Së shpejti, ligj për të mbrojtur krimet e luftës së Miladin Popoviçit, Dushan Mugoshës dhe Enver Hoxhës

Diel, 16 June 2019 17:30

Nga Kastriot Dervishi

Prej disa javësh Instituti për Studimin për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri (ISKK) u vu nën goditjen e deputetëve të shumicës qeverisëse dhe mjeteve të saj të propagandës. E gjitha kjo për një libër të botuar në vitin 2014 për krimet e komunistëve gjatë kohës së luftës. Nuk komentuan asnjë dokument, por nuk lanë gjë pa shpifur e pa sajuar, me kryegënjeshtrën se ISKK nuk e ka objekt studimi kohën e luftës. Këtij sulmi sa karagjoz, aq edhe injorant, i vuri kapak kryeministri i cili para komunistëve, gjasme “veteranë”, vendosi edhe kohën kur duhej ISKK të zhvillonte studimet e veta. Për të çuar në vend premtimin që iu është dhënë nostalgjikëve të regjimit të tollonit e krimit, disa deputetë sapo kanë paraqitur një projektligj, me anë të të cilit synojnë të vendosin mbrojtjen e krimeve të komunistëve gjatë luftës, si dhe ta konsiderojnë këtë informacion të klasifikuar.

Ligji nr.10 242, datë 25.2.2010 “Për Institutin e Studimit të Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri”, ka përkufizuar fare qartë se “periudha e komunizmit” është “nga 29 nëntori 1944 deri më 8 dhjetor 1990, si dhe periudha përpara datës 29 nëntor 1944, gjatë së cilës është zhvilluar veprimtaria, që ka përgatitur ardhjen në pushtet të Partisë Komuniste të Shqipërisë, e cila, më pas, u shndërrua në Partia e Punës e Shqipërisë. Është vendosur ky kufi, përgjithësisht bazuar në ligjin që ka trajtuar statusin e të përndjekurve politikë, pra të atyre që vuajtën drejtpërdrejt krimet e komunistëve.

Në ligjin nr.7748, datë 29.7.1993, “Për statusin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist” përndjekje quhet “çdo veprim ose mosveprim i kryer që nga data 8.11.1941, deri më datën 22.3.1992 nga ana e çdo formacioni ose individi të armatosur, e ushtrisë nacionalçlirimtare, e sigurimit të shtetit, e policisë, e ushtrisë”, etj, që kishte çuar në “humbjen e jetës, lirisë, të drejtave qytetare, cilësimin kulak, i deklasuar dhe çdo privim tjetër nga pjesëmarrja në jetën politike, ekonomike dhe shoqërore të individit për hir të bindjeve apo qëndrimeve të tij politik a fetar”. Pra, në këto dy ligje, persekutimi gjatë luftës civile nuk përjashtohet dhe as nuk mund të mos jetë objekt studimi.

Shumica qeverisëse e majtë, pasi përfundoi me sukses përkujtimin e kongresit të Përmetit, datës simbol të vendosjes së pushtetit terrorist komunist, po na thonë që e ashtuquajtura luftë nuk kishte synim pushtetin. Nisma ligjore për të “saktësuar” periudhën e fillimit të krimeve të komunizmit synon mbrojtjen e krimeve gjatë luftës, duke i vendosur këtyre krimeve një vijë ndarëse, duke mbrojtur kështu në mënyrën më amatoreske dhe plotësisht idiote, krimet që PKSH e drejtuar nga emisarët jugosllavë kreu ndaj shqiptarëve jokomunistë. Nëse lexon këtë tekst që këta e quajnë “relacion”, po t’i heqësh datën nuk do kuptosh asnjë dallim nga koha e zezë e diktaturës komuniste. Ata kërkojnë që koha kur PKSH drejtohej nga Miladin Popoviçi, Dushan Mugosha të mos jetë objekt studimi. Pikërisht te kjo kohë janë rrënjët e së keqes, prej nga ku doli pushteti komunist që i solli aq dëme Shqipërisë.

Relatorët e projektligjit e nisin me fjalën “dokumentet historike kanë treguar se PKSH e themeluar në 8 nëntor 1941 fitoi mbështetje popullore”, duke dëshmuar një enverizëm dhe tifozëri të pashoqe e cila nuk i afrohet asnjë realiteti. Askush prej tyre nuk njihet si lexues dokumentesh. Askush nuk është parë ndonjëherë në biblioteka apo arkiva. Ata synojnë që të bëjnë historinë, se gjasme PKSH-ja “nuk shtronte kryerjen e revolucionin socialist, diktaturën e proletariatit dhe as shtetëzimin e mjeteve të prodhimit apo luftën e klasave”, “por çështjen e çlirimit të vendit, rivendosjen e pavarësisë kombëtare dhe ndërtimin e një rendi demokratik”. Nga dokumentet që PPSH na ka lënë, nuk ka pikën e dyshimit se qysh nga sekonda e parë, komunistët kanë luftuar për të shkatërruar çdo gjë që i përkiste shtetit të vjetër dhe për të ndërtuar eksperimentin e tyre sovjetik. Ata nuk kishin as koncepte pavarësie dhe as shtetformimi. Mjafton këtu të kujtosh bashkimet doganore, unifikimin e monedhës, etj, me Jugosllavinë në vitin 1946, për të pasur të qartë se për komunistët atdheu nuk vlen asgjë përpara revolucionit e komunist. Në fjalimin e tij më 15 shtator 1982, Enver Hoxha, ndër të tjera ka thënë:

“Lufta Nacionalçlirimtare dhe revolucioni kishin për qëllim kryesor marrjen e pushtetit. Fati i Shqipërisë varej se kush do ta merrte pushtetin. Pushtetin ishim të bindur se do ta merrte populli, nën udhëheqjen e partisë dhe të askujt tjetër. Ne fituam duke luftuar të vetëm jo vetëm brenda vendit me aleatë të jashtëm, por me vigjilencë të madhe që asnjë këmbë e tyre të mos hynte këtu, në Shqipëri”.

Këta falsifikatorët tanë ia kalojë edhe Enverit për enverizëm.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...