Historia tragjike e një “bashkëpunëtori” Sigurimi

Premte, 17 Prill 2020 10:16

Nga Kastriot Dervishi

Gjatë një interviste në vitin 2008 edhe Nexhmije Hoxha u shpreh për “hapjen e dosjeve”. Sipas konceptit enverist që e kemi parë dendur te raca e tyre, “hapje dosjesh” nuk quhet evidentimi i krimeve të komunizmit, por aspekte nga bashkëpunëtorë të rekrutuar me “me material shtrëngues” (të përndjekur). Filozofia e Nexhmije Hoxhës dhe mbështetësve të saj ishte e qartë në këtë pikë, pasi synon që diktaturën ta paraqesë në nivelin e bashkëpunëtorëve me “material shtrëngues” . Ndërsa kur publikojmë krime të drejtuesve të diktaturës, kategoria e tyre na “tremb” duke na gajasur në fakt me gogolin e “sekretit shtetëror”. Për këtë arsye mekanizmi i rekrutimeve në kushte pengu apo kërcënimi duhet njohur. Ka që kanë qëndruar, ka që nuk kanë qëndruar, siç edhe ka raste rekrutimesh që nuk kanë fare aktivitet (janë shumica e tyre, mbi 70%). Kam histori pafund bashkëpunëtorësh të rekrutuar “me material shtrëngues”, por sot po bëj të njohur atë të Hasanit nga Tirana. Në moshë të vogël familja e tij dëbohet në Sulovë të Elbasanit për shkak të origjinës kulake. Babai i Hasanit, Isamedini kishte qenë në burg dhe ishte rekrutuar me “material shtrëngues”, por as kishte shërbyer Sigurimit dhe as i kishte bërë keq kujt. Edhe Hasani u vu në plan të rekrutohej me “material shtrëngues” nga Sigurimi. Ai rezulton në regjistër si “bashkëpunëtor” i Sigurimit në periudhën 20.11.1986 e deri më 3.2.1987. Gjatë kësaj kohe nuk kishte bërë keq dhe ishte futur në një spirale vuajtjeje. Rekrutohet me “material shtrëngues” nëpërmjet një presioni fizik dhe psikik në Korçë. I terrorizuar nga veprimet e marra ndaj tij nga kryetari i Degës së Punëve të Brendshme dhe operativët e tjerë (njëri prej të cilëve Maksim Fiku), i shkruan Ramiz Alisë, duke besuar se ky presion ndaj tij duhet të ndalonte. Letra mbërriti në Komitetin Qendror të PPSH-së më 27.1.1987. Kabineti i Ramiz Alisë as e shqyrtoi letrën, por ia nis ministrit të Punëve të Brendshme Hekuran Isai. As ky nuk i dha zgjidhje, por shkruan me urrejtje “ky është kulaku që lidhet me...”. Përgjigje nuk mori, por Sigurimi e përjashtoi nga rrjeti i informator të pavlefshëm dhe inkaktiv. Me rënien e regjimit komunist, Hasani u kthye në qytetin e lindjes. Formoi familje atje. Gjithë vitet e tranzicionit, ka jetuar me përkrahje sociale ose me raportin mjekësor, pasi sëmundja i ka avancuar vazhdimisht. Njëherë vendosi të kandidojë për një partie të vogël të djathtë, por komisioni i figurës nuk i dha vendimin e mospërputhshmërisë së funksioneve. Nuk e mendonte se pa bërë asnjë mund të quheshe fajtor.

***

Letra drejtuar Ramiz Alisë

Drejtuar: Shokut Ramiz Alia, sekretar i parë i KQ të PPSH-së dhe kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor

Më lejoni t’ju parashtroj sa më poshtë: më 20 nëntor isha për punë të kooperativës në Korçë. Aty në hotel, në dhomën ku flija, rreth orës 11.00 të natës vjen kryetari i Degës së Punëve të Brendshme me tre shokë të tjerë dhe më çojnë nga gjumi. Më akuzuan se kisha folur keq për udhëheqësit e sekretarin e parë të partisë. I trembur pa masë dhe duke e humbur fare kthjelltësinë e mendjes, pranova çfarë parashtruan ata. Akuzat pjesërisht janë të vërteta, por të shumtat nuk qëndrojnë. Pas kësaj më kërkuan që unë të punoja me organet e Sigurimit të Shtetit. e kuptova që në këtë çështje diçka fshihej, megjithatë pranova vetëm e vetëm që të kthehesha në shtëpi. Gjatë tre netëve të kësaj çështjeje kam jetuar me ankthin e vdekjes, të cilin e bënte më të tmerrshme mendimi që po u largova nga jeta pa u ndarë me prindërit dhe vëllanë. Pra, po e përsëris edhe një njëherë që duke jetuar me ankthin e vdekjes, kam pranuar ç’ka më thanë ata.Me këtë nuk desha të shfajësohem, e them me ndershmëri që faj kam bërë, por jo deri në atë pikë sa pranova arrita në këtë faj pas shumë peripecish të jetës sime. Më 1968 familja ime dërgohet në fshat. Unë vuaj nga kofsha e majtë dhe kam mbetur sakat nga viti 1965. Më 1976 mbarova shkollën e mesme bujqësore në fshatin ku jetoja. Mbasi mbarova shkollën kërkova të më jepej një vend pune në përshtatje me aftësitë e mia fizike në bazë të raportit mjeko-ligjor. Shokët drejtues të ekonomisë më kanë trajtuar keq brenda 5-6 vjet pune operohem 6-7 herë. Më hollohet këmba e më shkatërrohen muskujt. Doktori më thotë që nuk mban më thika. Më 1981 operohem 2 herë brenda 6 muajve, ku infeksioni më kalon në kurriz nga puna që bëja. I mërzitur pa masë arrija në këtë përfundim jo të hijshëm. Jua them se në jetën time prej 30 vjetësh kam qenë korrekt ndaj normave dhe cilësive të shoqërisë. Nuk njoh asnjë lloj neni. Jo për egoizëm, e them se nuk kam njohur as vjedhje, as intriga, as aventura. Nuk di si të shprehem, e kam shumë të vështirë të flas për karakterin tim me hollësi. Me këto që them, nuk desha të justifikohem, se nuk falet kjo rrëshqitje pa dashje. Tashti po dal atje ku e lashë më parë, pasi pranova të punë me ta për detyrat që më jepnin, më lanë disa ditë takimi. Detyrat që më ngarkuan i kreva me drejtësi duke thënë të vërtetën për nja dy shokë që dyshonin për faj. Faktikisht unë thashë të vërtetën sepse ata ishin të pafajshëm, nuk kishin gjynahe. Data e fundit e takimit qe 16.1.1987, pak më mbajtën dhe u larguan për t’u takuar më datën 3.2.1987. Gjatë rrugës për në shtëpi, i shmangem ikjes për në shtëpi dhe shpëtoj nga ajo natë. Shoku Ramiz, në u dashtë që unë të kem një përfundim fatal kjo, jo se unë e dëshiroj, por të ketë një histori të njerëzishme. Këto ditë që ikin, ju e merrni me mend gjendjen time shpirtërore, se me ç’ankth jetoj. Lutemi, të ndërmjetësoni dhe të kini mëshirë për mua, si i ri që jam, pa njohur gëzimet e jetës, por mbi të gjitha për nënën time që nuk bën dot pa mua. Nënës i kanë vdekur edhe dy djemtë e mëdhenj, e ka zemrën plagë dhe kjo është dobësia më e madhe për mua. 

 

Login to post comments

Lajmet e fundit

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Media

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Flet Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”   Ndonëse pandemia ka ndikuar në kërkesën për më shumë komoditet, kërkesat janë që edhe rehatia të jetë me marka. Kështu shprehet...