1990/Vrasja në kufi e 18-vjeçarit, dëshmitë e vrasësve

E mërkurë, 03 June 2020 15:24

Nga Kastriot Dervishi

Sokol Lika ishte nxënës në shkollën e mesme gjeologjike të Korçës. Pas një zënke në shkollë, së bashku me shokun e tij Besim Qose, vendosën të arratiseshin në sektorin e postës kufitare të Starjes në Rrethin e Kolonjës. Sokoli kish njerëz në Stamboll, ndërsa Besimi në Australi dhe një mik në Brazil. Pasi blenë një shishe fërnet, një vazo reçel, dy komposto, buke dhe qofte me një makinë qepësh udhëtojnë në Ersekë. Në Starje u vra Sokoli më 23 maj 1990, ndërsa Besimi u arrestua. Pas disa muajsh, Besimi u dënua me 8 muaj burgim në bazë të nenit 127 të Kodit Penal.

Dëshmia e Besim Qoses, shoku i Sokolit

Sokoli ishte pranë meje. Unë nuk e pashë kur u afruan ushtarët. Unë ju thashë ushtarëve të mos qëllonin se isha aty dhe ngrita duart lart. Pastaj mua më ngritën më lart ushtarët. Aty pashë se Sokoli ishte i shtrirë. Nga ushtarët dëgjova të thoshin se “njëri qenka vrarë”. Ora duhet të ketë qenë rreth 22 – 23.00.

Dëshmia e ushtarit Blerim Allhidri nga Rrajca

Isha bashkë me ushtarin Ilirian Luto. U vendosëm sipas rregullores në vendin e caktuar. Unë zura pozicion dhe i bëra ndaljen shkelësit. Unë ju kam thënë: “ndal mos lëviz, je i rrethuar, dorëzohu”. Të dy shkelësit u shtrinë përtokë dhe në këtë kohë unë kam qëlluar me armë. Po kështu edhe shoku im Ilirjan Lato qëlloi mbi ta. Unë dhashë sinjalin e alarmit në postë. Zumë pozicion dhe vazhdonim të qëllonim. Shkelësit na humbën se ishte errësirë, ra edhe mjegulla. Ne qëndruam në bllokim dhe qëllonim një nga një, deri sa na erdhi ndihma nga posta kufitare, rreth orës 21.00 – 21.30. I pari erdhi ushtari Kastriot Çela me Altin Broçin. Pas këtyre erdhën shokët e tjerë. U rrethua vendi ku ishin shkelësit e kufirit. Afroheshim në drejtim të tyre duke qëlluar.

Dëshmia e ushtarit Ilirjan Lato

Nxituam që të zinim vijën e kufirit sepse ishin shumë afër saj, rreth 200 metra. Pasi bllokuam vijën e kufirit i lamë ata të dy të afroheshin. Kur u afruan rreth 50 metra, Blerimi bërë ndaljen. Ata ndaluan dhe në këtë kohë unë u thashë të ndalnin se do i qëlloja. Ata po studionin për të ikur. Blerimi bëri një qitje në ajër. Ata u shtrinë barkas. Në moment unë qëllova në drejtim të tyre me breshëri. Blerimi kaloi në krahun tjetër e zuri vend më lart. Ai filloi që qëllonte që të afrohesha unë. Ata nuk lëviznin por rrinin shtrirë. Në këtë kohë ra një mjegull. Ne qëndruam në përgjim për të parë nga vajtën se nuk dukeshin nga errësira dhe mjegulla. Blerimi më pyeti mua nëse dëgjoja gjë se nga vajtën. Unë i thashë se nuk kanë kaluar. Ai më tha se nga unë nuk kanë kaluar. Unë i thashë Blerimit se janë futur në bunker, se ishin ca të tillë afër. Për t’i frikësuar, unë thirra emra kot që të dilnin lart e poshtë. Ne vazhdonim të qëllonim në drejtim të tyre. Në këtë kohë erdhën shokët nga posta për ndihmë. Edhe shokët qëlluan në drejtim të tyre. Hodhëm shenjëdhënëse por nuk pamë gjë. Ndaluam zjarrin nga frika mos vrisnim njëri – tjetrin. Shokët kontrolluan bunkerin por nuk gjetën gjë. U ngritëm e po bisedonim. Në moment, njëri nga shokët që erdhi për ndihmë qëlloi me breshëri. Ne u afruam në formë rrethi. Ndaluam zjarrin e bëmë rrethimin se mos dëgjohej ndonjë zhurmë. Me elektrik pamë një gjumë sandaleje që e kishte drejtimin për në thellësi të tokës tonë, menjëherë u vendosëm nëpër pozicione dhe qëndruam në heshtje. Shkelësit mendonin se neve ikëm dhe filluan të lëviznin. Kastriot Çela dëgjoi një rrokullisje guri. Ai tha ecni pas je ja ku janë. Erdhi njësiti ynë nga poshtë dhe qëllonte. Shkelësit qëndruan pa bërë zhurmë, por ne nuk shikonim gjë. Kastrioti i pa që po rrinin mbështetur te një shkëmb. Ai i thirri një shoku dhe ata lëvizën nga vendi. Limoz Dushku qëlloi në drejtim të tyre dhe vrau njërin nga ato. Ai tjetri thirri: “mos qëllo xhaxhi ushtari”. Ne ndërpremë zjarrin dhe u afruam te ai që ishte gjallë. Ai nuk lëvizi fare. E kapëm dhe e lidhëm. Ai qante.

Modifikuar më E mërkurë, 03 June 2020 16:19
Login to post comments

Lajmet e fundit

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Media

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Flet Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”   Ndonëse pandemia ka ndikuar në kërkesën për më shumë komoditet, kërkesat janë që edhe rehatia të jetë me marka. Kështu shprehet...