Neue Büros & neue Aufgaben als #MondayMotivation: Jan Freigang und Feride Özdemir erklären, wie sie und ihr Team internationalen Fachkräften helfen wollen, schneller ein Visum für Deutschland zu erhalten.
Në kuadër të përgatitjeve për ligjin e ri të migracionit që do të hyjë në fuqi më 1 mars 2020, Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë ka hapur enkas një departament të ri për vizat.
Për të lehtësuar punën e ambasadave të mbingarkuara, Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë ka ngritur një departament enkas për vizat. Këtë e bën të ditur ministria me anë të një njoftimi në Twitter.
Në njoftimin me hashtag #mondaymotivation, Ministria e Punëve të Jashtme gjermane prezanton dy punonjës të saj, Jan Freigang dhe Feride Ozdemi, të cilët do të merren në Berlin me vizat për punëtorët e kualifikuar.
Gjermanisë i nevojiten punëtorë të kualifikuar, kryesisht në sektorin e shëndetësisë, teknikës informative dhe zejtarë të kualifikuar.
‘Ne do të kujdesemi këtu që të përshpejtojmë procedurën për ata kandidatë për të cilët ka nevojë më shumë ekonomia gjermane,’ – thotë Jan Freigang në videoklipin e publikuar në Twitter.
Feride Oezdemir shton se’ kërkesa për vizë bëhet në ambasada dhe kërkesa më pas kalohet në Berlin’.
Ligji i ri i migracionit për të kualifikuarit u miratua në qershor të këtij viti nga parlamenti gjerman dhe do të hyjë në fuqi më datën 1 mars 2020.
Ai parashikon që persona të kualifikuar nga e gjithë bota të marrin një vizë gjashtëmujore për të kërkuar punë, pa pasur nevojë të kenë kontratë pune, sikurse ka qenë deri tani.
Përveç dëshmisë së profesionit ata duhet të kenë edhe njohuri elementare të gjuhës gjermane.