Inxhinieri Nuredin Skrapari u dënua tre herë nga diktatura komuniste

Diel, 02 February 2020 12:37
Nuredin Skrapari në procesin e vitit 1976 të "grupit të naftës" dhe trupi gjykues Nuredin Skrapari në procesin e vitit 1976 të "grupit të naftës" dhe trupi gjykues

Nga Kastriot Dervishi

 

Inxhinieri Nuredin Mentor Skrapari (1943-2017), u nda nga jeta 3 vjet më parë. Ai vuajti plot 16 vjet, 5 muaj, 9 ditë heqje të lirisë në moshën më të bukur të jetës, pikërisht atëherë ku mund të jepte më shumë. Origjina shoqërore e tij ishte e mesme, ndërsa në dokumente cilësohej kulak. Mbaroi Teknikumin e Naftës dhe në vitet 1962-1964 punoi në Drejtorinë e Përgjithshme të Naftës me grupet e rilevimit për zbulimin e vendburimeve të naftës dhe gazit. Në vitin 1969 mbaroi studimet në Fakultetin Gjeologji Miniera të Universitetit të Tiranës duke u diplomuar inxhinier gjeolog. U dënua tre herë nga regjimi komunist. Shkroi librin “Tragjedia e inteligjencies së naftës”.

 

Periudha e vuajtjes së burgimit, sipas viteve:

1974-1990: 16 vjet, 5 muaj, 9 ditë

-Mosha në fillim të dënimit: 29 vjeç

-Mosha në mbarim të dënimit: 47 vjeç

 

Dënimi i parë

U arrestua më 15.3.1974. U përfshi në një proces së bashku me Guri Thanasin dhe Thoma Grillon. U akuzuan në bazë të nenit 73 të Kodit Penal për agjitacion e propagandë. Me vendimin nr.46, datë 11.5.1974, Gjykata e Rrethit Berat, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie. Po kaq u dënuan edhe dy personat e tjerë. I ndërgjegjshëm se nuk ia vlente të kërkonte drejtësi, Nurendin Skrapari nuk e ankimoi vendimin në Gjykatën e Lartë. Pas ankimit të dy personave të tjerë, u la në fuqi me vendimin nr.366, datë 8.4.1974 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Në vendim Nuredini cilësohej “me origjinë të keqe politike”, ndërsa të gjithë ata si njerëz që donin “përmbysjen e pushtetit popullor dhe vendosjen e një sistemi tjetër, ashtu si në vendet borgjeze revizioniste”.

Ridënimi me grupin e naftës

Duke vuajtur dënimin, Nuredini u arrestua më 18.3.1975. U përfshi në një proces me persona të tjerë si inxhinierët gjeologë: Koço Plaku, Milto Gjikopulli, Filip Nashi, Beqir Alija, Protoko Murati, Dhimitër Stefa dhe Jani Konomi, të cilët do përbënin “grupin e naftës”. Gjykimi i tyre u bë në kushte terrori të plotë, vetëm me një shkallë me dyer të mbyllura në mjediset e Repartit nr.313 në Tiranë. Me vendimin nr.12, datë 16.6.1976, Gjykata e Lartë, e drejtuar nga Eleni Selenica me pjesëmarrjen e zëvendësprokurorit të përgjithshëm Sotiraq Samara, e deklaroi fajtor në bazë të neneve 72 (sabotim) dhe 73 të Kodit Penal dhe e dënoi me 20 vjet heqje të lirisë dhe konfiskimin e pasurisë. Nga ky proces, Koço Plaku dhe Milto Gjikopulli u dënuan me vdekje. Ata së bashku me Andrea Mançon u ekzekutuan në Tiranë më 28.6.1976.

Ridënimi i dytë ose dënimi i tretë

Duke vuajtur dënimin nëpërmjet punës së detyruar në Repartin nr.313 Spaç, Nuredini u arrestua më 23.2.1979. U përfshi në një “grup” ku bënin pjesë: Fadil Kokomani, Vangjel Lesho, Xhafer Xhomo, Beqir Alija, Fatos Lubonja, Muho Bala, Dhimitër Stefa, Robert Vullkani dhe Petrit Orjeti (Iljazi). Siç shihet, nga ky “grup”, 3 i përkisnin “grupit të naftës”. Të gjithë ata u akuzuan për krijimin e një organizate “kundërrevolucionare antisocialiste” me emrin “Revizioniste”. Edhe këtë herë gjykimi u bë me dyer të mbyllura dhe vetëm me një shkallë gjykimi. Në hetuesinë e datës 24.2.1979 para hetuesit Shkëlqim Lubonja, Nuredin Skrapari thotë: “Gjatë kohës që porsa fillova vuajtjen e dënimit, u riaarrestova dhe u dënova për një krim të kryer në të njëjtën kohë me dënimin e parë. Nga kjo, pasi u ktheva në Repartin e riedukimit 303 Spaç, pasi rimora veten deri diku, fillova të shqyrtoj fajësinë time se sa fajtor isha për krijimin e kryer dhe për masën e rëndë të dënimit. Arrita në konkluzionin se unë nuk duhej të dënohesha. Kështu fillova të thosha se dënimi im si sabotator dhe i gjithë grupit të sabotatorëve nuk ishte i drejtë dhe se nuk ishte sabotuar zbulimi i vendburimeve të naftës, por qeveria jonë me goditjen e këtij grupi donte të justifikonte mossukseset në industrinë e kërkimit e nxjerrjes së naftës”. Me vendimin nr.4, datë 18.5.1979, Gjykata e Lartë, e drejtuar nga Sofokli Krongo me pjesëmarrjen e prokurorit Skënder Breca, e deklaroi fajtor në bazë të neneve 57 (pjesëmarrja në organizatë kundërrevolucionare) dhe 55 (agjitacioni e propaganda) të Kodit Penal dhe e dënoi me 18 vjet heqje të lirisë. U lirua nga burgu më 24.8.1990, pas një kalvari vuajtjesh e torturash në kampet e burgjet e regjimit më kriminal në Europën Lindore.

Kampet dhe burgjet ku vuajti dënimet, sipas viteve:

1974-1975, Reparti 303 Spaç

1975-1976, Reparti 313 Tiranë, hetuesia

1976-1981, Reparti 303 Spaç

1981-1984, Reparti 311 Qafë Bari

1984, Reparti 302 Zejmen

1984-1990, Reparti 321 Burrel

1990, Reparti 318 Kosovë

Modifikuar më Diel, 02 February 2020 12:59

Lini komentin tuaj!

Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me fshirjen e komentit tuaj.

Lajmet e fundit

“Nuk më pëlqen fare kur …”- Zef Deda flet për aktrimin e djalit të tij Julian Deda dhe humorin në vendin tonë: S’janë të aftë të shkruajnë një batutë

Aktualitet

“Nuk më pëlqen fare kur …”- Zef Deda flet për aktrimin e djalit të tij Julian Deda dhe humorin në vendin tonë: S’janë të aftë të shkruajnë një batutë

  Aktori i mirënjohur Zef Deda ka folur hapur për mënyrën e aktrimit të artistëve të rinj sot. Ai është shprehur se sot aktorët nuk bëjnë për të qeshur pasi libretisti që...

KLGJ:Ardian Dvorani pa mandat nga viti 2014

Politikë

KLGJ:Ardian Dvorani pa mandat nga viti 2014

  Këshilli i Lartë Gjyqësor ka publikuar dje vendimin për largimin nga detyra të anëtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani. Vendimi për Dvoranin u mor më 11 qershor, ndërsa dje...

EKSKLUZIVE/“I fortë bëhesh kur paguan, Europa e shqiptarëve është një gënjeshtër…”, Takaj: Skënderbeun nuk e lë edhe nëse vendimi…

Sport

EKSKLUZIVE/“I fortë bëhesh kur paguan, Europa e shqiptarëve është një gënjeshtër…”, Takaj: Skënderbeun nuk e lë edhe nëse vendimi…

Qershori pritej të ishte muaji vendimtar për të ardhmen e Skënderbeut, por tani jemi futur në korrik dhe ankthi në klubin korçar po shtohet. Vendimi nga Gjykata Federale e Zvicrës...

Sondazh

Nothing found!

Sondazh

Nothing found!