Nga “30 qershori”, te Teatri e arkitektura e italianëve në Tiranë, ambasadori Cutillo: Kujtesa rrezikon të zhduket

Tuesday, 24 September 2019 15:35

ANILA DEDAJ/ Gjatë viteve të fundit, zhvillimi i artit dhe kulturës në vendin tonë ka pasur një aleat të fortë. Vetëm gjatë javës që lamë pas, Ambasada Italiane ka mbështetur dy aktivitete me peshë kulturore, ekspozita “Prova” e Adrian Pacit dhe Festivali i Të Drejtave të Njeriut, kjo pasi siç ambasadori Cutillo thotë, “ky sektor mbart një potencial të pamatë,që ka ende shumë për të dhënë”.

Sigurisht që një diplomat i huaj, me një kontribut të tillë, nuk mund të qëndrojë indiferent as ndaj asaj, që konsiderohet si trashëgimi “e përbashkët”, siç është pasuria arkitektonike e kryeqytetit, përfshirë edhe Teatrin Kombëtar. Sipas tij, Shqipëria moderne lind me Tiranën kryeqytet, kur edhe u ndërtua impianti urbanistik aktual i qytetit, falë urbanistëve dhe arkitektëve italianë, të cilët, siç Cutillo theson, përcaktuan në thelb veçoritë e tij. “Veçori që, personalisht, mendoj se duhet ruajtur jo vetëm për cilësinë arkitektonike, por edhe sepse përbën pjesën historike të qytetit, i vetmi që ka mbetur, me disa përjashtime pararendëse të kësaj periudhë historike”, shprehet ambasadori për “Panoramën”. Po ashtu, në këtë intervistë, ambasadori flet edhe për rastin e Teatrit Kombëtar. Sipas tij, në një vend demokratik, vendimmarrje të këtij lloji duhet të kenë sa më shumë mbështetje, pasi kjo “nuk ka më kthim prapa dhe kujtesa e përbashkët që jeton në ndërtesa historike rrezikon të zhduket”. Cutillo tregon gjithashtu qëndrimin e tij rreth mënyrës sesi u zhvilluan zgjedhjet e 30 qershorit, situatës politike dhe vendimin e drejtësisë për Tahirin.

Zoti Cutillo, Ambasada Italiane është një nga mbështetësit kryesorë të artit e kulturës në vendin tonë. Mund të na thoni diçka më tepër rreth asaj që ju nxit të jepni një kontribut të pasur për këtë sektor dhe objektivat për të ardhmen e këtij shkëmbimi kulturor mes këtyre dy vendeve, Italisë e Shqipërisë?

Para së gjithash, përfitoj nga rasti të shpreh solidaritetin për lëkundjet e tërmetit që goditën Shqipërinë. Italia dhe Shqipëria kanë ngjashmëri edhe nga kjo pikëpamje, ndërkohë që, për fat të keq, kemi përvojën e pasojave të rënda që mund të shkaktohen nga këto dukuri. Kryetari i Këshillit të Ministrave të Italisë, Giuseppe Conte, i ka telefonuar Kryeministrit Rama menjëherë pas lëkundjeve të ditës së shtunë, për të ofruar ndihmën e palës italiane. Sektori kulturor mbart një potencial të pamatë, të cilin, gjatë mandatit tim, jam përpjekur ta zhvilloj më tej dhe ta rris sa më shumë, por që ka ende shumë për të dhënë. Për të sjellë një shembull, gjatë muajit shtator, Ambasada e Italisë është mbështetësi kryesor i Edicionit XIV të Festivalit Kinematografik të të Drejtave Të Njeriut në Shqipëri (IHRFFA) me temë “Ignorance kills”, për të cilën kemi dhënë ndihmesën tonë në përzgjedhje, me rreth 45 filma e dokumentarë në program, mes të cilëve “Il Traditore” (Tradhtari) i Marco Belloçhio-s dhe Dogman i Matteo Garrone-s. Jemi ndërkohë edhe sponsori kryesor i ekspozitës së porsapëruruar pranë Galerisë Kombëtare të Arteve, kushtuar Adrian Pacit, artist shqiptar, i cili jeton edhe në Itali, simbol dhe urë lidhëse mes dy kulturave tona. Në tetor do të kemi një program kulturor të veçantë për të festuar Javën XIX të Gjuhës Italiane, ndërsa në muajin nëntor do të përurojmë Edicionin IV të Javës së kuzhinës italiane në botë. Shqiptarët kanë treguar përherë një dashuri të madhe për artin dhe kulturën italiane; edhe për këtë arsye promovimi i gjuhës dhe i kulturës sonë ka qenë në qendër të mandatit tim në këto 4 vjet. Po kështu, italianët po tregojnë një interes gjithnjë e në rritje për bukuritë natyrore dhe kulturore të Shqipërisë, në shumë raste duke i vlerësuar ato. Po përmend, për shembull, Festivalin e fundit të Letërsisë në Mantova, ku qe e pranishme edhe ministrja Margariti, në të cilin një seksion i veçantë i ishte kushtuar Tiranës.

Cili është roli i gjuhës në këtë shkëmbim kulturor?

Gjuha italiane është pjesë përbërëse kryesore dhe një mjet i shkëmbimit kulturor mes Italisë dhe Shqipërisë. Pjesa më e madhe e shqiptarëve flasin italisht, ndërsa universitetet italiane janë më të ndjekurat nga të rinjtë shqiptarë jashtë vendit. Këtë vit, Ambasada ka regjistruar më shumë se 450 kërkesa të studentëve shqiptarë vetëm për vitin e parë të universitetit. Javën e shkuar përfunduam gjithashtu edhe procedurat për dhënien e bursave të studimit, të cilat, për çdo vit, Ministria e Jashtme dhe e Bashkëpunimit Ndërkombëtar italian i vë në dispozicion të studentëve më të mirë shqiptarë, çka u bashkëngjitet bursave të lëshuara nga qarqet dhe nga universitetet italiane. Edhe brezat e rinj e duan gjuhën italiane: rreth 80 shkolla publike janë pjesë e Programit “Illiria”, i cili parashikon mësimdhënien e gjuhës italiane si gjuhë e parë e huaj, ndërsa 9 shkolla të tjera në Tiranë, Korçë dhe Shkodër kanë seksionin dygjuhësh, ku nxënësit kanë mundësinë e jashtëzakonshme të edukimit sipas një modeli dykulturor, duke mësuar si me programe shqiptare, ashtu edhe italiane, me mësues nga të dyja vendet. Diçka që edhe shkollat më të mira private e ofrojnë me çmim të lartë, por që, falë një marrëveshjeje mes Italisë dhe Shqipërisë, mund ta ofrojmë falas në sistemin publik shqiptar në këto nëntë shkolla të Shqipërisë. Gjuha italiane në Shqipëri duket më pak e përhapur se në të kaluarën, pasi më parë kanë qenë të shumtë ata që e kanë mësuar “në mënyrë pasive”, nga televizioni, ndërsa sot ky realitet nuk ekziston më, mësimdhënia formale është shumë më e përhapur në sistemin shkollor shqiptar, falë një investimi të rëndësishëm të qeverisë italiane, që konsiderohet strategjik nga vendet tona. Ambasada e Italisë në Tiranë e rrit më tej vlerën e këtij investimi përmes projekteve të vazhdueshme, të cilat kanë për qëllim formimin e mësuesve shqiptarë, si dhe duke bashkëpunuar në mënyrë të qëndrueshme me Ministrinë shqiptare të Arsimit për të pasuruar dhe përafruar sistemin arsimor shqiptar me atë të Bashkimit Europian.

Cili është qëndrimi juaj rreth asaj që po ndodh me trashëgiminë e përbashkët mes dy vendeve tona, flasim këtu edhe për ndërhyrjet që po bëhen në arkitekturë?

Shqipëria moderne lind me shndërrimin e Tiranës në kryeqytet, njëqindvjetori i të cilit do të festohet vitin e ardhshëm. Ky moment shënon edhe fillimin e ndërtimit të impiantit urbanistik aktual të qytetit, kryesisht falë veprës së urbanistëve dhe arkitektëve italianë, të cilët, prej këtij momenti e deri në fillimet e Luftës së Dytë Botërore, përcaktuan në thelb veçoritë e tij. Veçori që, personalisht, mendoj se duhen ruajtur jo vetëm për cilësinë arkitektonike, por edhe sepse përbëjnë pjesën historike të qytetit, i vetmi që ka mbetur, me disa përjashtime pararendëse të kësaj periudhë historike.

Në këtë që ju po thoni, a përfshihet edhe rasti i Teatrit Kombëtar?

Nuk më përket mua të them se cilat ndërtesa duhet të restaurohen dhe cilat duhet të shemben për t’u bërë vend godinave të reja. Mendoj se në një vend demokratik, këto vendimmarrje duhet të gjejnë sa më shumë mbështetje, sepse nuk ka më kthim prapa dhe kujtesa e përbashkët që jeton në ndërtesa historike rrezikon të zhduket.

Edhe këto çështje ndikojnë në situatën aktuale, politike dhe civile në Shqipëri. Cili është qëndrimi juaj rreth asaj që po ndodh?

Besoj se kjo fazë delegjitimimi e ndërsjellë vazhdon tashmë prej një kohe tejet të gjatë. Zgjedhjet radikale të opozitës nuk kanë dobi për stabilitetin e vendit dhe kjo e fundit është mbi të gjitha përgjegjësi e maxhorancës. Zgjedhjet e 30 qershorit nuk mbajtën parasysh interesat e qytetarëve, siç nënvizoi edhe raporti përfundimtar i OSBE-ODHIR-it, përplasja politike çoi drejt një klime pasigurie ligjore që ende nuk është sqaruar. Një vendim pozitiv i Këshillit Europian, në tetor, në lidhje me hapjen e negociatave me BE-në, të cilin Italia e mbështet prej vitesh, mund të ndihmojë për të kthyer faqen dhe për të favorizuar dialogun politik, por shpresoj që kjo hapje të mund të realizohet edhe para 18 tetorit.

Është i kuptueshëm fakti që diplomacia përpiqet të shmangë ndërhyrjet në vendimet e brendshme, megjithatë krijohet një ide/qëndrim për sa i përket mënyrës sesi zhvillohen zgjedhjet, shitblerjes së votave apo rolit të drejtësisë.. 

E kam thënë disa herë dhe po e përsëris sërish, nuk më takon mua të ndërhyj. Si përfaqësues i një vendi mik, që ka përzemër stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë, e ndiej për detyrë të shpreh shqetësimin tim kur shoh që diçka e rëndësishme nuk funksionon ashtu siç duhet. Sot janë sjellë në vëmendjen e publikut disa raste, në të cilat politikanë dhe funksionarë duket se janë përfshirë në shkelje të rënda të ligjit, por këto raste nuk gjejnë zgjidhje për shkak të mungesës së efikasitetit të sistemit gjyqësor. Vendimi i shpallur së fundmi ndaj ish-ministrit Tahiri, në lidhje me të cilin sigurisht që nuk do të shprehem, mund të përbëjë një hap përpara në afirmimin e një drejtësie, që nuk ndalet përballë “të paprekshmëve”. Kjo situatë, e cila dëmton edhe personat e akuzuar në mënyrë të padrejtë, që nuk arrijnë të përftojnë njohjen e pafajësisë së tyre, konfirmon nevojën për të përparuar me shpejtësi me reformën e thellë të drejtësisë, që ka nisur tre vjet më parë dhe kjo është e mundur vetëm nëse mbështetet nga të gjitha partitë politike dhe nga shoqëria civile.

U përqendruam te Shqipëria, pjesë e së cilës mund të themi se është tanimë edhe komuniteti italian. Çfarë mund të përmirësohet sipas jush për sa u përket kushteve, “mikpritjes” së fqinjëve?

Me siguri jemi një ndër komunitetet e huaja më të shumta në numër. Pavarësisht se nuk kemi praninë e atyre dhjetëra mijërave italianëve, siç kam dëgjuar të flitet shpesh, ne gjithsesi kemi një komunitet prej rreth tre mijë italianësh, të cilët janë rezidentë të përhershëm apo me qëndrim të vazhdueshëm në Shqipëri (INSTAT-i ka regjistruar 1.709 qytetarët italianë në Shqipëri, në vitin 2018). Kjo shifër rritet nëse marrim parasysh edhe ata që kanë interesa ekonomike dhe profesionale në vend dhe që vijnë shpesh, paçka se nuk banojnë këtu. Përfaqësimi domethënës i kompanive dhe i profesionistëve mes italianëve në Shqipëri tregon potencialin e lartë ekonomik të vendit. Sidoqoftë, për fat të keq, më duhet të theksoj një përkeqësim të klimës së biznesit: shumë shpesh ka raste të sipërmarrësve që përballen me konkurrencën e huaj me mjete dhe presitone të paligjshme që, me një sistem administrativ ende të dobët dhe një sistem gjyqësor të papërshtatshëm, vështirësojnë jo vetëm rritjen, por edhe vazhdimësinë e investimeve aktuale italiane dhe ndërkombëtare. Është i nevojshëm një angazhim më i madh nga ana e autoriteteve për të mbrojtur dhe për të lehtësuar ardhjen e atyre sipërmarrësve seriozë, që dëshirojnë të shfrytëzojnë mundësitë e tregut shqiptar në përputhje me standardet europiane në këtë sektor.

Së fundmi, ç’mund të na thoni rreth jetës suaj në Shqipëri gjatë këtij 4-vjeçari. Cilat kanë qenë vështirësitë, por edhe kënaqësitë që keni marrë nga ky vend?

Kam pasur përvoja të shumta në këto katër vjet, kam mësuar shumë për popullin shqiptar dhe do t’i mbaj me vete këto kujtime. Shqipëria vitet e fundit ka punuar shumë për të përmirësuar kushtet brenda vendit, por mbeten ende shumë sfida të tjera për të ardhmen. Besoj se është e rëndësishme që puna të vazhdojë intensivisht për brezat e rinj, për të parandaluar që të rinjtë të kërkojnë fat dhe sukses jashtë vendit të tyre. Sidoqoftë, unë kam pasur mundësinë të vëzhgoj me sytë e mi sesi integrimi i shumë qytetarëve shqiptarë në Itali ka dhënë fryte pozitive edhe për Shqipërinë. Ata që vitet e fundit kanë vendosur të kthehen në Shqipëri, kanë sjellë jo vetëm gjuhën, por edhe kuzhinën dhe kulturën italiane në duke ndihmuar në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve historike të miqësisë dhe afërsisë midis dy vendeve tona. Do të marr me vete shumë nga historitë që më kanë bërë të kuptoj edhe më shumë intensitetin e lidhjes mes popullit italian dhe popullit shqiptar./ PANORAMA.al

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...