mëtejshëm kriminal. Ata do të mbajnë përgjegjësi përpara ligjit.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Politikë

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Nga Gezim Sadikaj: Si perfaqsues i banorve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.Shebull tipik i kesaj masakre eshte dhe familja Billa prej 20 antaresh!Mervet Billa dhe Izet...

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

Globi

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

NATO sulmoi trupat serbe në vitin 1999 për të parandaluar një “katastrofë humanitare” në Kosovë. Krahasimi me Ukrainën është i gabuar.   Pas disa muaj negociatash, të cilat nuk dhanë rezultate, më...

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

Ekonomi

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

    Rritja e kostove, frenimi i konsumit, ulja e fitimeve ka bërë që bizneset të reduktojnë investimet në makineri e pajisje. Ulja e konkurrueshmërisë nga bizneset vendase po i lëshon gjithnjë e...