Zbardhet raporti/ Kopshtet e çerdhet në kryeqytet, KLSH: Ja problemet kryesore

Tuesday, 28 Janar 2020 18:39

 Në një kohë kur vendet e tjera punojnë për të përsosur teknikat e edukimit dhe zhvillimit të të vegjëlve në kopshte e çerdhe, vendi ynë nuk siguron dot kushtet bazike.kopesht

Gati të gjitha elementet që duhet të garantojnë rritjen e mirë të fëmijëve, rezultojnë të jenë jashtë standardeve, që nga mbipopullimi tej kapaciteteve, kushtet higjieno-sanitare, mjetet didaktike e shumë të tjera, që i kanë nxjerrë në dritë audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit, pas një monitorimi 5- mujor në kopshtet e çerdhet e Tiranës dhe Vlorës. Sidoqoftë, bashkia e kryeqytetit nuk është se s’ka bërë asnjë përpjekje, por ato janë fokusuar më tepër në fasadat e godinave (përmes nismës së adoptimeve nga bizneset).

MONITORIMI

“Bashkitë Tiranë dhe Vlorë nuk kanë arritur të garantojnë një shërbim efektiv në kopshte dhe çerdhe”. Kjo është përgjigjja e pyetjes kryesore audituese që përmbledh në një fjali të vetme situatën në mjediset e edukimit të fëmijëve të arsimit parashkollor. Bashkia e Tiranës, që është një ndër subjektet e auditimit, bashkë me Qendrën Ekonomike për Zhvillimin dhe Edukimin e Fëmijëve (për këtë të fundit nënvizohet të ketë përmirësime) i ka lënë pas dore fëmijët e Tiranës. Përveçse iu ka dhënë pak zë në buxhetin total, më të vegjlit e kryeqytetit zënë shumë pak vend në strategjinë e zhvillimit të qëndrueshëm të bashkisë.

“Në këtë dokument, nuk identifikohet asnjë prioritet tjetër strategjik, që lidhet me të gjithë gamën e shërbimeve që ofrohet nga Bashkia apo QEZHEF, qoftë kjo në logjistikë, shëndetësi, ushqim etj. Krahas kësaj, nga grupi i punës evidentohet se nuk ka një kuadër ligjor e rregullator të posaçëm që orienton dhe përcakton ofrimin e të gjithë shërbimit në çerdhe dhe kopshte, që nga përcaktimi i organeve administruese e në vazhdim me ato pjesëmarrëse në këtë proces, si dhe ato monitoruese”, citohet në raportin e auditimit. Më e keqja është se Bashkia Tiranë e sheh veten të veçuar nga QEZHEF, të cilin e ka institucion varësie. Kjo e fundit mbështet veprimtarinë në 5 objektiva pothuajse të njëjtë, vit pas viti, të cilët bëhen prezent në analizën vjetore të punës së QEZHEF dhe merren në analizë në vitin pasardhës, përsëri gjatë kësaj veprimtarie.

USHQIMI

Pas shumë përplasjeve që rrodhën pas ndryshimit të menysë në kopshte e çerdhe, pas ballafaqimit të fakteve, KLSH-ja thotë fjalën e vet. Sipas saj, nisma e QEZHF për shtimin e frutave dhe perimeve në meny nuk është kompetencë e saj. “Aplikimi i ndryshimeve në menynë ushqimore është detyrë dhe përgjegjësi e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Theksojmë se QEZHEF nëpërmjet specialistëve të saj, apo rasteve të sugjerimeve nga prindërit, përfshihet në konsultime dhe diskutime për mundësinë e ndryshimeve në meny në grupet e punës që ngrihen për këtë qëllim, megjithatë miratimi përfundimtar është përgjegjësi e MSHMS. QEZHEF nuk mund të ndërhyjë as në llojshmërinë dhe as në sasinë e ofruar e produkteve ushqimore”, citohet në raportin ku nënvizohet se përgjegjësia e QEZHEF është vetëm monitorimi i cilësisë dhe pastërtisë së gatimeve dhe zbatimi me rigorozitet i menysë ushqimore. Nga verifikimet e ekspertëve të KLSH-së në terren, janë vënë re mangësi në përcaktimin e metodologjisë së veprimit në rastet e fëmijëve me intolerancë ushqimore. Grupi i auditimit konstatoi se edukatorët vepronin sipas mendimit të tyre në këto raste delikate.

KOSTO TË FSHEHURA

Përveç pagesës mujore, të përcaktuar me vendim nga Këshilli Bashkiak, prindërit përballen me kosto të fshehura për mbulimin e pjesës më të madhe të nevojave të fëmijëve. Gjatë shqyrtimit të dokumentacionit që administrojnë përgjegjësit e kopshteve dhe çerdheve në të dyja qytetet e marra në auditim, u vu re se rregullisht mblidhen kontribute nga prindërit, për të siguruar ujë të pijshëm, mjetet didaktike të përditshme të fëmijës (letra, lapsa, ngjyra, lodra, plastelina, gërshërë e shumë mjete të tjera), pajisje dhe orendi të tjera si lavatriçe, frigoriferë, soba ngrohje apo riparimi i tyre, arredime të ndryshme etj.

MBIPOPULLIMI

Problemi më i madh i prindërve nuk janë vetëm kushtet, por edhe mbipopullimi. Këtë e kanë hasur audituesit thuajse në çdo mjedis. Zotimi i Bashkisë për shtimin e institucioneve të edukimit parashkollor duket i largët. “Bashkia Tiranë nuk ka arritur t’i përgjigjet me të njëjtin hap zgjerimit urbanistik që po i ndodh qytetit, duke bërë që nevojat për shtimin e këtyre ambienteve të jenë shumë më të larta se ajo çka ofrohet aktualisht. Kjo edhe si pasojë e neglizhencës së këtij institucioni, pasi referuar Strategjisë së Zhvillimit të Qëndrueshëm të Bashkisë Tiranë 2018-2022, ky institucion ka parashikuar ndërtimin e 8 çerdheve dhe 7 kopshteve të reja nëpërmjet PPP-ve, inkorporimin e disa kopshteve brenda godinave të shkollave 9-vjeçare, si dhe ndërhyrjet e nevojshme infrastrukturore në 2 çerdhe dhe 11 kopshte ekzistuese deri në vitin 2020. Deri më tani, këta objektiva janë larg përmbushjes së tyre”, thuhet në raport. Nga vëzhgimi në disa çerdhe e kopshte, u vu re prania e krevateve portative të gjumit, që përbëjnë një shqetësim madhor për shëndetin fizik të fëmijës, pasi sjellin dëme të pariparueshme në formimin fizik. Shpesh, i njëjti ambient shërben edhe për aktivitetet ditore, edhe për fjetje.

KONKLUZIONE

• Bashkia Tiranë dhe Vlorë nuk kanë dokumente me prioritete strategjike për këtë çështje, me përjashtim të një objektivi të vetëm në Strategjinë e Zhvillimit të
Qëndrueshëm të Bashkisë Tiranë 2018-2022, i cili lidhet vetëm me shtimin e kapaciteteve.
• Ka mangësi në bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacioneve me njësitë vendore nga ana e organeve të ndryshme që kryejnë inspektime apo monitorime.
• Menyja ushqimore që aplikohet në kopshte dhe çerdhe nuk ka asnjë përcaktim të qartë se si veprohet për rastet e fëmijëve me intolerancë ushqimore apo alergji të ndryshme.
• Krahas tarifës së ushqimit, pjesën më të madhe të nevojave në kopshte dhe çerdhe e garantojnë prindërit dhe jo bashkia, të cilët paguajnë për ujë, lodra, mjete didaktike, pajisje dhe orendi të tjera si lavatriçe, frigoriferë, soba ngrohjeje, kondicionerë apo riparimi i tyre, arredime të ndryshme etj. Ky fenomen haset më i reduktuar në Bashkinë Vlorë.
• Asnjë nga Bashkitë nuk i ka kushtuar vëmendjen e duhur efektivitetit të këtij shërbimi kaq të rëndësishëm, duke mos e konsideruar zhvillimin e tij si një prioritet strategjik dhe duke mos e mbështetur atë në objektiva afatgjatë të mirëpërcaktuar.
• Objektivat e QEZHEF nuk lidhen fare me fushën e saj të përgjegjësisë, duke vështirësuar në këtë mënyrë matjen e progresit dhe efektivitetit të këtij shërbimi.
• Gjatë vitit shkollor, prindërit përballen me “kosto të fshehura” për pjesën më të madhe të nevojave që ka një shërbim i tillë si ujë, lodra, mjete didaktike, pajisje dhe orendi të tjera si lavatriçe, frigoriferë, soba ngrohje apo riparimi i tyre, arredime të ndryshme, etj.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Media

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Flet Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”   Ndonëse pandemia ka ndikuar në kërkesën për më shumë komoditet, kërkesat janë që edhe rehatia të jetë me marka. Kështu shprehet...

Çfarë do bëhet me dosjen ‘Xibraka’!

Politikë

Çfarë do bëhet me dosjen ‘Xibraka’!

Nga Flamur Vezaj: Dosja ‘XIBRAKA’ nuk ka vetëm emrin e Olsi Ramës! Aty ka edhe plot te tjerë, te njohur e te panjohur, biznesmen, ndërtues, kriminel e krerë bandash qe veprojnë akoma...