1990/Demonstrata e heshtur e Tiranës, disa persona të ndaluar e 110 të diferencuar

Tuesday, 28 Janar 2020 17:50

Nga Kastriot Dervishi

Pas demonstratës së heshtur të Shkodrës kundër Stalinit, e radhës ishte ajo e Tiranës e 28 janarit 1990. Autoritetet kishin arsye të dyshonin se mos kjo drejtohej te shtatorja e E.Hoxhës në sheshin kryesor të kryeqytetit. Për këtë arsye, masat e marra ishin të shumta. Qysh në mbrëmjen e datës 26.1.1990 Sigurimi i Shtetit ndaloi disa persona nën akuzën e “agjitacionit e propagandës kundër shtetit”. Më datën 29.1.1990 Hetuesia e Përgjithshme u vë në dijeni të këtyre ndalimeve. Me miratim të prokurorit, u arrestuan nën akuzë të neneve 55/1 dhe 13 të Kodit Penal. Nga hetimet dilte se gjatë ditëve të fundit të muajit janar 1990, në Tiranë është biseduar për organizimin e një demonstrate në datën 28.1.1990, fakt të cilin e kishin mësuar edhe të arrestuarit. Më 10.2.1990, të gjithë u liruan ndërsa për shtetasit Vasil Dhimitri, Faruk Pica dhe Zeqir Gollobani u arrestuan. Me ndonjë plotësim të ditëve të mëvonshme, lista e të ndaluarve është kjo:

1-Ardian Skëndo, 27 vjeç, ndihmësmjek në spitalin nr.2

2-Vasil Dhimitri, 36 vjeç, punëtor

3-Faruk Pica, 33 vjeç, punëtor

4-Zeqir Gollobani, 35 vjeç, elektricist

5-Shefki Glina, 33 vjeç, punëtor

6-Aleksandë Budo, 35 vjeç, ndihmësmjek

7-Nikolin Prifti, 35 vjeç, inxhinier mekanik

8-Romir Papa, 31 vjeç, i papunë

9-Dorjan Alla, 28 vjeç, infermier

10-Ilir Duro, 29 vjeç, mekanik

11-Enver Tomani, 38 vjeç, minator

12-Agron Llapi, 35 vjeç, punëtor

13-Nezir Stërmasi, 53 vjeç, punëtor, tre herë i dënuar politik

14-Eno Kapo (më datë 30 janar)

15-Bujar Gjondedaj

16-Agim Gora

17-Agron Leka Muço, inxhinier

Sigurimi

Nisur nga frika e asaj që ndodhi në Shkodër, Sigurimi i parapriu ngjarjes. Një dosje voluminoze problemi të centralizua u hap për këtë çështje. Disa nga punëtorët operativë të çështjes ishin Ylli Birçe, Bido Mehmeti, Andon Pano, Dedë Pjetri. U drejtua puna në objektet B.K, Sh.H dhe E.M. U realizuan 18 thirrje e pyetje nëpërmjet bashkëbisedimeve në gjendje të lirë. U krye tërheqja me material shtrëngues e 6 objekteve në përpunim aktiv 2A, ndër të cilët me rëndësi ishin agjentët “Çajupi”, “Besa”, “Dollari”. U vijua të punohej për zbërthimin e 5 objekteve të tjera për ta çuar numrin e tyre në 11 të rekrutuar. Ishin realizuar disa kombinacione në teknikë operative (TO), vazhduar këqyrja e shkrimeve të tyre për letra anonime, etj. Vijoi puna për zbërthimin e dy objekteve të tjerë Adili e Shllaku. Por numri i të proceduarve shkoi në 27. Ndërsa Hetuesia thoshte se të liruarit ishin nga familje të mira, Sigurimi shkruante se ato përbënin “llumin e shoqërisë”. Midis Sigurimit dhe Hetuesisë, kishte kësisoj vlerësime jo të njëjta. Sipas analizës së Sigurimit, frymëzues të demonstratës ishin tregtarë, vizitorë, marinarë, turistë, diplomatë, etj. Në rrugë operative ishte kuptuar se demonstrata do mbahej në orën 18.00 të 28 janarit 1990. Duke marrë masa parandaluese u bë diferencimi i 110 personave.

Hetimi dhe gjykimi

Më 29.1.1990, kryetari i Hetuesisë së Tiranës, Petrit Serjani caktoi për hetimin e çështjes grupin e hetuesve: Besnik Imeri, Gavrosh Andoni, Perlat Kasaj, Mark Pëllumbi, Pelivan Malaj, Shkëlqim Lubonja dhe Petrit Serjani. Përgjegjës i grupit ishte Mark Pëllumbi. Persona që u dënuan i mori në pyetje Mark Pëllumbi. Për Zeqir Gollobanit ishte edhe hetuesi Pelivan Malaj. Gjatë procesit gjyqësor, ndër të tjera prokurori Ylli Ruli deklaronte: “Shoqëria jonë është e pastër nga ato plagë të pashërueshme të shoqërisë borgjeze, si kriza ekonomike, pasiguria, ankthi për të jetuar, degjenerimi moral në gjithë aspektet e tij, droga, shoqëritë mafioze, degjenerimi i rinisë në gjithë aspektet”. Me vendimin nr.285, datë 21.6.1990 Gjykata e Rrethit Tiranë, i deklaroi fajtorë të pandehurit në bazë të nenit 55/1 duke i dënuar si vijon:

-Vasil Qirjako Dhimitri, lindur më 1954 në Tiranë, mekanik remonti, 2 vjet burgim.

-Zeqir Isuf Gollbani, lindur më 1955 në Tiranë, mekanik, i papunë, 1 vit burgim.

-Faruk Ymer Pica, lindur më 1958 në Tiranë, elektricist pranë uzinës “Dajti”, 9 muaj burgim.

U la në fuqi me vendimin nr.71, datë 30.7.1990 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

Modifikuar më Tuesday, 28 Janar 2020 17:58
Login to post comments

Lajmet e fundit

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Media

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Flet Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”   Ndonëse pandemia ka ndikuar në kërkesën për më shumë komoditet, kërkesat janë që edhe rehatia të jetë me marka. Kështu shprehet...