Nuk ndalet 'lumi' i kokainës në portin e Durrësit. Edhe një sasi prej 6.5 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë është sekuestruar nga Policia e Durrësit, në vijim të operacionit policor të koduar “Rada”.
Sasia e lëndës narkotike është zbuluar në një prej kontejnerëve të kompanisë së importit të bananeve, “Alba Exotic Fruit”, në të cilën më 13 korrik u sekuestruan edhe 11 kg të tjerë drogë të këtij lloji. Ndërkohë, 27 shtator 2019, në kontejnerët me ngarkesën e porositur nga kjo kompani u zbuluan edhe 137 kg drogë.
Lënda narkotike është zbuluar pasi Policia lokale ka konstatuar të hapur dy kapakë të njërit prej kontejnerëve për llogari të firmës “Alba Exotic Fruit”, më 17 korrik.
Kontejneri ku u gjet sasia e drogës është rifutur në skanerin e Portit të Durrësit, pas alarmit që ka dhënë një prej qenve antidrogë. Kjo është hera e tretë që kësaj kompanie, që merret me importin e bananeve nga Ekuadori, i kapen lëndë narkotike.
Vetëm në katër muajt e fundit në pikën kufitare të Portit të Durrësit janë sekuestruar plot 1 ton kokainë që vinte nga Amerika e Jugut, ndërkohë që sasia e trafikuar është shumë më e madhe. Katër ngarkesa janë sekuestruar gjatë muajve të fundit. Më 18 qershor u kap sasia e madhe prej 325 kg drogë që kalonte tranzit në territorin shqiptar me destinacion Italinë.
Sasia e kokainës u gjet nga Policia e Durrësit në serbatorin e një kamioni me targa të huaja. Më datë 10 prill një tjetër sasi prej 134 kg e ndarë në 120 pako u kap u sekuestrua po në Durrës.
Më datë 1 prill të këtij viti, në Portin e Durrësit u kap një tjetër sasi më e vogël, 49 kg kokainë, që vinte nga Amerika Latine në një kontejner me banane në pronësi të Selim Çekajt, babait të Arbën Çekajt, ky i fundit i dënuar me 14 vite burg për sasinë 613 kg kokainë në 2018-ën./ l.m