DITARI I KORONA-VIRUSIT/Në Javën e Madhe të Pashkëve hyn edhe tradhtia

Hënë, 06 Prill 2020 12:07

Nga Ilir Nikolla

Pamjet e të Dielës së Larit për shqiptarët nuk u shenjuan dje vetëm nga karantina dhe nga meshat e pazakonshme online. Në ekranet e televizorëve dhe në të njëjtat rrjete sociale, të dilnin pranë e pranë, jo vetëm mesazhet e Papa Françeskut se gjithçka do të bëhet mirë, prandaj mos hajdeni në kishë këto ditë të Javës së Madhe, por edhe klithmat e bashkatdhetarëve tanë, të cilët kanë mbetur në tokën neutrale në pikat kufitare midis Greqisë dhe Shqipërisë, pasi atdheu amë, kisha dhe xhamia e tyre, ua mbylli derën, pa paralajmërim. Duke besuar në shenjtërinë e lidhjes mes atdheut dhe shtetasve të vet, unë qeshë nga të hershmit që pata reklamuar detyrimin e Shqipërisë për të tërhequr të gjithë shtetasit e saj, kudo që ishin bllokuar nëpër botë, në këto kohë pandemie, emigrantë të hershëm a turistë të vonë qofshin ata, por tani e kuptoj se kjo lidhje, sado e shenjtë qoftë, duhet kultivuar, përndryshe ajo e humbet kuptimin e rrjedhimisht edhe nuk respektohet nga palët. Jo veç emigrantët e hershëm, por në kufi janë bllokuar edhe turistët e vonë, edhe hallexhinjtë, të cilëve shteti amë u skërmit dhëmbët dhe i lë jashtë, sepse s’di të përkujdeset për shtetasit e vet as në kohë qetësie, lëre më në kohë pandemie.
Përqasja e apelit të Papa Françeskut drejtuar besimtarëve “mos hajdeni në kishë” me kërcënimin e Edi Ramës drejtuar emigrantëve tanë nëpër botë “mos guxoni të vini në Shqipëri” më bëri të ndalesha më fort tek prania e tradhtisë në kremtimet e Javës së Madhe të Pashkëve. Për tradhtinë e Judës ndaj Krishtit nuk flas sepse për të dimë mjaft e ndaj të cilës edhe ruhemi, sepse është një tradhti e pritshme, e paralajmëruar në librat e shenjtë e ndaj të cilës, jo veç besimtarët, por i gjithë Perëndimi i ka krijuar antikorpet në udhëtimin e vet mijëravjeçar. Në kohët e pandemisë, tradhti të tjera kanë dalë mbi ujë e po na rrënojnë gjithë sigurinë e përditshmërisë, të ardhmes së afër, bile edhe ëndrrat që kultivojmë në sirtar. Atdheu nuk është i shenjti që lusnim, shteti nuk është rojtari që na bën ta bëjmë gjumin e qetë, duhma e zezë e virusit ka rrënuar ritualet dhe mbi të gjitha, në këtë atmosferë garancitë tonë, liritë tona, janë nxjerrë në pazar, për pak më shumë pushtet e për pak më tepër cmirë.
Në Javën e Madhe të Pashkëve, para ringjalljes duhet të merremi me tradhtinë. Jezusi u tradhtua nga institucioni fetar dhe institucioni politik njëkohësisht. Dita e shqiptarit është e mbushur me plot verifikime tradhtish. Ata s’lejohen të hyjnë në atdhe, ata që janë brenda s’lejohen të hapin dyqanet, gjobiten pa shkak e nëse s’i paguajnë gjobat se s’kanë, gjobiten sërish e më pas kalojnë në dorë të kompetentëve që e kanë dorën e rëndë. Biznesmenët tradhtohen nga rojtari shtet, se ai është i paguar nga oligarku, fqinjësia e mirë është zëvendësuar nga një xhungël ku ligjin e bën keqbërësi i lidhur me taksidarin, ndërkohë që tentativat që në hapësirat ku frymohet shqip të mendohet për të ardhmen mbyten nga pazari i gjësë së gjallë me territore, si shkalla finale e tradhtisë.
Java e Madhe është një rrugëtim i vuajtjes, një via crucis që duhet kaluar, por para së gjithash duhet kuptuar. Jemi ende tek e hëna, prandaj më mirë të ndalemi e të kuptojmë tradhtinë që po ngre piedestalet e veta kudo në hapësirat ku frymohet shqip. Përderisa këtë vit jemi të çliruar nga detyrimi për të shkuar në kishë, le ta nisim çlirimin tonë duke hequr ndonjë tullë në muret e kështjellës-tradhti. Më pak duva për autoritetin që na ka tradhtuar është një hap më shumë në via crucis-in drejt shpëtimit.

P.S: Në foto, afresku "Puthja e Judës", e Giotto-s

 
Login to post comments

Lajmet e fundit

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Media

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Flet Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”   Ndonëse pandemia ka ndikuar në kërkesën për më shumë komoditet, kërkesat janë që edhe rehatia të jetë me marka. Kështu shprehet...