1973/Dënimi i 16 vjeçares Laura Keçi

Hënë, 11 May 2020 14:53
Trakti i shkruar nga Laura dhe pjesë e dëshmisë së saj në hetuesi Trakti i shkruar nga Laura dhe pjesë e dëshmisë së saj në hetuesi

Nga Kastriot Dervishi

Laura Gjeto Keçi, lindur në Shkodër më 28.9.1957, ishte nxënëse në shkollën e mesme “Jordan Misja” kur u arrestua dhe dënuar në moshën 16-vjeçare. E revoltuar nga trajtimi që i bëhej babait të saj si dhe nga ajo që po shihte në shkollën e mbërthyer nga nismat “revolucionare”, më 9.12.1972 hodhi në sallën e mbledhjeve të këshillit pedagogjik dy parulla me tekst të njëjtë, të nënshkruar nga “Zani i popullit” me këtë përmbajtje: “Shokë arsimtarë! Ju lajmërojmë se këto metoda që po përdorni ju për rritjen e kësaj rinie s’janë asgjë tjetër veç mësimeve për të ndjekur rrugën e servilizmit, të poshtërisë e të një mizerjeje”.

Disa muaj më vonë, ajo u arrestua më 8.10.1973, pas një truku të përdorur ndaj saj nga një person, të cilit i kishte shprehur dëshirën për t’u arratisur jashtë vendit. Ky njeri e kërcënoi të vetëdenoncohej në Degën e Punëve të Brendshme Shkodër, sepse përndryshe këtë veprim do ta bënte ai. Laura kështu veproi. Bën një deklaratë vetëdenocuese (për traktin dhe tendencën e arratisjes), por aspak tërheqëse e penduese nga ajo çfarë kishte bërë. Këtë e tregon edhe teksti i depozituar. Personi shtytës e ndjek nga prapa për t’u siguruar që po vetëdenoncohej apo jo. Pasi është siguruar për këtë, ka takuar sekretarin e Komitetit të PPSH-së së Shkodrës dhe i ka treguar gjithçka. Të njëjtën ditë edhe ai lëshon deklaratën rënduese kundër saj në DPB Shkodër. Deklaroi se e kish bërë këtë veprim në këmbim të një vendi pune.

Në deklaratën e vetëdenoncimit, Laura thotë: “Jam shumë e mërzitur nga kjo botë dhe çdo gjë më është mërzitur. Unë them se ky pushtet nuk më pëlqen për sa të më jetë jeta, këtë e them dhe kam për ta thënë gjithmonë”. Edhe gjatë kohës që ishte paraburgosur ajo u dëgjua të fliste kundër E.Hoxhës dhe M.Shehut, duke u bërë thirrje të paraburgosurve të revoltoheshin kundër regjimit. U akuzua në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal për agjitacion e propagandë. Gjykata vërente se nuk kishte mbajtur qëndrim të mirë as në hetuesi, gjatë së cilës u pyet nga hetuesi Shyqyri Çoku.

Midis të tjerash, në vendimin e gjykatës thuhej: “Rinia e shkollë “Jordan Misja”, sikurse e gjithë rinia e vendit tonë është rini revolucionare, e cila ka ndërmarrë shumë aksione me karakter politik dhe edukativ. Megjithatë, e pandehura, duke qenë e pakënaqur për trajtimin që i bëhet të atit të saj, si person i dënuar për krime kundër shtetit, shpif dhe shtrembëron realitetin e vendit tonë; urrejtja kundër pushtetit popullor e ka shtyrë të pandehurën deri atje sa të fyej edhe udhëheqësit e partisë e të shtetit, të cilët janë njerëzi më të dashur të popullit tonë, sepse e drejtojnë atë me vendosmëri në rrugën e ndërtimit të jetës së lumtur, socializmit dhe komunizmit”.

Me vendimin nr.335, datë 27.12.1973, Gjykata Popullore Shkodër, e deklaroi fajtore dhe e dënoi me 4 vjet heqje lirie. Laura u lirua më 1.9.1977 nga Reparti nr.318 Kosovë, pasi kish vuajtur 3 vjet, 10 muaj, 23 ditë burgim. Ajo u nda nga jeta në SHBA ku jetonte me familjen, më 10.5.2020.

Lini komentin tuaj!

Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me fshirjen e komentit tuaj.

Lajmet e fundit

Kjo është anija që solli vdekjen në Bejrut

Globi

Kjo është anija që solli vdekjen në Bejrut

  Lëndët plasëse që shpërthyen në një depo në Bejrut, duke shkaktuar së paku 100 viktima, janë dërguar atje vite më parë nga një anije mallrash, që ishte konfiskuar, dhe e...

Braimllari denoncon:Hera e tretë që të mbjellat në Korçë dëmtohen nga breshri, fermerët në mëshirë të fatit, asnjë ndihmë nga qeveria

Politikë

Braimllari denoncon:Hera e tretë që të mbjellat në Korçë dëmtohen nga breshri, fermerët në mëshirë të fatit, asnjë ndihmë nga qeveria

  TIRANËSekretari i Përgjithshëm i LSI-së Endrit Braimllari deklaron se fermerët e Korçës janë në mëshirë të fatit pa asnjë ndihmë nga qeveria. Duke iu referuar dëmeve të shkaktuara nga breshri...

Manjani thirrje shqiptarëve:Duam demokraci e zgjedhje, apo sundim e nënshtrim?

Politikë

Manjani thirrje shqiptarëve:Duam demokraci e zgjedhje, apo sundim e nënshtrim?

  Duke përdorur shprehjet ”s’bën Luli” apo dhe ”opozita është e dobët”, ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka shënjestruar ata që përdorin këto justifikime për të votuar kryeministrin Edi Rama. ”Dëshiroj gjithashtu...

Sondazh

Nothing found!

Sondazh

Nothing found!