Besimi në ekonomi nga bizneset dhe konsumatorët bie në nivele minimale historike nga Covid-19

Tuesday, 07 July 2020 08:37

Goditja që i ka dhënë ekonomisë Covid-19 ka bërë që treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) gjatë tremujorit të dytë të shënojë nivelin më të ulët historik që prej fillimit të matjes së tij në vitin 2002, raportoi Banka e Shqipërisë.

Tkurrja e treguesit me 50.2 pikë e zhvendosi atë pranë vlerës 52.6 dhe ndjeshëm nën mesataren e tij afatgjatë (Grafik 1). Kontraktimi i TNE-së pasqyroi si përkeqësimin e besimit të bizneseve, më në veçanti në sektorin e shërbimeve, ashtu edhe besimin e konsumatorëve. Besimi i bizneseve dhe i konsumatorëve shënoi nivelet më të ulëta në kohë.
Treguesi i besimit në sektorin e industrisë (TBI) thelloi rënien gjatë tremujorit të dytë, duke rezultuar 24.0 pikë përqindje më poshtë nivelit të një tremujori më parë. TBI-ja ra nën mesataren afatgjatë të saj për të parën herë pas 6 vitesh dhe shënoi nivelin më të ulët historik (Grafik 2). Kontraktimi i fortë i treguesit i atribuohet kryesisht rënies së balancës së prodhimit, me 50.7 pikë përqindje, dhe në një masë më të vogël, rënies së balancës së kontratave porositëse, me 28.9 pikë përqindje. Komponenti tjetër përbërës i TBI-së, balanca e gjendjes së inventarëve, kontribuuoi në kahun rritës për dinamikën e treguesit. Rënie të ndjeshme shënuan edhe balanca të tjera të vrojtimit të industrisë, si gjendja financiare, kontratat porositëse nga eksportet, pritjet për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm, ashtu edhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve rezultoi rreth 64.0%, niveli më i ulët historik. Ndërkohë, balanca e pritjeve për ecurinë e prodhimit në tremujorin e ardhshëm u përmirësua lehtësisht.

Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit (TBN) ra me 29.5 pikë përqindje gjatë tremujorit të dytë, duke u zhvendosur edhe më poshtë mesatares së tij historike (Grafik 3). Tkurrja e fortë e TBN-së pasqyroi kryesisht rënien e balancës së aktivitetit ndërtues me 50.7 pikë përqindje. Në kahun rënës kontribuuoi edhe balanca tjetër formuese e TBN-së, kontratat porositëse, ndonëse rënia e saj me 8.3 pikë përqindje gjatë tremujorit rezultoi relativisht më e zbutur. Balancat e tjera të vrojtimit për këtë sektor, si gjendja financiare, punësimi dhe pritjet për të në tremujorin e ardhshëm, si edhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve shfaqën gjithashtu dinamika rënëse gjatë periudhës në analizë. Rënia tremujore e shkallës së shfrytëzimit të kapaciteteve në nivelin e 56.6%, e zhvendosi treguesin nën mesataren historike me 7.3 pikë përqindje.

Treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve (TBSH) shfaqi tkurrjen më të fortë midis treguesve të besimit gjatë tremujorit të dytë, me 56.6 pikë përqindje, duke shënuar edhe nivelin më të ulët historik (Grafik 4). Përkeqësimi i TBSH-së pasqyroi rënien e të dy komponentëve përbërës të tij, balancës së ecurisë së biznesit, me 58.0 pikë përqindje, dhe balancës së kërkesës, me 55.3 pikë përqindje. Rënie shënuan edhe balancat e tjera të vrojtimit në sektorin e shërbimeve, si gjendja financiare, punësimi dhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve qëndroi pranë vlerës 70.2%, rreth 6.0 pikë përqindje poshtë mesatares historike të saj. Ndërkohë, pritjet e bizneseve të shërbimeve për ecurinë e kërkesës dhe punësimit në tremujorin e ardhshëm rezultuan të përmirësuara.

Treguesi i besimit në sektorin e tregtisë (TBT) u tkurr me 19.8 pikë përqindje gjatë tremujorit të dytë, duke shënuar minimumin historik për kohën e kryerjes së vrojtimit të besimit në këtë sektor (Grafik 5). Dinamika rënëse e TBT-së u përcaktua pothuajse tërësisht nga rënia e balancës së ecurisë së biznesit me 38.4 pikë përqindje, në një kohë që rënia e balancës tjetër formuese, pritjet për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm, rezultoi relativisht më e lehtë. Edhe balancat e tjera të vrojtimit në tregti, si gjendja financiare, punësimi dhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve shënuan rënie. Bizneset e përfshira në aktivitetet tregtare rezultojnë të kenë shfrytëzuar kapacitetet e tyre prodhuese me normën më të ulët të shënuar në kohë, rreth 65.0%. Ndërkohë, balanca e pritjeve për ecurinë e biznesit në tremujorin e ardhshëm shfaqi përmirësim.

Treguesi i besimit konsumator (TBK) thelloi tendencën rënëse gjatë tremujorit të dytë, duke shënuar gjithashtu nivelin më të ulët historik në kohë (Grafik 6). Rënia e TBK-së me 6.3 pikë përqindje pasqyroi përkeqësimin e të katër komponentëve përbërës të treguesit, përkatësisht balancës së situatës së përgjithshme ekonomike të pritur në vend, me 10.0 pikë përqindje, balancës së situatës financiare të pritur të familjes, me 7.9 pikë përqindje, balancës së blerjeve të mëdha, me 6.8 pikë përqindje dhe balancës së të ardhurave dhe shpenzimeve, me 0.8 pikë përqindje. Monitor

Login to post comments

Lajmet e fundit

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Media

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Flet Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”   Ndonëse pandemia ka ndikuar në kërkesën për më shumë komoditet, kërkesat janë që edhe rehatia të jetë me marka. Kështu shprehet...