Shifra alarmante/ Në 55 nga 61 bashki, numri i popullsisë pësoi rënie drastik

Diel, 25 August 2024 12:12
 

Harta e re e popullsisë që doli nga Cens 2023 tregon se në bashkitë e Veriut, investimet duhet të përqendrohen në arsim, kurse në Jug te të moshuarit. Përqendrimi i lartë i popullsisë në Tiranë-Durrës shtron nevojën për investime më të mëdha në infrastrukturë, teksa sektori i arsimit duhet të reformohet krejtësisht në ofrimin e shërbimeve. Pesë bashki kanë më pak se 5 mijë banorë, ndërsa një e katërta e bashkive (15) kishin më pak se 10 mijë banorë. Në 7 bashki, Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Fier, Kamzë dhe Vorë, jeton 52% e popullsisë, ndërsa në 54 bashki e tjera jeton 48% e popullsisë. Nevojat e reja në arsim, shërbime dhe infrastrukturë.

 

Nga Blerina Hoxha

Institucionet publike të vendit do të duhet të lexojnë me vëmendje hartën e re të popullsisë të Cens 2023, për të riformatuar politikat arsimore, shërbimet sociale dhe sidomos investimet në infrastrukturë.

Qendrat e mëdha, sidomos Tirana dhe Durrësi, që nga viti 2011 janë shtuar më tej, teksa investimet në infrastrukturën e këtyre qyteteve nuk kanë ecur me të njëjtin ritëm.

Të dhënat e reja tregojnë se në Bashkinë e Tiranës jeton një e katërta e popullsisë nga një e pesta në vitin 2011. Në Durrës jeton 6.4% e popullsie së vendit nga 6.3% më 2011, ndërsa në të gjitha bashkitë e tjera, popullsia ka pësuar rënie. 

Në shumë prej tyre sinjalizohet mbyllja e shkollave për shkak të rënies së numrit të fëmijëve dhe në shumë të tjera duhet të investohet në rrjetet e shërbimeve sociale për moshat e vjetra.

Kryesisht në Bashkitë e vogla të Jugut dhe Juglindjes, Himarë, Finiq, Pustec, Dropull, Selenicë, Libohovë, raporti i varësisë së të moshuarve (përqindja e popullsisë +65 ndaj forcës së punës) është shumë i lartë me mbi 50%.

Të dhënat tregojnë se, qeveria duhet të rrisë investimet në arsim në qytetet e Veriut, Hasit, Kukësit, Dibrës, Kamzës dhe të shtrijë shërbimet për të moshuarit në Jug të vendit.

Bizneset do ta kenë më të lehtë të gjejnë punonjës në Tiranë pasi popullsia në moshë është e përqendruar në këtë rajon.

Pasi zgjati zbulimin e të dhënave paraprake së paku me 6 muaj në krahasim me vitin 2011, INSTAT nuk publikoi një nga të dhënat më të rëndësishme të Cens 2023, popullsinë që banon në zonat rurale dhe ato urbane, teksa më shumë se gjysma e botimit të parë të Cens ju kushtua nivelit arsimor të popullsisë së paaftë për punë.

Urbanisti Gent Kaprata tha se të dhënat e censit nxorën në pah atë që urbanistët kishin lajmëruar. Ritmet e larta të ndërtimeve në Tiranë nuk justifikohen me popullsinë rezidente nga Censi 2023. Ai tha se në të gjithë vendin janë investuar në apartamente e shtëpi që nuk duhen rreth 40 miliardë euro.

Në një intervistë të posaçme të mëparshme për “Monitor”, drejtoresha e INSTAT Elsa Dhuli, tha se reduktimi i popullsisë dhe jo vetëm, pasi struktura e popullsisë ka pësuar një sërë ndryshimesh, me zvogëlimin e raporteve të varësisë së të rinjve dhe rritjen e raportit të varësisë së të moshuarve, mund të ketë ndikime të shumta dhe komplekse në treguesit zyrtarë të vendit, si dhe në shërbime të ofruara, sistemin arsimor, kujdesin shëndetësor parësor, skemën e pensioneve, zhvillimin urban, etj.

Bashkitë që rrezikojnë të shuhen

Reforma e re territoriale e vitit 2014 reduktoi ndjeshëm numrin e njësive vendore nga rreth 370 në 61 bashki. Ish-komunat u shndërruan në njësi administrative dhe shërbimet publike të fshatrave u përqendruan në qytete.

Zhvendosja e shumë shërbimeve në qendrat e katër rajoneve është bërë shkak për imigrim të brendshëm të popullsisë, duke ndikuar që disa bashki të vogla të reduktohen edhe më tej në numër popullsie.

Të dhënat e Cens 2023 tregojnë se popullsia mesatare për një bashki ra me 39,337 banorë, nga 45,885 më 2011 me një reduktim 14.1%. Por për disa bashki, reduktimi ka qenë më i fortë.

Pesë bashki të vendit, Pusteci, Libohova, Këlcyra, Fushë-Arrëzi dhe Konispoli kishin më pak se 5 mijë banorë, ndërsa një e katërta e Bashkive (15) kishin më pak se 10 mijë banorë.

Nga ana tjetër, vetëm 5 bashki kanë më shumë se 100 mijë banorë, Tirana me 598,176, Durrësi me 153,614, Shkodra me 102,434 dhe Fieri, me 101,963 banorë.

Bashkitë e Shkodrës, Elbasanit, Durrësit, Vlorës dhe Fierit kanë pësuar rënien më të madhe të popullsisë në numër me të dhënat e Cens 2011 dhe 2023. Në anën tjetër, rritjen më të madhe të popullsisë në numër e ka Bashkia e Tiranës, Dropullit, Himarës dhe Sarandës.

Në përqindje, bashkitë me tkurrjen më të madhe të popullsisë ndërmjet dy censeve janë Bashkia e Selenicës, me 48%, e Pustecit me 43%, Pukës me 44% dhe Rrogozhinës, me 43%.

Në anën tjetër, popullsia e Bashkisë së Dropullit rezulton të jetë rritur me 135%, ajo e Himarës me 45%, Bashkia e Sarandës me 11% dhe ajo e Tiranës, me 7.3%.

Popullsia sipas bashkive tregon se Shkodra ka pësuar rënien më të madhe në numër. Në Bashkinë e Shkodrës, në tetor 2023, u numëruan 102,434 banorë nga 135,612 banorë në vitin 2011.

Shkodra është kryeqendra e Veriut dhe një nga qytetet më të mëdha shqiptare me rëndësi sa i përket kulturës, historisë dhe pozitës gjeografike.

Gjithashtu Bashkia e Shkodrës është nga më të pasurat me burime natyrore dhe me potencial të lartë zhvillimi. Por të gjitha këto përparësi nuk kanë mjaftuar për largimin e banorëve.

Pas Shkodrës, rënien më të madhe të popullsisë në numër e kishte Elbasani me rënie 26,613 persona ndërmjet dy censeve. Në vitin 2023 në këtë qytet u numëruan 115,101 banorë nga 141,714 të tillë që ishin në cens 2011.

Bashkia e Durrësit u pakësua me mbi 21 mijë banorë. Elbasani dhe Durrësi janë pjesë e zonës metropolitane. Banorët e këtyre dy qyteteve kanë më shumë mundësi punësimi se në rajonet e tjera me periferike.

Bashkia e Tiranës, më e madhja në vend, e cila është një qendër graviteti në krahasim me të tjerat për emigracionin e brendshëm, është shtuar vetëm me 40 mijë e 754 banorë nga viti 2011 deri në 2023.

Rritja e popullsisë së kryeqytetit nuk është një lajm i mirë për ndërtuesit në kryeqytet, të cilët kanë ndërtuar për projeksione të gabuara deri më tani me të dhëna që Tirana rritet me 20-25 mijë banorë në vit.

Të dhënat e cens 2023 tregojnë se ka rritje të ndjeshme të popullsisë në bashkitë ku dominon minoriteti grek. P.sh. në Bashkinë e Dropullit në vitin 2023 u numëruan 8259 banorë, ndërsa në vitin 2011, vetëm 3503 banorë.

Teksa popullsia e gjithë vendit është pakësuar me të paktën 14.8% nga 2011 në 2023, në Bashkinë e Dropullit popullsia është rritur me 135%.

Gjithashtu popullsia në Bashkinë e Himarës në vitin 2023 rezultoi 45% më e lartë se në vitin 2021. Në këtë bashki nga të dhënat e Cens 2023 rezultuan 8328 banorë, nga 5738 banorë që ishin në vitin 2011.

Në Bashkinë e Sarandës, popullsia ndërmjet dy censeve u rrit me 11.8% ose me 2386 banorë më shumë.

Nga 61 bashki, vetëm në 6 bashki popullsia shënoi rritje ndërmjet censeve, ndërsa në 55 prej tyre ishte në rënie.

Përveç bashkime me popullsi minoritare dhe Tiranës, rritje ka shënuar edhe popullsia e Bashkisë së Beratit (+2201 banorë) dhe Dimalit (840 banorë).

Login to post comments

Lajmet e fundit

Paditet kryebashkiaku i Nju Jorkut/ Hetimi federal dhe dyshimet për financimin e fushatës

Globi

Paditet kryebashkiaku i Nju Jorkut/ Hetimi federal dhe dyshimet për financimin e fushatës

    Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Eric Adams është paditur për të paktën një akuzë penale dhe është vënë nën hetim federal. Adams do t'i dorëzohet autoriteteve në fillim të javës së ardhshme...

Kraja: Degradim i shtetit ligjor! Korrupsioni i Ramës dihet nga ndërkombëtarët, por ata shpeshherë e mbyllin një sy

Politikë

Kraja: Degradim i shtetit ligjor! Korrupsioni i Ramës dihet nga ndërkombëtarët, por ata shpeshherë e mbyllin një sy

    I ftuar në edicionin e pasdites në SYRI TV me moderatorin Edvin Parruca për të folur për shpërqëndrimin që po i bën Rama shqiptarëve me 'Shtetin Bektashi', mes skandaleve që...

Xhuljan Guçe: Qytetarët e Korçës nuk pranojnë më premtime “pe leshi”

Politikë

Xhuljan Guçe: Qytetarët e Korçës nuk pranojnë më premtime “pe leshi”

Nga Xhuljan Guçe: Në një deklaratë të fundit, drejtuesi i Partisë Socialiste në Korçë, z. Niko Peleshi, njoftoi se partia e tij synon të sigurojë 6 mandate në këtë qark, duke...