Energjia hidrike dhe rreziku financiar që i kanoset Shqipërisë

Diel, 16 June 2019 09:05

Në të ardhmen, Shqipëria duhet të veprojë më e vendosur për t’i trajtuar rreziqet financiare nga energjia hidrike. Qeveritë dhe partnerët e tyre të biznesit në sektorin energjetik kanë një menu instrumentesh për zbutjen e riskut, të cilat mund të përdoren më vete apo të kombinuara

Qëndrueshmëria e sektorit energjetik në Shqipëri ka ndikim të madh te rritja dhe konsolidimi fiskal. Ky sektor vijon ta ekspozojë qeverinë ndaj rreziqeve të konsiderueshme financiare. Huadhënia nga buxheti për sektorin energjetik arriti në 0,4% të PBB-së në vitin 2016 dhe 0,6% e PBB-së në vitin 2017.

Çfarë po i shkakton këto rreziqe financiare? Thuajse i gjithë prodhimi vendas i energjisë vjen nga hidrocentralet. Si rrjedhojë, prodhimi i energjisë elektrike është tejet i varur nga ndryshimet në reshje gjatë stinëve e viteve. Kur prodhimi nuk arrin të përmbushë konsumin në periudhat me reshje të pakta shiu dhe kur rezervuarët janë në nivele të ulëta, sektorit energjetik shqiptar i duhet të blejë energji elektrike nga jashtë, me kosto të shtrenjtë, për të përmbushur nevojat në vend, ndërkohë që përdoruesve të rregullt fundorë ua shet me tarifën e rregulluar fikse. Kur reshjet e pakta të shiut përkojnë me çmime të larta ndërkombëtare të energjisë, kjo u shkakton, si pasojë, hendeqe të mëdha financiare kompanive shtetërore shqiptare të energjisë elektrike (shih Figurën 1). Atëherë, qeveria është e detyruar të ndërhyjë.

  • foto galeri



Tre mësimet kryesore

Në të ardhmen, Shqipëria duhet të veprojë më e vendosur për t’i trajtuar rreziqet financiare nga energjia hidrike. Qeveritë dhe partnerët e tyre të biznesit në sektorin energjetik kanë një menu instrumentesh për zbutjen e riskut, të cilat mund të përdoren më vete apo të kombinuara. Mbështetur në përvojën ndërkombëtare për menaxhimin e rrezikut fiskal të energjisë hidrike, si strategjia për zbutjen e rrezikut e hartuar nga Uruguai me mbështetjen e Bankës Botërore, mund të nxirren tri mësime kryesore.

-Së pari, Shqipërisë i duhet të rrisë sigurinë e prodhimit vendas të energjisë, duke e plotësuar energjinë hidrike nëpërmjet një baze energjie të diversifikuar dhe duke forcuar menaxhimin e rezervuarëve të ujit. Shqipëria duhet të nxitë diversifikimin e bazës së saj energjetike, duke e plotësuar energjinë hidrike me burime të tjera energjetike, që janë në gjendje të përballojnë konsumin e energjisë elektrike gjatë periudhave me reshje të pakta. Burime të tjera energjie të pastër, energjia diellore dhe ajo e erës, premtojnë si plotësuese.

 
 

Kjo qasje mund të plotësohet nga investimi në diga dhe rezervuarë, për t’u dhënë shoqërive energjetike kontroll optimal të mundësive për depozitimin strategjik të ujërave për të kompensuar energjinë hidrike gjatë periudhave me reshje të shumta apo të pakta. Duke pasur prodhim të brendshëm të mjaftueshëm për të mbuluar konsumin, qoftë në vite thatësire apo me reshje, vendet mund të shmangin nevojën për të importuar energji elektrike, duke e kufizuar ekspozimin e tyre ndaj çmimeve të paqëndrueshme ndërkombëtare të energjisë.

-Së dyti, sektori energjetik shqiptar duhet të zhvillojë instrumente financiare, për të lehtësuar nevojat për financim. Huadhënia nga buxheti në situatë emergjence për sektorin e energjisë gjatë viteve me reshje të pakta dhe çmime të larta të importit të energjisë, mund të rrezikojë financat publike. Transfertat nga buxheti, po kështu, cenojnë parimin e shpallur nga shumë qeveri se kompanitë e energjisë elektrike duhet të drejtohen mbi baza tregtare.

Në vend të kësaj, vetë sektori energjetik duhet të zhvillojë instrumentet e veta financiare për të lehtësuar nevojat për financim. Një llogari e veçantë, me rregulla kontributi e pagese të përcaktuara qartë, mund të ruajë automatikisht një fraksion të fitimeve gjatë periudhave të tepricës, që, më pas, mund të përdoren për financimin e hendeqeve financiare, për shkak të motit të pafavorshëm dhe çmimeve ndërkombëtare. Një garanci financiare mund të vendosë një prim të zakonshëm kundrejt pagesës së sigurimeve të kompanive të energjisë elektrike gjatë viteve me reshje të pakta dhe çmime të larta importi të energjisë elektrike. Një hua apo linjë kredie e shpejtë mund të sigurojë që kjo kredi të jetë e vlefshme, kur sektori energjetik përballet me hendeqe financimi.

-Së treti, liberalizimi i tarifave të energjisë elektrike, ose një rritje e përkohshme e tarifës gjatë periudhave të thatësirës, mund të ndihmojë për largimin e rrezikut nga sektori energjetik. Ndërkohë që më shumë klientë përballen me tarifat e përcaktuara nga tregu, çmimet e energjisë elektrike do të luhaten, duke pasqyruar kushtet e furnizimit. Në periudhat me prodhim të ulët të energjisë hidrike, çmimet do të rriten, duke krijuar fonde shtesë për kompanitë e energjisë elektrike dhe duke stimuluar konsumatorët që t’i përshtatin mënyrat e konsumit me prodhimin në dispozicion. Në mbështetje të kësaj, tarifat e rregulluara mund të rriten me një shtesë të përkohshme gjatë periudhave me reshje të pakta. Nga ana tjetër, një prim i përhershëm për rrezikun hidrik mund të kompensojë kompanitë për të përballuar paqëndrueshmërinë nga energjia hidrike. Korrigjimet e vogla të tarifave janë shpesh të mjaftueshme për ta mbrojtur sektorin nga kostot e konsiderueshme fiskale.

Rritja e mbështetjes te furnizimi i brendshëm, përfshi përmes diversifikimit të bazës energjetike, do të kërkojë kohë dhe mobilizimin e investimeve të reja të konsiderueshme. Po kështu, kompanitë energjetike mund të hezitojnë të paguajnë kosto paraprakisht për instrumente të shtrenjta financiare, që lehtësojnë nevojat e tyre për financim, për aq kohë sa tarifat e rregulluara nuk pasqyrojnë koston dhe ka një pritshmëri të pashprehur që të ndërhyjë qeveria për t’i shpëtuar. Huatë ose linjat e shpejta të kredisë mund të jenë të shtrenjta, nëse kushtet financiare janë shumë të rrepta, ose nëse sektori energjetik nuk mbledh të ardhura të mjaftueshme për ta shlyer shpejt huanë. Kjo tregon se nevojitet një zbatim i matur, gradual dhe i kombinuar i këtyre kategorive të ndryshme të instrumenteve për zbutjen e rrezikut.

Instrumentet e menaxhimit të rrezikut

Shumë vende po përfitojnë tashmë nga përdorimi i instrumenteve të menaxhimit të rrezikut të energjisë hidrike. Në Shtetet e Bashkuara, shoqëritë vendase të energjisë elektrike, si Roseville Electricity Company në Kaliforni, kanë zbatuar tarifat e korrigjuara të energjisë elektrike hidrike, që kushtëzohen nga moti. Në Kinë, shoqëria e energjisë elektrike, Meiyan, ka blerë sigurime për motin. Në Mali, është hapur një llogari e veçantë për të lehtësuar luhatjet në prodhimin e energjisë hidrike. Për hartimin dhe zbatimin e strategjisë së zbutjes së rrezikut hidrik do të duhet kohë. Shqipëria duhet ta nisë që sot procesin./Monitor

Modifikuar më Diel, 16 June 2019 09:06
Login to post comments

Lajmet e fundit

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Politikë

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Nga Gezim Sadikaj: Si perfaqsues i banorve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.Shebull tipik i kesaj masakre eshte dhe familja Billa prej 20 antaresh!Mervet Billa dhe Izet...

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

Globi

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

NATO sulmoi trupat serbe në vitin 1999 për të parandaluar një “katastrofë humanitare” në Kosovë. Krahasimi me Ukrainën është i gabuar.   Pas disa muaj negociatash, të cilat nuk dhanë rezultate, më...

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

Ekonomi

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

    Rritja e kostove, frenimi i konsumit, ulja e fitimeve ka bërë që bizneset të reduktojnë investimet në makineri e pajisje. Ulja e konkurrueshmërisë nga bizneset vendase po i lëshon gjithnjë e...