Lufta në anijen blu. E ç’faj ka kapiteni?

Hënë, 31 May 2021 15:28

 

Nga Pranvera SHEHAJ
Politologe, Ekonomiste

U nis anija blu. Ishin të gjithë brenda, disa të kapur dorë për dorë e të tjerë pak të pezmosur. Gjithsesi kapitenit nuk i jepnin asnjë shenjë pezmosjeje, përkundrazi i rrinin pas në mënyrë që kur të mbërrinin në portin e fitores, kushdo ta shihte mirë se kush kishte qenë i preferuari i kapitenit, e i preferuari i kapitenit është gjithmonë ai që kamerat e ekspozojnë më shumë. Ndoshta gaboj kur flas për preferenca, se kur preferenca për bashkëpunim e miqësi ka lindur si produkt i ankandit, të preferuarit i thua “mik“, edhe sikur tek ai “mik“ të mos shihje asgjë vec zotnisë për ta fituar ankandin. Sot për sot, kjo është paqësisht e pranuar në cdo anije, pavarësisht ngjyrës. Megjithatë, gaboj kur flas për preferenca sepse në anijen blu askush nuk është i preferuari i askujt, të gjithë janë të preferuarit e dikujt, e hije gri vërtiten mbi pyetjen se kush ua ka siguruar biletën për t’u nisur detit?

Sot për sot ishte radha e këtij kapiteni, me premtimin se secilit që pret në radhë pas tij, do t’i vijë turni. Po po, do t’i vijë. Sigurisht ka edhe devijime kohore, si ato të ndodhura në anijen rozë, ku vetëm shpirti i atyre pas kapitenit e di sa gjatë po presin për ta zëvendësuar. Hidhu sa në një anë të anijes në tjetrën, sa në një pozicion në tjetrin, por ende jo direkt pas timonit, e ashtu të lodhur nga pritja për të drejtuar ekuipazhin që herë pas here pasurohet me kërpudha të dala pas shiut, luajnë aq paqësisht dramën e tyre personale si të ishte një rol pasioni romantik ndaj kapitenit. Por, le ta lëmë anijen rozë. Edhe pse nga porti atë anije e nisi po i njëjti “prerës biletash”, ekuipazhi i asaj anijeje ka rezultuar me shumë mutacione politike, si ato të rrallat, të paparashikueshmet, të tilla që kanë surprizuar edhe vetë “prerësin e biletave”.

Ekuipazhet e dy anijeve u nisën drejt portit të fitores. Ezaktësisht si në ato eksperimentet e suksesshme shkencore, mbushja e dy anijeve me ekuipazh ishte krejt rastërore (“randomization”, – do thoshte shkenca). Për faj të askujt, qëlloi që në atë rozë të kishte shumë më shumë ekspertë të lojës mjeshtërore: “The Game of Puppets”. I urrejmë a i duam, i mallkojmë a i urojmë, ekuipazhi i anijes rozë e di mirë, e njeh mirë, e jeton me një qetësi admiruese degdisjen e politikës aty ku është, ashtu si është, si “game of puppets”. Eh, sërish unë tek anija rozë…! C’të bëj …? Më intrigon shumë ai ekuipazh, ka kaq shumë mutacione unike politike, kaq shumë kalibër të errët pushteti.

Gjithsesi, rikthehem në pikën e fillimit, aty ku u nis anija blu. I gjithë ekuipazhi i shihte shkrepëtimat dhe rrufetë rozë në qiellin që cuditërisht dukej aq i qetë për të patur ato shkrepëtima. Kapiteni i shihte, të preferuarit e kapitenit i shihnin, ata të radhës së dytë, së tretë, së katërt, i shihnin, por prapë kapitenit i mbulonin të dyja shpatullat e ashtu besnikë e të urtë, të heshtur e të qetë e bënin të besonte se kësaj radhe do e arrinin portin e fitores. Po po, do e arrinin e më në fund secili do merrte atë që kishte pritur prej 10, 15 apo më shumë vite. Ama, si alternativë, nëse nuk e arrinin, shpresa ngrinte krye e niste tek secili prej anëtarëve të ekuipazhit një ekzaltim se erdhi koha e shpërblimit të kompromiseve të fillimit. Heshtnin prej natyrës, heshtnin prej udhëzimeve të “prerësit të biletave”, heshtnin prej mungesës së mendimeve, apo heshtnin sepse ishin në një errësirë të frikshme intelektuale të ideologjisë së anijes ku ishin hipur, këtë nuk di ta them. Jam në terr edhe unë, po aq sa ju, po aq sa janë në terr zakonisht adoleshentët, të cilët besojnë fort se bota pushtohet me ide, me moral, me ideologji e jo me kompromise. Edhe këtu ndahemi, se varet cfarë kuptojmë me “pushtim të botës”, por po e lë më mirë këtë diskurs. Vështirë se mund të elaborohet ne batakun intelektual të “game of puppets”.

Rikthehem tek anija blu. Ecte anija nën shpirtin politik të kapitenit e shkrepëtimat rozë nuk i ndaheshin gjatë gjithë udhëtimit. Ato godisnin kapitenin, po aq sa godisnin këdo tjetër në radhë pas tij, godisnin anijen, po aq sa godisnin këdo që i gëzohej biletës për në portin e fitores. E ç’faj kishte kapiteni vallë? Mos duhet të kishte ndonjë aftësi mbinjerëzore përtej asaj që kishin ata në radhë pas tij? Kushdo në ekuipazh e bënte të besonte se po lundronte mrekullisht e se rrugën për në portin e fitores s’mund t’ua prisnin shkrepëtimat rozë.

Porti nuk u arrit e anija blu, ashtu e zbërthyer prej stuhisë disa vjecare, u ankorua si e dyta. Kaq gjatë, si e dyta…! Kishte nga ata që u habitën se si u zbërthye ashtu ajo anije. Megjithatë, ata që nuk u zhgënjyen, ishin ata që besonin se kapitenët e zotë, kur rrethohen nga ekuipazh besnik, e kur e dinë mirë se ç’do të thotë ngjyra e anijes së tyre nuk humbin. Nuk e shkatërron anijen asnjë stuhi, sepse nuk e rrënon një institucion politik asnjë masakër e cfarëdo lloji, e asnjë ngjyre, nëse ekuipazhi i asaj anijeje e di mirë se nuk mund të humbin përsa kohë drejt portit të fitores nuk shkojnë si “bij ideologjikë” të të njëjtit “prerës biletash” si ata të anijes rozë. E si mund të fitosh kur s’ke dallim? Ardhja në pushtet quhet fitore vetëm kur asnjë kompromis nuk është varrosur në këmbim të tij. Kjo ndodhte dikur, s’di deri kur zgjati, por e di mirë se ndodhte kur politika ishte fushë-betejë e mprehtësisë së trurit, e liderëve që mendjen dhe shpirtin e mbushnin me kënaqësi të tjera, të ndryshme nga ato prej letre. Këto lloj fitoresh i përkasin kohës kur politikani ishte mjeshtër dhe profesor politik (nëse shfleton pak, mëson se “politika është profesion”), vizioni i të cilit konkretizohej në administrim. Sot, s’mund të flitet për fitore. A ka fitore në “game of puppets”? A ka fitore mes administratorëve? Mes administratorëve ka vetëm turn për karrige. E trishtë për ata “nobles”, në shqip “fisnikët e parë“, që themeluan konceptin e partisë si manifest i bindjeve ideologjike. E trishtë nëse do pyesnim: a mund të ketë “fisnikë” në “game of puppets”? S’mund të ketë. E pergjigjia është e trishtë për naivët që besojnë se vitet e fundit ka mbetur dikush që dashuron politikën.

Walter Annenberg, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Mbretërinë e Bashkuar gjatë presidencës Nixon, një figurë e spikatur si diplomat, por edhe investitor i kalibrit elitar, e njëkohësisht filantropist, ka lënë pas një shprehje: “Fuqia më e madhe nuk është fuqia e parasë, por fuqia e politikës”. Me siguri, një dëshmi kjo e fuqisë së politikës që ai njohu si diplomat. E marr këtë leksion e përpiqem ta lokalizoj në anijen blu, dhe pyetja që ngre është: Kush nga ekuipazhi i asaj anijeje e kishte fuqinë politike? E nëse humbja tregon se askush, përse vallë gjyqi i bëhet kapitenit? Ai ka faj, po aq sa ka faj kushdo që e shijoi dhe e shijon biletën për të hipur në anijen blu. E nëse ai s’ka faj sepse stuhia dhe shkrepëtimat rozë masakruan garën e dy anijeve, përse vallë duhet ndërruar turni? Turni mund të ndërrohej, por nga dikush që ose nuk pranoi, ose nuk ia prenë biletën për të hipur në anijen blu drejt humbjeve të njëpasnjëshme. Mesa duket, këta ngelën në portin e nisjes e vëzhgojnë edhe sot “the game of puppets”, herë pas here duke bërtitur nga pak përpos faktit se deti i trazuar i përpin kritikat e tyre. Sigurisht, kapiteni mbytet bashkë me anijen, por kjo ndodh në betejat e vërteta me stuhitë, në luftërat elektrizuese politike, në ato luftra ku talentet politike s’kanë nevojë të presin biletë përsa kohë frymëzojnë një ideologji, përsa kohë ekzekutojnë bindjet e tyre politike, e jo udhëzimet e bileta-prerësit. Kapiteni mbytet, por jo në “the game of puppets”. Andaj, kapiteni s’ka asnjë faj përsa kohë kapiteni i anijes rozë qëlloi (randomly) një mutacion politik. Kapiteni ka faj, po aq sa ka faj ekuipazhi drejt portit të fitores. E kushdo ta zëvendësojë atë në “the game of puppets” s’mund të flasë për fitore, por për ndërrim turni dhe shpërblim i kompromiseve.

Shënim: Diskursin e ngrita mbi besimin se kapitenin po e sfidojnë realisht, vërtet dhe me cdo armë. A gaboj? Mundësitë janë të mëdha që po. Megjithatë mendoj se falet, sepse është e justifikueshme të gabosh kur gjykon jo politikën, por “The Game of Puppets”, ku logjika, talenti, ideologjia dhe morali kanë vdekur nën pushtetin e kompromisit.

Lini komentin tuaj!

Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me fshirjen e komentit tuaj.

Lajmet e fundit

Publikohen pamjet e parcelave me kanabis/ Gazetarja: Bima është në proces tharje, shumë shpejt do trafikohet drejt BE

Kronikë

Publikohen pamjet e parcelave me kanabis/ Gazetarja: Bima është në proces tharje, shumë shpejt do trafikohet drejt BE

Fenomeni i kanabizimit të vendit vazhdon të jetë prezent në territorin shqiptar. Mbrëmjen e sotme emisioni “Në shënjestër”, në News24, ka publikuar pamje nga një kapanon, ku kultivohet dhe thahet...

Ndoka: Rama ka shumë frikë Berishën, Basha pa marrë divorcin u martua me Edin

Politikë

Ndoka: Rama ka shumë frikë Berishën, Basha pa marrë divorcin u martua me Edin

  Ish-kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka teksa komentoi deklaratën e Sali Berishës se ky i fundit do të garojë për të qenë sërish në krye të PD-së, pohoi se kryeministri...

Ironia e Manjanit: Pesë dështimet e Bashës! Trupi i tij u bë autostradë...

Politikë

Ironia e Manjanit: Pesë dështimet e Bashës! Trupi i tij u bë autostradë...

  Nga Ylli Manjani 1. Do kufizonte mandatin e kryeministrit. Jo më shumë se 2 mandate. Por nuk kufizon dot mandatin e vet në parti. Ka hyrë tek i treti pasi humbi...