A duhet që arkitektët të punojnë për regjime despotësh?

Hënë, 27 Janar 2020 17:25

Rrugica në qiell të puthura nga dielli, pjata me ushqime deti, udhëtim me helikopter privat nga plazhi – faqja e Instagramit e arkitektit danez Bjarke Ingels shpalos aventurat e tij më të fundit në Amerikën Latine.

Por është edhe një fotografi tjetër, të cilën ai nuk ka qenë kaq i hapur për t’ua treguar 730 mijë ndjekësve në Instagram: ajo që ku ka dalë me Jair Bolsonaron, presidenti i ekstremit të djathtë i Brazilit, me buzëqeshjen e sikletshme të dikujt që sapo ka siguruar komisionin e fundit të madh nga një tjetër despot i neveritshëm, në këtë rast ai që mburret se është një homofob krenar.

Image

 
 

Sipas një deklarate nga ministria braziliane e turizmit, Ingels e vizitoi Brazilin për të bërë një tur në disa shtete e për të diskutuar strategjitë për zhvillimin e turizmit në bregun verilindor, në partneritet me Nômade Group, i cili së fundmi ka ndërtuar një resort luksi me qasje ekokogjike në Tulum, Meksikë, ku janë rrënojat e një qyteti me mure të Majave.

 

“Ata janë pionierë të këtij mjedisi të pabesueshëm”, thotë Ingels në telefon nga Santiago i Kilit.

“Është një model i zhvillimit të turizmit që nuk zëvendëson pyjet apo rërën, por i ruan dhe forcon ato. Është një alternativë shumë e mirëpritur kundër hoteleve të lartë që mbijnë në plazhe në shumë vende”.

Një përqasje tillë me vetëdije ekologjike nuk duket në harmoni me regjimin reaksionar të Bolsonaros. Që nga ardhja në pushtet në janar, presidenti i Brazilit konfirmoi frikën se ai do të ishte një “Trump tropikal”. Ai u ka dhënë role të rëndësishëm mohuesve të ndryshimeve klimatike, hodhi poshtë statistikat e shpyllëzimeve si  lajme false dhe shkarkoi kreun e institutit që kreu studimin për shpyllëzimin. Vitin e kaluar, ai minimizoi zjarret më të forta të dekadës së fundit në Amazonë, duke e quajtur thirrjen globale për ndihmë si ekzagjerim mashtrues i medias. Një herë deklaroi se më mirë do të donte t’i vdiste djali se sa ta kishte gay, kundërshtoi fuqishëm shndërrimin e Brazili në një “parajsë turizmi të homoseksualëve” dhe prezantimi së fundmi nga ana e tij i edukatës seksuale të bazuar te abstinenca është krahasuar me “kthim 40 vjet prapa”.

Atëherë çfarë bën me një figurë të tillë Ingels, vizionar i një bote progresive liberale?

“Unë jam i lumtur të ndaj ide dhe ideale me çdo qeveri që është e gatshme të dëgjojë, sidomos kur kanë pikëpamje të kundërta”.

“Nëse ka ndonjë përgjegjësi që lind nga platformat krijuese që kemi krijuar, është ajo e përdorimit të asaj platforme për të ndryshuar botën për më mirë”. Ai thotë se liderët politikë të shteteve verilindore të Brazilit janë “nga spektri i kundërt politik” me Bolsonaron, duke shtuar se “idetë e mëdha shkojnë përtej partive politike”.

Gjatë viteve të fundit, Ingels është shndërruar nga dizenjuesi i ri i blloqeve të apartamenteve në formë malesh në rrethinat e Kopenhagës në arkitektin e famshëm të kërkuar nga disa nga korporatat më të mëdha në botë.

Image

Tashmë 45 vjeç, ai shfaqet si fytyra e gjithçkaje nga Hyperloop te WeWork, dhe aktualisht po dizenjon një seli me përmasa qyteti për Google në Kaliforni. Pastaj është edhe qyteti i bërë tashmë për Toyotan në Japoni, mu në rrëzë të malit Fuji. Por më i guximshmi nga të gjithë, siç më thotë, është masterplani me të cilin po punon për të gjithë Tokën – përkohësisht me titullin "The Masterplanet".

Image

Statusi i tij si njeriu që duhet thirrur është ndoshta ai që e bën edhe më tërheqës për një bazë në rritje klientësh autokratë. Të dy llojet e klientëve kanë të përbashkët një dëshirë të pashuar për t’i dhënë formë botës sipas vizionit të tyre, qoftë për sa i përket makinave autonome të së ardhmes, apo një bote ku pyjet tropikalë të Amazonës shihen si një virgjëreshë që duhet shfrytëzuar, siç shprehet mohuesi i krizës klimatike Bolsonaro.

BIG (Bjarke Ingels Group) është i angazhuar edhe në disa projekte madhore në Arabinë Saudite, përfshirë një qytet-resort të ri të quajtur Qiddiya, 45 km nga Riadi, me nofkën kryeqyteti i ri i argëtimit. Është edhe një projekt konfidencal që Ingels e përshkruan si “ekosistem i bërë nga njeriu që është aq afër utopisë sa ç’mund ta imagjinosh”. Do të ishte kjo një utopi që përfshin – sipas ligjeve saudite – mbytjen për dehje, prerjen e dorës për vjedhje dhe vrasje pa gjyq për këdo që kritikon regjimin?

Image

“Unë besoj sinqerisht se transformimi urban i Arabisë Saudite në të cilin po marrim pjesë është pjesë e hapjes së rrugës për një reformë sociale e kulturore qartësisht të domosdoshme në vend”, thotë Ingels.

Pas vrasjes së sanksionuar nga shtetit të gazetarit Jamal Khashoggi më 2018, ai thotë se studioja e tij debatoi nëse duhej të tërhiqej nga projektet (siç bëri Norman Foster), por në fund vendosi se mund të ishin më të dobishëm duke vazhduar angazhimin.

“Rruga e ndikimit etik si arkitektë është t’u propozojmë të ardhmen që duam kompanive dhe qeverive, edhe kur kemi pikëpamje të ndryshme”, thotë. “Ne duhet t’i pranojmë diferencat që kemi nëse duam të krijojmë një të ardhme ndryshe”. Është e lehtë t’i hedhësh poshtë fjalët e tij si naivisht optimiste, por ai e ka një të drejtë: arkitektura dhe qytetet i jetojnë shumë më gjatë se ideologjitë që i krijuan ato. Por ato edhe fuqizojnë politikën e sponsorëve të tyre.

Ingels nuk është kurrsesi i vetmi. Arkitekti francez Jean Nouvel është bërë i preferuari i monarkëve të Gjirit Persik, ku ka projektuar Louvre Abu Dhabi, Muzeun Kombëtar të Katarit dhe tani një resort luksoz në Arabinë Saudite.

Në të shkuarën ai i ka anashkaluar çështjet e të drejtave të njeriut si “çështje të vjetrea”, duke i bërë jehonë Zaha Hadidit, arkitektit të stadiumit në formë vagjine në Katar për Kupën e Botës 2022. “Unë s’kam të bëj fare me punëtorët”, tha Hadid kur u sfidua për faktin që qindra punëtorë të huaj kishin vdekur në kantieret e stadiumeve në Katar. “Mendoj që kjo është punë për qeveritë. Nuk është detyra ime si arkitekt që të merrem me të”.

Image

Arkitekti holandez Rem Koolhaas ishte po aq i sinqertë për punën e tij në Kinë kur u pyet për projektimin e një selie gjigante të televizionit shtetëror kinez, organi kryesor i propagandës shtetërore.

Duke ndarë të njëjtat besime si Ingels se arkitektët mund të ndikojnë për ndryshime nga brenda, Jacques Herzog e krahasoi punën e tij për Folenë e Zogut – siç quhet ndryshe stadiumi olimpik i Pekinit për Lojërat Olimpike 2008 – me një kalë Troje. Ai tha për revistën gjermane Der Spiegel se “vetëm një idiot” mund ta refuzonte projektin për arsye morali, duke shtuar se projektet e firmës së tij krijojnë “të gjitha llojet e kamareve” dhe “vendtakimeve”, të fshehura nga syri i qeverive.

Kjo është një temë që përsëritet. Sa herë që ngrihet çështja e etikës, shumica e arkitektëve që punojnë në klima shtypëse besojnë se projektet e tyre mund t’i tejkalojnë abuzimet e regjimeve vendase dhe ta përmirësojnë jetën e përditshme të popujve që jetojnë atje. Dilema është të bojkotosh apo të angazhohesh. A duhet që një arkitekt që mendon për mirë të shmangë punën me çdo sistem me të cilin nuk janë dakord – apo të shpresojë se kushtet e punëtorëve, apo liria e shprehjes, mund të përmirësohen duke përdorur platformat e tyre për ngritjen e këtyre temave.

“Është thjesht retorikë sipërfaqësore”, thotë Jeremy Till, dekan i shkollës së artit Central Saint Martins në Londër dhe autor i Architecture Depends, i cili shpjegon marrëdhënien midis parasë dhe pushtetit. “Ideja se një ndërtesë e vetme do të bëhet emancipuese për një shtet totalitar është qesharake”.

Për sa i përket punës së Ingelsit në tropik, Till nuk ka shumë shpresa. “Është fantazi të mendosh se duke bërë një projekt të mirë ekologjik në verilindje të Brazilit do ta shpëtosh atë vend nga fashizmi”, thotë ai.

Ingels mendon ndryshe. “Nuk e di nëse do të kemi sukses në sjelljen e ndryshimeve pozitive, apo do të sjellim një alternativë të madhe për zhvillimin tradicional që shkatërron peizazhin dhe çrrënjos komunitetin lokal. Por e sigurt është që nuk do të kemi sukses nëse nuk e provojmë”.

Përshtati në shqip SYRI.net

https://www.theguardian.com/artanddesign/2020/jan/27/despot-dilemma-should-architects-work-for-repressive-regimes-bjarke-ingels?fbclid=IwAR2MaT1DwhaagfNpRex2NXTLypuv61xcRZ9DGURDdFMeUt3M6HIY9B8dQec

 

Login to post comments

Lajmet e fundit

Toni Kroos njofton fundin e karrierës/ BILD: Po largohet lideri i kombëtares...

Sport

Toni Kroos njofton fundin e karrierës/ BILD: Po largohet lideri i kombëtares...

Nga Christian Falk, BILD   Ai ka qenë prej vitesh një nga yjet tanë më të mëdhenj aktivë të futbollit në mbarë botën. Por jo për shumë kohë...  Lideri i kombëtares Toni Kroos...

Fluksi i pushuesve nxit turizmin detar/ Sigurimi i Përgjegjësisë për mjetet lundruese, çka ju nevojitet për një lundrim të qetë

Sociale

Fluksi i pushuesve nxit turizmin detar/ Sigurimi i Përgjegjësisë për mjetet lundruese, çka ju nevojitet për një lundrim të qetë

Vrulli i turizmit gjatë viteve të fundit në Shqipëri ka nxitur zhvillimin e aktiviteteve të turizmit detar për qëllime çlodhëse dhe argëtuese.  Sipas Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit deri më tani...

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...