Nuk u vra me Telinin në vitin 1923, e ekzekutuan komunistët më 1948

Tuesday, 30 Prill 2019 18:32

Nga Kastriot Dervishi

Një promemorie e hartuar nga hetuesit e Sigurimit të Shtetit, pa datë e pa emër kompozuesi kishte përcaktuar fatin e zi të topografit të parë shqiptar, elbasanasit Selim Zyma. “Të dënohet me vdekje” shënonte sigurimsi për të rritur më tepër viktimat e kategorisë së personave të cilët ishin përcaktuar në mendime si properëndimorë dhe sidomos proamerikanë. Procesi montohet i gjithë, me akuza që e bënin inxhinierit informator të gjermanëve, anglezëve dhe amerikanëve, kundërshtar i pushtetit, sabotator i reformës agrare, etj. Në raportin rëndues për të thuhej se ai kishte qëndrim perëndimor dhe se kishte kundërshtuar gjeometrat jugosllavë që punon në Shqipëri dhe paguheshin më mirë se kushdo tjetër. Në lidhje me këtë pikë, tekstualisht thuhet:

“I përmenduri në asnjë rast nuk ka pranuar sugjerimet e gjeometrave jugosllavë dhe këta të fundit kanë konstatuar se ai e ka penguar punën”.

Në datën 25 qershor 1947 zhvillohet seanca e pyetjeve në ngarkim të Selim Zymës në “drejtorinë e burgut të armiqve të popullit”, i lindur më 1897 në Plevnje të Bosnjës, me origjinë nga Elbasani. Në moshën 12 vjeçare kishte filluar shkollën ushtarake në Shkup, Manastir dhe Stamboll. Këtë shkollë e kishte mbaruar më 1917 në Stamboll. Më pas me hapjen e shkollës së artilerisë atje është emëruar instruktor për të mësuar oficerët e ushtrisë perandorake osmane. Në këtë detyrë ka qëndruar deri në pushtimin e Stambollit nga ushtritë angleze, franceze, etj. Me pushtimin e kryeqytetit e deri në vitin 1921 ka vazhduar Fakultetin e Matematikës në Universitetin e Stambollit, duke qenë edhe oficer i lirua me gradën nëntoger. Më 1921 Selim Zyma niset për në Shqipëri, pikërisht në vendlindjen e tij, në një kohë që vendi kishte aq nevojë për të, duke u emëruar oficer teknik në komisionin ndërkombëtar të kufijve. Në këtë komision filloi puna për përpilimin e hartave. Ky komision përbëhej në atë kohë nga gjenerali italian ErikoTelini, përfaqësuesit anglezë dhe francezë si dhe nga pala shqiptare me radhë delegatët: Ali Riza Kolonja, Dhimitër Berati, Mehdi Frashëri dhe oficerë të tjerë. Në këtë detyrë ka qëndruar deri në fund të vitit 1923, ndërkohë duhet thënë se i shpëtoi atentatit që i bënë grekët (ku mbeti i vrarë gjeneral Telini).  Jeta e Zymës ka vijuar në Vjenë duke studiuar deri në vitin 1928 e duke u titulluar inxhinier. Më 1929 vjen në Shqipëri dhe pasi fiton gradën e kapitenit fillon punë në shkollën e aspirantëve. Por këtu nuk qëndron më shumë se 4 – 5 muaj, derisa vihet në dispozicion të Ministrisë së Punëve Botore si inxhinier. Pasi ka shërbyer për 40 ditë si oficer teknik për kontrollimin e piramidave në kufirin shqiptaro – jugosllav, ka kaluar në emërtesë të Drejtorisë së Reformës Agrare.

Gjykata Ushtarake e Tiranës e përbërë nga Gjon Banushi, Shaban Rexha dhe Ahmet Sulaj anëtarë, duke pasur pranë prokurorin Petrit Hakani filloi gjykimin në 1 dhjetor 1947. Pasi u lexua akt-akuza e prokurorit, u mor në pyetje Selim Zyma, i cili tha: “Unë gjithë kohën time kam qëndruar jashtë vijës politike. Si ka mundësi që unë të jem një prej anëtarëve të grupit të spiunazhit? Procesverbalin nuk e pranoj. Është e vërtetë që e kam nënshkruar, por është mbushur krejt me fantazira... Gjithashtu në procesverbal kam deponuar emra të personave që i njihja, por nuk është e vërtetë që unë të kem pasur lidhje me ta, hetuesit më shtrënguan prandaj i kam thënë”.

Duke vazhduar më poshtë thotë se me Fultzin nuk kishte njohje personale dhe kështu që as ai nuk mund të kishte njohje me të. Për shkak të marrjen së këtij drejtimi në këtë proces, u kërkua të jepej vendimi i gjykatës. Me vendimin nr.684, datë 3.12.1948, në bazë të ligjit nr.372, gjykata e deklaroi fajtor me akuzat se kishte dëmtuar fuqinë ekonomike të vendit, kishte vënë në rrezik integritetin e vendit dhe se ishte përzier në vepra spiunazhi në favor të shteteve të huaja dhe e dënon me vdekje

Akuzat e prokurorisë kishin qenë për përfshirje të tij në aktivitet spiunazhi qysh prej vitit 1931, për sabotim si dhe për lidhje me amerikanët me anë të SBS (Shërbimi i Spiunazhit për Ballkanin). U la në fuqi me vendimin nr.4, datë 30.12.1948 të Gjykatës së Lartë Ushtarake.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Politikë

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Nga Gezim Sadikaj: Si perfaqsues i banorve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.Shebull tipik i kesaj masakre eshte dhe familja Billa prej 20 antaresh!Mervet Billa dhe Izet...

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

Globi

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

NATO sulmoi trupat serbe në vitin 1999 për të parandaluar një “katastrofë humanitare” në Kosovë. Krahasimi me Ukrainën është i gabuar.   Pas disa muaj negociatash, të cilat nuk dhanë rezultate, më...

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

Ekonomi

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

    Rritja e kostove, frenimi i konsumit, ulja e fitimeve ka bërë që bizneset të reduktojnë investimet në makineri e pajisje. Ulja e konkurrueshmërisë nga bizneset vendase po i lëshon gjithnjë e...