DITARI I KORONA-VIRUSIT/Përditë ndriçohet e vërteta se jemi vetëm përballë autokracisë

E Enjte, 02 Prill 2020 15:01

Nga Ilir Nikolla

Tiradat me miq e miqësi të sprovuara e afatgjata nuk e kaluan dot provën e korono-virusit. Edhe propaganda e shpëlarë e qeverisë shqiptare me dërgatën e mjekë-infermierëve, sado arrogante e jo pa rezultat, nuk na shmang dot nga objektivi i ditës: jemi vetëm.
Strukurat e Bashkimit Evropian nuk mundën të kishin kohezionin e kërkuar për një krizë të tillë dhe Italia në vetë të parë e ka kuptuar se investimi afatgjatë në ato struktura kishte qenë dritëshkurtër, sa kohë ai investim nuk ishte garantuar edhe për ditë të tilla të vështira si këto të sotshmet.
Italisë do t’i duhet të merret më vonë me hallin e madh se ç’të bëjë me këtë investim, si ta riskedulojë ata apo edhe ta braktisë atë front (ç’ka s’e besoj) si jo të dobishëm, por qysh tani, zhgënjimi nga strukturat e BE-së po refleton negativisht edhe në nahijen e Shqipërisë. Kancelaritë e Brukselit i ka mbuluar turpi këto dy ditë, sepse ndihen krejt të pafuqishme të ndalin yryshin e kryeministrit hungarez Orban, i cili, në sheshin e korona-virusit ka gatitur përsheshin e marrjes së të gjitha kompetencave të institucioneve, për një afat të pacaktuar. Me fjalë të tjera, njëra nga demokracitë më të shëndetshme të ish-Evropës Komuniste deri para pak vitesh, tashmë gjendet përkohësisht në fazën e pezullimit dhe Brukseli s’ka asnjë fuqi ta ndalë këtë realitet, as të protestojë, lëre më të ndërmarrë ndonjë hap më të madh. Edhe në zona të tjera, “burrat e fortë” apo siç tha Edi Rama me një gjuhë që s’e kishim dëgjuar as në kohën e Merhumit, “babai i kombit” ishte i lirë të merrte vendime që kushtojnë falimentime biznesesh, shpronësime qytetarësh e bile edhe jetë njerëzish, pasi është “koha e koronavirusit”.
Shoqëritë po gjenden vetëm në këtë klimë terrori. Edhe tentativat për t’i ofruar popullsisë një numër më të lartë testimesh për virusin u sulmuan si përhapje paniku, pasi duket se nisma s’kishte pasë marrë lejen e midesë së kryeministrit. Kritikat e opozitës në Shqipëri nulifikohen si këngë gjinkallash të dëmshme, ndërkohë që një eksponenti të saj i kujtohet prej bashkisë që të heshtë, pasi ajo kishte në dorë edhe ushqimin për xhaxhanë e tij të moshuar. Paralizimi i mediave, mbyllja e të gjitha gazetave në vend (një precedent i tillë ka ndodhur vetëm një herë, më 1997-n, e vetëm për pak javë), po shoqërohet me një shtetrrethim që s’e gjen shoqin as në Itali e as kurrkund tjetër.
Por kjo klimë i intereson pushtetit. Disa publicistë përmendnin këto ditë se koronavirusi po verifikohej si aleat i autokratëve, por unë them se autokratët ashtu kanë qenë edhe më herët, njësoj të dëmshëm e njësoj hajdutë, por e vërteta është se koronavirusi po na ndihmon për të nxjerrë në dritë skeletin e kalbur të sistemit që po ndërtojmë. Kulmi i demokracisë tonë është në kalbje dhe për këtë s’na e ka fajin koronavirusi. Edhe se shoqëria shqiptare kishte ngatërruar gabimisht fitoren e demokracisë si një fitore të përhershme e që s’do të njihte kurrfarë rreziku, kjo s’është përgjegjësi e koronavirusit. Virusi i ri, sado virulent që është, s’ka faj pse “babai i kombit” na do të gjithëve të izoluar në shtëpi e me ëndrrën e vjetër që të hamë vetëm një herë në ditë, mundësisht vegjetariançe e me tollon. Ashtu si jo çdo e keqe vjen për keq, virusi ka nxjerrë në dritë rrezikun e madh që na kanoset nga një klikë që e ka alergji demokracinë. Ai po na thotë gjithashtu se gjendja duhet rregulluar së brendshmi, prej nesh, pasi edhe të tjerët kanë zbuluar këto kohë se s’i kanë aq mirë punët.
Dhe siç na vjen leksioni nga e e drejta jonë zakonore, “i paralajmëruari është gjysëm i shpëtuar”.

 
Login to post comments

Lajmet e fundit

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...