Në linjën e autobuzit, Kukës-Tiranë, pritjes të tarifës dhe frikës së çmimit të biletës

Premte, 11 May 2018 10:51

Si çdo mëngjes, në rrugët e qytetit të Kukësit, një qytet me afro 25 mijë banorë, në një nga rrugët e qendrës së tij, autobusët e linjës Kukës-Tiranë dhe anasjelltas presin pasagjerët për udhëtimin e radhës.
Personin e parë që takon, sapo afrohesh pranë tyre, janë fatorinot, që dinë me saktësi sa vende janë zënë në autobusin që ka orarin e përcaktuar dhe sa vende janë të pazëna.
Rushiti është një nga fatorinot që prej vitesh punon në një pozicion të tillë. Teksa bashkëbisedon me të, ai thotë, se në ditët e zakonshme autobusi nuk mbushet me pasagjerë, ndërsa fluksi vjen duke u shtuar sidomos në fundjavë.
“Do nisemi pas 30 minutash për Tiranë. Janë zënë disa vende, por të premeten, të shtunën dhe të dielën ka shumë kërkësa”, shprehet ai.
Për Rushitin, por edhe shumë kolegë të tij, udhëtimi drejt Tiranës, pas hapjes së tunelit të Kalimashit dhe ndërtimin e plotë të rrugës së Kombit, ka qenë më i lehtë, pasi më parë duhej të udhëtonin nga Qafa e Malit, një rrugë shumë e mundimshme, udhëtim që zgjaste për 8 orë.
“Ne shpëtuam me rrugën e Kombit. Nga 8 orë në 2 orë rrugë, është mrekulli”, thotë ai.
Por, sipas tij, me tarifimin e rrugës së Kombit gjërat mund të ndryshojnë.
“Deri tani e shfrytëzuam rrugën. Ne e dimë që shteti mbahet me taksa, por më parë duhet të dijë nivelin e banorëve të tij dhe më pas të kishte përfunduar rrugën” thekson ai, teksa shton, se nëse tarifa do të jetë 5 euro, do të kenë më pak pasagjerë.
“Ne nuk mund t’i përballojmë 10 euro vajtje-ardhje. Normalisht, ne pasagjerëve do ia marim në biletë, është shumë 10 euro. Madje, mendoj se ata do reduktojnë edhe udhëtimet nga Kukësi në Tiranë dhe anasjelltas”, shprehet Rushiti.
Teksa hipën në autobus, nuk mund të mos takosh njerëz të moshave të ndryshme, të cilët presin të nisen drejt Tiranës.
Rakipi, një 60-vjeçar, thotë se çdo muaj udhëton drejt Tiranës, pasi ka vajzën studente.
“Unë përdor autobusin për të shkuar në Tiranë. Kam vajzën studente dhe e shkoj për ta vizituar çdo muaj”, thotë ai.
E pyesim, se sa lekë paguan ai për një rrugë, dhe na thotë se çmimi i biletës është 400 lekë, nga 1 mijë që ka qenë në rrugën e vjetër.
“400 lekë paguaj për të shkuar dhe po kaq për të ardhur. Nuk është shumë. Dikur, bënim 8 orë rrugë dhe paguanim 1 mijë lekë, tani udhëtojmë 2 orë dhe paguajmë 400 lekë”, shprehet ai.
Por, për Rakipin, nëse tarifa e rrugës do i faturohet atij, nuk e di nëse do shkojë ta takojë kaq shpesh vajzën e tij, e cila çdo fundjavë udhëton nga Tirana në Kukës dhe anasjelltas, për të takuar familjen.
“Vallai, nuk e di nëse çmimi do rritet, por di se nëse ai shkon më shumë se 500 lekë, nuk e përballoj dot. Veç le të vijë vajza e të më shohë, se unë pensionist jam. Nuk kam ku t’i gjej lekët”, shprehet 60-vjeçari.
Teksa shikon nga fundi i autobusit, sytë të shkojnë tek një djalë rreth të 20-tave. E pyesim se sa herë në javë e bën rrugën Kukës-Tiranë dhe na përgjigjet duke thënë, se udhëton aq shpesh sa tanimë rruga i është bërë “ushqim” i përditshëm.
“Unë jam në shkollë të lartë, studioj Administrim-Biznes. Tani kemi vetëm leksione dhe erdha pashë familjen. Çdo fundjavë vij dhe shoh familjen”, shprehet ai.

Si ky i ri janë edhe qindra të tjerë, që shumë shpejt pritet të përballen me një çmim më të lartë të biletës, për të shkuar në Tiranë apo kthyer prej saj për në shtëpi.
“Aktualisht paguajmë 400 lekë, por jemi të paqartë se sa do paguajmë më vonë. Thonë se po negociohet, por deri tani nuk ka gjë konkrete”, thotë ai.
Përballë vendimit të parë që qeveria mori, drejtuesit e Shoqatës së Transportit Ndërqytetës, thonë se çdo autobusi i duhet të paguajë në traun e vendosur në Kalimash rreth 900 euro.
Një kosto e tillë është shumë e lartë dhe detyrimisht ajo do i faturohet pasagjerëve që udhëtojnë me këtë linjë.
Kreu i Shoqatës së Transportit Ndërqytetës, Kujtim Mema paralajmëron rritje të çmimit të biletës për të gjithë udhëtarët që duan të shkojnë në Kukës apo që vijnë në Tiranë, nëse tarifa e kalimit në rrugën e Kombit nuk ndryshon.
Mema bën të ditur, se kostoja shumë e lartë dhe e papërballueshme, do të bjerë në kurrizin e udhëtarëve që do përdorin këtë transport duke paguar 100 lekë më shumë.
“Ky çmim në rrugën e Kombit e rrit biletën vetvetiu, pasi unë nuk mund ta paguaj këtë biletë, pasi i bie goxha para në muaj, për një mjet që udhëton për në Kukës. Vlera arrin deri në 1 mijë euro për autobus, është një vlerë e madhe që punon me atë biletë linje. Normalisht, ne detyrimisht atë vlerë do ia shtojmë në biletë pasagjerit.
Sipas Memës, aplikimi i tarifës është një hap i pastudiuar mirë, sakohë që udhëtarët që përdorin këtë rrugë nuk kanë siguri gjatë përshkimit, për shkak se rruga e Kombit ka shumë mangësi, si në sinjalistikë ashtu edhe në mbi e nënkalime.
“Ne jemi me teorinë që kur të vësh pagesë në një rrugë, duhet të kem siguri rrugore. Pagesa vendoset për mirëmbajtje dhe siguri rrugore. Kur ti mirëmban një rrugë që konsumohet, por ama ke edhe barrierën që të mos hyjë asnjë gjë në rrugë dhe ofron siguri rrugore.
Qeveria shqiptare ende nuk ka bërë të ditur nëse negociatat me kompaninë, që ka marë me konçension këtë rrugë, kanë përfunduar, çka mund të sillte ndryshim të vlerës së tarifës që banorët e zonës duhet të paguajnë për të kaluar në këtë rrugë.
Aktualisht, tarifa është 5 euro për automjetet e vogla, ndonëse përkohësisht ajo është pezulluar, për shkak të kundërshtive të banorëve, që u ngritën në protestë dhe dogjën traun e vendosur në afërsi të tunelit të Kalimashit. Flutura Tota, Ekonomix.al

Modifikuar më Premte, 11 May 2018 11:29
Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...