'Tërmet' në Teatrin Kombëtar: Luhet në skenë drama '5 stinët e armikut të popullit'

Premte, 06 December 2019 13:41

Jeton e Blerta Neziraj do të sjellin të premten në Teatrin Kombëtar në Tiranë dramën “Pesë stinët e armikut të popullit”. Po, po, në Teatrin Kombëtar, jo tek Turbina. Edhe unë e pyeta dy herë menaxheren e skenës Lendita Idrizin dhe dramaturgun Jeton Neziraj e mandej vendosa të besoj. (qesh)

Nga Sabina Veizaj 

Tek e pyes Jetonin virtualisht, “ç’ne në Teatrin Kombëtar?”, më shpjegon: “Nuk e menduam shumë gjatë. Kërkuam hapësirë, ku mund të luanim dhe grupimi i Aleancës për Teatrin u treguan të gatshëm të na mirëpresin dhe, sipas asaj filozofisë tonë: ne luajmë ku na duan.”

Disa herë në Tiranë, më thotë Jetoni, madje mjaft shpesh, kemi luajtur “si me zor”, jo pse na kanë dashtë drejtuesit e atyre teatrove.

Por në të njëjtën kohë, dramaturgu kosovar është pro kauzës së Aleancës për Teatrin duke mbështetur mosshembjen e teatrit.

Për të, pak ka rëndësi çfarë mendon ai, madje, thotë Neziraj për gazetën “Si”, është fare pa rëndësi.

“E rëndësishme është që aty ka një grup njerëzish, artistë, që refuzojnë t’u shembet ndërtesa dhe kërkesa e tyre e zëri i tyre duhet të degjohet – ose, në rastin më të keq, duhet të ketë një dialog për këtë çështje. Nëse qytetarët – sado pak të jenë ata- e duan atë teatër, pse duhet shembur me zor?”- argumenton Neziraj i cili përmes dramave të tij është një goditës i fort i politikës në tërësi, asaj në Kosovë, Shqipëri, Ballkan dhe demaskon po ashtu ndikimin negative të ndërkombëtarëve në trevat tona.

Edhe shfaqja më e fundit, “Pesë stinët e armikut të popullit”, e cila është vlerësuar së fundmi në Gostivar me çmimin e regjisorit më të mirë, ka të njëjtën frymë.

Dhe për Shqipërinë, është aq aktuale, saqë do të vijë si një tjetër tërmet, këtë herë në stomakun e gjithsecilit që do ta shohë e nëse qeveritarët do të denjojnë ta ndjekin, do të kenë mundësi të skuqen…

Ngjarjet e dramës ndodhin në Prishtinën e pasluftës, të administruar nga UN-i. Prishtina po kërcënohej nga ndërtuesit e fuqishëm ilegalë të cilët, në kundërshtim me të gjitha rregullat urbanistike, po ndërtonin brutalisht në çdo cep të saj.

UN-i, në emër të politikave neoliberale të tregut, po e toleronte dhe po i krijonte terren të favorshëm këtij shkatërrimi. Por në këtë proces ishin të përfshirë po ashtu edhe shumë prodhues të materialeve ndërtimore nga vendet tjera të Europës, të cilët kishin interes nga ky “rekonstruktim i shpejtë”.

Arkitekti e planifikuesi hapësinor Rexhep Luci po përpiqej të vinte kontroll urbanistik. Për kompanitë e ndërtimit e ato të prodhimit, për kastat e korruptuara politike, për mediet oportuniste, për komandantët e luftës, për zyrtarët e UN-it e për shumëkënd tjetër, ai ishte “armiku”. Rexhep Luci ishte kërcënuar me jetë disa herë dhe pastaj edhe ishte vrarë në hyrje të banesës së tij në Prishtinë.

Prishtina, qyteti që ka fituar luftën, por e ka humbur paqen, është sot qyteti me ajrin më të ndotur në Europë. Kompanitë e ndërtimit vazhdojnë të abuzojnë me dhjetëra mijëra punëtorë të angazhuar në sektorin e ndërtimtarisë, të cilët paguhen keq, punojnë në kushte ekstreme të pasigurisë fizike dhe pa sigurim shëndetësor. Gjatë një viti në Kosovë, në vendin e tyre të punës, vdesin apo pësojnë aksident qindra punëtorë të këtij sektori. Familjet e tyre nuk kompensohen kurrë.

PESË STINËT E ARMIKUT TË POPULLIT, flet për “heroin që komprometohet nga shumica” dhe për “përgjegjësinë e shumicës, si armike e të vërtetës dhe lirisë” (Ibsen, përmes Stockmann). Por kjo shfaqje flet edhe për hipokrizinë e misioneve të paqes të UN-it, të cilat, në emër të stabilitetit politik, në emër të paqes, zhvillimit e të rikonstruktimit, mbyllin sytë përballë dr. Stokmanëve, dhe rrjedhimisht, bëhen pjesëmarrës në vrasjen e tyre.

Albin Kurti, pasi kishte fituar zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, një nga ditët kur “Pesë stinët e armikut të popullit” shfaqej në Teatrin Kombëtar të Prishtinës, pasi e pa, do të thoshte: “Ajri i ftoftë ishte i mbushur me dramë. Para nesh: historiku i rrënimit të qytetit përmes ndërtimit për të ardhmen. Realiteti tragjik i ribërë tragjedi reale. Nga mbrëmë, shfaqja “Pesë stinët e armikut të popullit” e Jeton Nezirajt, e me regji të Blerta Nezirajt, nuk më lë të qetë. Një përpjekje epike për të ilustruar shkatërrimin të cilin e popullojmë dhe mbijetojmë”.

Çfarë do të thonë politikanët tanë mes plagës së hapur që rrjedh ende të ndërtimeve që nuk i rezistuan tërmetit?Gazeta Si

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...