Histori shqiptaro-amerikane/Një patriot si Kol Rodhe që la Shqipërinë për Amerikën

Premte, 29 June 2018 10:02

GAZETA “VULLNETARI” E KOL RODHES NE NATICK-MASSACHUSETTS  DHE TRUPAT VULLNETARE TE VATRËS. 1916-2018, 102 VJET NGA DALJA E GAZETES”VULLNETARI” NE NATICK, MASSACHUSETTS.

-PATRIOTI U MBYLL SI SHUME VATRANE TE TJERE NE BURGUN E BURRELIT- NDERSA DHENDRI I TIJ, POETI GENC LEKA U PUSHKATUA-

NGA DALIP GRECA*

Gazeta “Vullnetari” ishte një tjetër pioniere e shtypit shqiptar në Mërgatën Shqiptare të Amerikës, që mori përsipër mbrojtjen e Shqipërisë në vitet e vështira të mungesës së shtetit. Fillimisht si një buletin informues e më pas një gazetë me pretendime profesionale ajo e kreu detyrën më së miri. Numri i parë i Vullnetarit është publikuar me 18 Shkurt 1916 në Natick-Massachusetts. Ishte e përdyjavshme, botuesi i së cilës fillimisht, në numrat e parë, nuk e shënonte emrin, por mjaftohej me shënimin:” Organ Kombëtar. Botohet dy herë në muaj- Popullore, Politike dhe Satirike. Pajtimi: Kush të dojë dhe sa të dojë.”
Në faqen e parë gazeta botoi programin, ku spikaste qëllimi i botuesit dhe mbështetësve të gazetës: Gazeta ka si qëllim të mbrojë vetëqeverimin dhe tërësinë e Shqipërisë, të forcojë Lëvizjen Kombëtare, të godasë çdo kundërshtar, që pengon Lëvizjen Kombëtare, të demaskojë publikisht para shqiptarëve intrigantët, provokatorët, dhe përçarësit, të mbajë lart nderin e atdhetarëve të shkëlqyer dhe shqiptarëve Kombëtarë etj.
DENONCIMI I MASAKRAVE GREKE
Vullnetari, që në numrin e parë denonconte masakrat e grekëve në Jug të Shqipërisë dhe vajtonte fatin e popullit të masakruar, ndërkohë që godiste fort përçarjet mes shqiptarëve, përfshi dhe tek shqiptarët e Amerikës.
Në numrin e parë Vullnetari shkruante: A e dëgjoni vajtimin e nënave shqiptarka? A e dëgjoni ulërimën e fëmijëve?Keni pak mëshirë për ata që presin dhe shpresojnë në punërat tuaja, në veprat, në shpëtimin tuaj. A është koha tani, or zotërinj, për sharje, për çpifje kundra njeri-tjetrit? Vullnetari sillte në vëmendje vargjet e Vaso Pashë Shkodranit:
Vjen njeri i huaj dhe u rri në Votër
Për me Ju turpnu me gru e me motër,
Mblidhuni ju varza, mblidhuni ju gra,
Me ata syt’ e bukur që dini me kja….
Edhe të vajtoni Shqipninë e mjerë,
Qi ka met’ e shkret’, pa emën e pa ner..
Nuk, nuk , këtë marrni kurkush s’e do…
Kët’ faqe të zezë kurkush se duron….
Editoriali i Gazetës titullohej”Kush na mpron e mprojmë dhe i jemi mirënjohës”. Në të demaskohej pabesia dhe dinakëria turke ndaj shqiptarëve, si dhe politika agresive e shteteve fqinje. Vullnetari shkruante:”Të copëtuar nga propaganda e shteteve lakmonjëse, të prishur e të djegur nga shtetet fqinje Greqia, Serbi Malziu, të shastisur nga propaganda, të lëftuar pa mëshirë nga ata që iu dhanë një shtet të krasitur dhe të pasiguruar, shqiptarët kanë lypur kurdoherë mbrojtje. Shqiptarët kanë nevojë për mbrojtje. Ata shtete që iu sigurojnë shqiptarëve jetën e Kombit, ndere dhe pasurinë e tij, le të jenë të sigurtë se do t’iu jemi “krahu i djathtë” dhe se do iu jemi kurdoherë mirënjohës.”
Në shkrimin”Shqipëria Jugore si varr i Zbuluar”, gazeta denonconte edhe politikën Europiane ndaj Shqipërisë:” Nuk qe mjaft mosvërejtja e Konferencës së Londrës për çështjen e Shqipërisë Jugore, nuk qe e mjaftë krasitja e viseve më të mira, më pjellore, dhe thjesht të shqiptarta; si Konica, Janina- Kryeqyteti i Toskërisë dhe shtrati i Pirros, Mbretit të Shqiptarëve, si Preveza-skela e parë natyrale e Shqipërisë, që padrejtësia Evropiane i bëri theror në duart e armikut, i cili me pahir dhe duke shkretuar gjithçka, po mundohet të na Ç’kombësojë….”
Artikulli me pathos komëbtar mbyllej me thirrjen:” Le të jemi të gjithë të bashkuar në Flamurin e Vatrës, që të mundim të ndalojmë çdo padrejtësi, që i bëhet Shqipërisë,t’i kundërshtojmë me hov çdo armik dhe kundërshtar, që tenton të shtjerë në robëri Shqipërinë a pjesë të saj.
KURORË GJEMBASH-KOKA E ESADIT TRI KACIDHE
Në numrin 6, publikuar me 1 Maj 1916,publikohet informacioni se Gazeta “Vullnetari” kishte për botues dhe editor patriotin korçar Kol P.Rodhe, një nga vatranët e dimrit dhe të beharit. “Vullnetari” u bë një zëdhënës i bashkimit Kombëtar, duke goditur individët apo grupet përçarëse, duke replikuar fort me grindavecët dhe të shiturit tek grekërit. Vullnetari goditi ashpër me artikuj, poezi, karikatura Esad Toptanin dhe ndjeksit e tij, duke i cilësuar si tradhëtarë të Kombit. Numri i dytë i gazetës, i publikuar me 3 Mars, hapej me Esatin: ”Kurorë Gjembash- Koka e Esatit Tri Kacidhe”, ku i numëroheshin të gjitha prapësitë që kishte bërë Esati në dëm të çështjes shqiptare: Që nga tradhëtia e Shkodrës, i propozuar si princ i Shqipërisë nga ana e Serbisë, Malëziut(Malit të Zi) dhe Greqisë, organizator i kryengritjeve në Shqipërinë e Mesme, i dëbuar prej Mbretit(Princ Vidit), i blerë prej Italisë, i marrëveshur me Greqinë(me ndërmjetësinë e Italisë) për rënien e Korçës në duart e grekëve dhe shumë tardhëti të tjera, që numëroheshin prej Vullnetarit dhe që në mënyrë të pamëshirshme e damkoste si tradhëtar…”Ky njeri në vend të kurorës me dafina, meriton kurorë gjembash”, arrinte në përfundim gazeta.
Vullnetari nisi botimin edhe të karikaturave kundër Esatit dhe botoi poezi satirike si:
DERA E TOPTANIT
Nga dera e toptanit
Dolli një egërsirë,
Zu këmbën e Sulltanit
Ha njerës pa mëshirë…

…………………………………….
Kombin fisnik të Skënderbeut
Kurkush se turpërovi,
Vetëm Esati, i poshtri i dhe’ut…
……………………………………………..
Nga raca e bekuar,
Raca e Kastriotit,
Dolli një i mallkuar,
Që vate kundra Zotit….
Poezia, me 10 shtrofa katërshe, nuk e kursente fjalorin e varfër të shqipes së asaj kohe.Gazeta që botohej në Natick të Massachusetts, replikoi fort ashpër me Gazetën Italiane “Corriere delle Puglia”, e cila në pjesën shqipe të numrit të saj të 1 dhe 2 shkurt 1916, shkruante një artikull fort të çuditshëm me titullin”Gegëria në dorë të Austrisë”.Vullnetari shkruan se redaktori i pjesës shqipe S. Gjika na qenkish tepër i friksuar me hyrjen e austriakëve në Shqipëri; dhe kjo s’na çudit, sa na bën të zgurdullojmë sytë, entuziazma e tij që iu jep katilave të Esatit, të lëftojnë, –thotë, burrërisht kundra armikut, se atëherë nderohen armët e Shqipërisë. Esat Pasha, shkruan z. Gjika, i deklaroi luftë Austrisë, dhe po lufton trimërisht kundra armiqëve! E pyesim z. Gjika: Austria, a është aleate e Turqisë? Si guxon t’I bjerë flamurit të Osmanllisë të cilin e ka dhe Esati? Apo e ka ndërruar?! Dhe, në e ka ndërruar, cilin ka në vend të tij? Sa për flamurin tonë(kuq e zi) e dimë se nuk e ka (se do t’I hajë mushkëritë)… Mos ka Flamurin e Serbisë? Apo të Malziut?!
Vullnetari ironizon z. Gjika: “Në të vjen keq për Esatin, shko ndihi, të marrësh dhe një plagë tjetër, si atë që more nga maja e Rashbullit…pa sa për shqiptarët, të lutemi, mos i këshillo se na vjen keq që të vriten bashkë me osmanllinjtë. Në të vjen keq për Shqipërinë dhe shqiptarët, jemi me një ngushëllim; shqiptarët, kush i mbron e mbrojnë; kush iu ndih-e ndihin, kush vritet për ta, vriten ata për të….
VULLNETARI NË MBËSHTETJE TË VATRËS, KUNDËR PËRÇARSVE
Botuesi i “Vullnetarit” mbështese punën Kombëtare të Vatrës, e cila po i dilte për Zot çështjes Shqiptare dhe ishte një avokate e fuqishme në mungesë të shtetit. Gazeta shkruan për bashkimin dhe lufton fort kundër përçarjes, kundër grupimeve. Është koha kur një grup i madh vatranësh,udhëhequr nga ish kryetari i Vatrës në vitin 1913, paralelisht edhe Editor i Diellit, Kristo Dako kritikonte ashpër, vend e pa vend Komisionin e Qendrës dhe në vitin 1917, me bashkëshorten Sevasti Qiriazi dhe mbështetësit e tyre krijuan Partinë Politike, duke i marrë Vatrës një pjesë të konsiderushme të anëtarësisë. Gazeta “Vullnetari” duke ruajtur principet e shtypit të lirë, i pasqyroi veprimtaritë e Dakos me grupimin e vet, ndërkohë që bëri edhe oponencë të fortë ndaj tij.
Në numrin e 3 Marsit 1916, gazeta botoi shkrimi”Konferenca e z. Kristo Dako në Natick, Mass”. Duke përshkruar një nga konferencat e Dakos në Natick, Vullnetari e pasqyron të plotë kronikën,natyrisht edhe fjalën e Editorit dhe botuesit të saj Kol Rodhe, i cili e kritikoi Dakon për artikullin përçarës që kishte botuar në Gazetën”Koha “ të Mihal Gramenos, ku bëheshin kritika për Komisionin qendror të Vatrës dhe hidheshin akuza të pa faktuara. Gazeta përshkruan dhe diskutimin e atdhetarit Kristo Kirka, i cili lexoi një letër që Kristo Dako ia kishte dhënë kur kishin kaluar nga Shqipëria në Europë, me lejen që ta lexonet para shqiptarëve,kurdo që ta shihte të arsyshme. Çudi, pyeti z. Kirka, dikur ne gëzonim besimin tek njëri-tjetri, ndërsa sot jo.Gazeta kritikon veprimine z. Dako, që nuk priti leximin e letrës nga z. Kirka, por shkoi para mbylljes së takimit.
“Vullnetari” u përpoq që në dy vjet e ca muaj që vazhdoi botimi, të rrokte të gjithë ngjarjet në dhe përreth Shqipërisë, të përgatiste shqiptarët e Amerikës për t’i dalë zot Atdheut, u bënte thirrje që të jepnin kontribut financiar për t’ndihë Atdheut, të mënjanonin grindjet mes grupeve e krahinave, besimeve dhe sherreve të kota.
TRUPAT VULLNETARE TË VATRËS
Ashtu si zëri i Vatrës, Gazeta Kombëtare”Dielli” edhe “Vullnetari”ia nisi herët të propagandonte nevojën e përgatitjes të Trupave Vullnetare për të shkuar në Shqipëri dhe për të luftuar për Lirinë e Atdheut të robëruar. Ishte shtruat detyrë për çdo degë të Vatrës në fshatra apo qytete e shtete,të ngrinte grupin e ushtarëve vullnetarë, të cilët duhej të stërviteshin dhe të bëheshin gati për t’u nisur drejt Atdheut me qëllim që ta mbronin nga fqinjët grabitqarë që synonin tokat shqiptare.
Sipas Gazetës'Dielli" vendimi për organizimin e Trupave Vullnetare të Vatrës ishet marrë në mbledhjen e Komisionit të Qendrës me 6 Mars 1915 me propozimin e pjestarëve të Komisionit : Kristo kirka, Kol Tromara, Nick Dishnica dhe Andrea Kristo. Pas propozimit ishte zgjedhë komisioni organizator i vullnetarëve i përbërë nga: Kristo Kirka, Kol Rodhja, Kol Tromara, Kost Chekrezi dhe Vangjel Sotiri. Komisioni qendror që udhëhiqte Vatrën në vitin 1915, kur u mor ky vendim përbëhej nga: Faslli Frashëri, Mice Bardho, Kost Isaak, Costa Th. Ratska(arkëtar), Vani Chekani(sekretar i komisionit), Loni Kristo -sekretar i Vatrës,(Noli dhe Konica ishin në Europë). Komandanti i përgjithshëm i Trupave ishet caktuar Aqif(Akif) Përmeti.
Gazeta "Vullnetari" në numrin e publikuar me 17 Mars 1916, në shkrimin redaksional”Çështja e Vullnetarëve” argumentonte domosdoshmërinë e përgatitjes luftarake të djemve shqiptaro-Amerikënë, që u thirrën Trupat Vullnetare të Vatrës, me qëllim që kur të vinte momenti të marshonin drejt Atdheut dhe këmbëngulte për përshpejtim të përgatitjes. Në artikull argumentohej se humbjet e deriatëhershme të tokave shqiptare kishin ardhë nga mungesa e një ushtrie të rregullt profesioniste dhe të organizuar atdhetarësh. Gazeta shkruante: Shqipëria ka dështuar në mbrojtjen e saj sepse në ushtri janë rreshtuar gjithëfarë tipash, përveç atdhetarëve, edhe kriminelë e plaçkitës, që nuk kishin qëllim të luftonin për Atdhenë, por për pronë e fitime. Ajo kohë duhet të mbetet e shkuar, arsyteonte editori i Vullnetarit dhe shtonte: Tani, besojmë se Trumbeta do të na thërrasë dhe nëqoftëse na gjenë të papërgatitur, të paorganizuar, atëherë nuk është faji i atyre që kanë mjeshtëri tradhëtinë dhe shkatërrimin. Gazeat u bënte thirrje të gjitha kolonive, ku jetonin shqiptarët, të nisnin përgatitjet, me qëllim që kur të binte Kushtrimi të ishin gati.
Duket se përgatitjet e trupave Vullnetare kishin nisë që në vitin 1915. Dalim Në këtë përfundim pasi në numrin e 31 Marsit të Vullnetarit, botohej një kronikë-njoftim- koment, ku flitej për Trupat Vullnetare të Bostonit. Gazeta njoftonte se me 2 prill 1916, në orën 1 e 30 minuta pasdite, Vullnetarëte Bostonit do të festonin motin e ushtrimit të përgatitjeve. Pra me 2 prill 1916, mbushej moti ç’ka nënkupton faktin se trupa Vullnetare e Bostonit ishte krijuar në Prill 1915. Gazeta ftonte të gjithë shqiptarët e Bostonit dhe rrethinave që të merrin pjesë në këtë festë Kombëtare dhe t’i uroninVullnetarët për patriotizmin e tyre. Burrat ishin të lutur që të merrnin me vete edhe zonjat dhe të festohej së bashku. Vullnetarët do të ishin të veshur me uniformat ushtrake dhe do të demonstronin disa ushtrime përpara mbledhjes. Gazeta njoftonte se adresa ishte :Vendi i përgatitjes i Trupave Vullnetare: 995 Ëashington Street, ku Vatra kishte marrë me qera një hangar të madh.
Gazeta uronte nga zemra vullnetarët e Bostonit për atë ditë të shënuar, e cila do të mbetej e paharruar. Kronika mbyllej me urimin:Dhëntë Zoti,që përsëshpejti,djmtë luftëtarë të lirisë, të venë në Shqipëri, për të mbaruar detyrën Kombëtare!
Festa u bë e madhe. Trupat vullnetare të veshura me uniforma të rregullta parakaluan përmes thirrjeve entuziaste të shqiptarëve dhe të amerikanëve që ksihin mbushur dy anët e rrugëë, edhe pse koha ishte me shtërngatë shiu.Banda muzikore shoqëronte parakaluesit.
FLAMURI KOMBËTAR ÇANË RRUGËT E BOSTONIT
Sipas gazetës mësohet se Trupat Vullnetare ishin krijuar pranë degëve të mëdha të Vatrës. Kështu psh në një shkrim polemik të botuar në faqen e parë të Vullnetarit të 20 Mjait 1916, shkruhet se pranë degës së South Bridge ishin grumbulluar 62 Trupa vullnetare. Në atë kohë Vatra kishte rreth 80 degë.
“Vullnetari i kushton rëndësi të veçantë përgatitjes së ushtrisë së organizuar. Krahas përgatitjes të Trupave Vullnetare, gazeta nxit shqiptarët që të shkojnë në shkollë ushtarake për t’u përgatitur si oficerë sepse Atdheu ka nevojë. Në një njoftim të publikuar në Faqen e parë të numrit të 19 Korrikut 1916, gazeta shkruan:”Në doni Atdhenë, Mësohuni Oficerë”. Në njoftim gazeta paralajmëronte se Kapiteni i Xhandarmërisë Shqiptare Lytfi Topojani, i marrëveshur me z. Paskal Jubani, mësonjësin e oficerëve shqiptarë në shkollën ushtarake të Italisë, do të hapnin shumë shpejt shkollë për të mësuar dhe për të nxjerrë oficerë shqiptarëtë mbaruar, shumë të përgatitur.”Ky rast s’duhet t’ju ikë nga dora. Shkolla do të hapet në atë koloni ku do të ketë më shumë kërkesa. Pagesa për një muaj $2.00”, njoftonte gazeta.
“Vullnetari” entuziazmohet nga përgatitja dhe paraqitja në publik e Trupave vullnetare të Vatrës. Në një shkrim të botuar në faqen e dytë të numrit të 18 Korrikur 1916 nën titullin:”Flamuri Kombëtar çanë rrugët e Bostonit”, shkruhet se për të parën herë Vullnetarët e Bostonit dhe të Natick-ut marshuan në Paradë me Flamurin Kombëtar dhe me dy Banda ushtarake. Shiu me rrebesh ksihte përmbytur rrugëtr e Bostonit, por vullnetarët shqiptarë me madhështi çanin ujërat dhe paarkalonin. Për nder të Kombit Shqiptar dhe të Vullnetarëve trima, qeveria e Bostonit, iu dha për atë ditë, nëj Bandë ushtarake. Një shumicë e madhe civilësh shqiptarë shkonin pas vullnetarëve. Amerikanët po habiteshin me këtë paradë në mes të shiut. Gjithandej dëgjoheshin:Urraaaa dhe duartrokitje për Shqipërinë dhe shqipatrët.
Gazeta e mbyllte përshkrimin me urimin:Iu lumtë atdhetarëve që nderojnë emrin shqiptar përpara Botës amerikane. Dhëntë Zoti, që për së shpejti të çajnë rrugët e qyteteve të Shqipërisë.
Gazeta”Vullnetari” me seriozitetin e politikës së saj botuese me propagandën që bën në ndihmë të Atdhut, ç’ka shihej si detyrë për shqiptarëte Amerikës, mori edhe përkrahjen e gazetave amerikane. Njëra prej tyre, “NATICK TRIBUNE” shkruante se “Shqiptarët duke parë Kombin e tyre të shkelur prej fqinjëve, të grabitur prej llojë-llojë ushtrishë, po zgjerojnë idealine tyre Kombëtar në të gjithë qytetet dhe fshatrat e Shteteve të Bashkuara. Veçanërisht në këtë fshat(Natick) ku jetojnë një shumicë mjaft e madhe shqiptarësh,prej shumë kohësh botohet gazeta”Vullnetari”, e cila duhet të përkrahet. Në artikullin e gjatë shkruhej se për punët kombëtare të Vullnetarit dhe përgatitjeje shqiptarëve për t’i dalë zot vendit, do të informojnë në vazhdimësi.
TRUPAT VULLNETARE PËRGATITETISHIN NGA OFICERË AMERIKANË DHE SHQIPTARË
Në numrin 12 të publikimit, gazeta boton në faqe të parë një fotografi të madhe që ka zënë të katër kolonat e gazetës, e cila ka si titull hapës”Disa nga Shpresat e Atdheut”.Poshte fotografisë , nën shënimin:”Një pjesë e Trupave Vullnetarëve- Boston-Natick”, publikohen disa nga emrat e Trupave vullnetare, dhe në mesin e tyre Oficeri amerikan që përgatit Trupat e Ntaick z. Charls Green. Ja disa nga emrat e Trupave Vullnetare: Rako Katundi, Zaharia Chekani, Koli Kuqali, Koli Bodi, Rako Panariti, Lambi Jorganxhi, Toli Prifti, G. John, Sotir Andrea, Filip Theodor, Koli Nochka, Nake Treska, Ilo Burgaleci, Kocho Sterio, Rako S. Treska, Aleks Frashëri, Mihal Gërmenji, Gjimi katundi, Kristo Lara, Vani Grecho, Nasi Dishnica, Naum Pojani, Kristo Trebicka, Idemeno Bratko, Pando Kondili, Gjim Panariti.
Në shënimin redaksional që përcjell fotografinë e Trupave Vullnetare përcillet ideja e domosdoshmërisë për t’i aftësuar ushtarakisht djemtë shqiptarë që t’I dalin zot Atdhut. Nëse të tjerët përgatisin ushtri të mëdha e të fuqishme për të zaptuar tokat e shteteve të vegjël, ne le të përgatisim trupat tona, për t’u treguar atyre se nuk do t’i lejojmë që të na marrin tokat tona. Gazeta shkruante: Duke patur Trupa Vullnetare në të gjitha kolonitë e Amerikës do të heshtin së foluri armiqtë kundër nesh dhe bota njerëzdashëse do të kuptojnë se shqiptarët janë të zot të mbajnë me nder Shtetin e tyre dhe e meritojnë të rrojnë në një shtet të vetin.
Komenti na përcjell dhe një informacion shtesë për organizimin e nëj Kuvendi të madh me pjesmarrjen e të gjithë trupave vullnetare të ngritur pranë degëve. Vullnetari shkruan: Kuvendi i Trupave Vullnetare që do të organizohet, do të vërë tërë fuqinë për shtimin e Trupave dhe për shumëfishimin e Vullnetarëve. Gazeta ftonte atdhetarët më të stërvitur në çështjet komëbtare që të propagandonin nëpër koloni rëndësinë e shtimit të këtyre Trupave, që Atdheu i priste me padurim për t’i dalë zot.
Gazeta do t’i rikthehej disa herë çështjes së përgatitjes së Trupave Vullnetare, herë me entuziazëm, e herë me tone kritike për ato degë ku stërvitja nuk shkonte mirë. Numri i 2 tetorit e trajton me shqetësim ngadalësinë e përgatitjeve dhe bën thirrje për ndërgjegjësim të kolonive shqiptare,që ta përkrahin më shumë Vatrën në nismën e saj për përgatitjen e trupave. Nën Titullin emadh me shkronja kapitale, ” Organizohuni sa është dita”, editori pyet:”Ç’na nevojitet të trajtojmë çështjen e vullnetarëve dhe përse s’përparon shtimi dhe përgatitja ashtu siç e kërkon nevoja e Atdheut…?”.
Gjatë shtjellimit të artikullit sqarohet se e vetmja rrugë është përgatitja dhe shtimi i trupave vullnetare, ndryshe, Shqipëria është e mbaruar. Editori përpiqet që t’i prekë atdhetarët në shpirt. Ai shkruan:”Atdhetarët, që e panë me syshkatërrimin e Shqipërisë prej reaksionarëve,ishin aq të pakët, por edhe të pabashkuar, sa s’mundnin të mbanin duart e gjakosura të tradhëtorëve, dhe kështu të shtërnguar ikën duke lënë Shqipërinë në mes të tymit dhe të flakës të tmerruar. Iknë atdhetarët, posi ata trimat e thyer prej mizorisë së armiqëve dhe shpresat janë varur tek organizimi i një fuqie, qëtë shpëtojë Atdhenë nga duart e tradhëtorëve dhe pushtuesve…
Vullnetari evokon trimëritë e atdhetarëve dhe vajton për fatin e Atdhut: Ardhnë mandatarët, dhe pasi u kallëzuan shokëve të tyre shkatërrimin e pamëshirshëm të Shqipërisë përhapën idenë se i vetmi shpëtim i Shqipërisë është formimi i Trupave Vullnetare. Atheu është duke rënkuar….Editori argumentonte:Atdhetarët që e dëshirojnë ta shohin Shqipërinë si një shtet të Europës, përnjëherësh e rrokën idenë e shenjtë dhe u shkrojtën Vullnetarë për t’i shërbyer Atdheut në Kohë rreziku. Regjistrohu edhe ti atdhetar që të dhimbet Atdheu për ta shpëtuar atë nga vuajtjet!.
Më pas “Vullnetari” informon lexuesit e vet se Kuvendi i Vatrës ndau një fond për të organizuar një Kuvend të Trupave Vullnetare. Por koha po kalon dhe qendra nuk po lëvizte, degët po ashtu. Vullnetari nuk ia kursen kritikat. Gazeta lëshon thirrjen: O burra pra, të mos flemë!
|Gazeta informon në vazhdimësi për përgatitjet e Trupave vullnetare. Në një kronikë nga Jamestoën(Xhejms taun), që publikohej në numrin e 28 Marsit shkruhet se Trupi Vullnetar i kësaj qyteze ku banonin mjaft shqiptarë kishte bërë përgatitje të vazhdueshme dhe kishte shënuar përparime të mëdha. Kjo trupë drejtohej nga oficerë shqiptarë, me në krye oficer Kame Menkulasi, oficeri Sabri Daut Korça dhe tetari Demir Zvezda. Gazeta përhiron komandantin e Trupës Abas Kamenica, oficerët dhe të gjithë Trupën që po i nderon shqiptarët me përparimet që ka bërë. Në kronikën e publikuar informohet komuniteti shqiptar se Banda muzikore”Mbretëresha Sofia” me kryetarin e saj Ysen Belortaja do të organizonte në zyrën e Vatrës të kësaj qyteze “Albanian Pazar”, ku do të ishin të pranishëm edhe trupat vullnetare.
TRUPAT VULLNETARE TE VATRES FORMUAN GARDEN KOMBETARE TE SHQIPERISE
Trupat Vullnetare së bashku me Bandën Muzikore të Vatrës patën si komandant të përgjithshëm Aqif Përmetin, i cili u priu atyre në udhëtimin historik drejt Shqipërisë. Arritën në Durrës rreth 20 Shkurtit të vitit 1920.
Po kush ishte komandanti i Trupave vullnetare të Vatrës? Aqif Përmeti ishte ushtarak i karrierës, që i kishte kryer studimet në Akademinë Ushtarake të Stambollit, nga viti 1903 deri me 1906. Nga akademia doli me rezultate të larta dhe me gradën toger. Që më 1912, në shtetin e pavarur shqiptar, iu përkushtua Atdheut duke u radhitur në radhët e Xhandarmërisë shqiptare. Duke qenë në vijën e parë të luftës kundër shovinistëve grekë, ai u detyrua që pas ikjes së Princ Vidit, me 1914, të linte Atdheun, dhe emigronte në Boston. Menjëherë u përfshi në Vatër dhe vijoi veprimtarinë për çështjen Kombëtare. Më 6 Mars 915 iu caktua detyra e organizimit të Trupave Vullnetare të Vatrës.
Kontributi që dhanë Trupat Vullnetare në vendosjen e qetësisë dhe rendit në zonat Jugore të Shqipërisë ishin të ndjeshme. Ata arritën deri në Vlorë, ku rreshtuan përkrah luftëtareve të Luftës së Vlorës. KëngaHimn"Vlora-Vlora" është kompozuar nga drejtuesi i bandës së Vatrës Thoma Nasi. Ishte ajo këngë që ndezi zemrat e luftëtarve. Komandanti i Trupave Vullnetare dhe organizatori i Ushtrisë Shqiptare, Aqif Përmeti, u shpërblye nga diktatura komuniste me plumba.
* Editori i Gazetes"DIELLI" falenderon z. Emil Nace, nipin e Kolë Rodhes, që bëri të mundur një kopje të koleksionit të Gazetës"Vullnetari", që tashmë ndodhet në Vatër.

Modifikuar më Premte, 29 June 2018 16:50
Login to post comments

Lajmet e fundit

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Politikë

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Nga Gezim Sadikaj: Si perfaqsues i banorve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.Shebull tipik i kesaj masakre eshte dhe familja Billa prej 20 antaresh!Mervet Billa dhe Izet...

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

Globi

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

NATO sulmoi trupat serbe në vitin 1999 për të parandaluar një “katastrofë humanitare” në Kosovë. Krahasimi me Ukrainën është i gabuar.   Pas disa muaj negociatash, të cilat nuk dhanë rezultate, më...

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

Ekonomi

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

    Rritja e kostove, frenimi i konsumit, ulja e fitimeve ka bërë që bizneset të reduktojnë investimet në makineri e pajisje. Ulja e konkurrueshmërisë nga bizneset vendase po i lëshon gjithnjë e...