Le Nouvel Obs: Një portret i mafiokracisë shqiptare

E Enjte, 24 October 2024 17:19
 

E përjavshmja më e madhe franceze, me prirje të qendrës së majtë, Le Nouvel Obs ka publikuar një artikull shumë të gjatë për atë që e quan si mafiokracia shqiptare. Në shkrimin analizë, të numrit që del në treg të enjten dhe që Lapsi.al ka mundur ta sigurojë që më parë, e dërguara speciale Marie Vaton ka pasur si synim të përshkruajë krijimin e një kampi të ri për mbajtjen e emigrantëve në Shqipëri, si pjesë e një marrëveshjeje midis Italisë dhe Shqipërisë. 

Artikulli thekson se ky projekt ka ngjallur shqetësime ndërkombëtare, sidomos nga Këshilli i Evropës dhe Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët. Megjithatë, Meloni mbron planin e saj si një qasje e guximshme dhe e re për menaxhimin e migracionit, duke tërhequr vëmendjen e disa vendeve të tjera evropiane. Në shkrim përshkruhen edhe ata zyrtarë shqiptarë që janë pro projektit Rama- Meloni si dhe bëhet një historik i kësaj ideje të finalizuar në nëntor 2023. Por redaksia e Lapsi.al ka përzgjedhur të përkthejë atë pjesë ku flitet për gjendjen e demokracisë në Shqipëri dhe për mënyrën se si kryeministri ynë josh ndërkombëtarët për të fituar legjitimitet për pushtetin e tij.

Nga Marie Vaton “Le nouvel Obs” pershtati: T Çela, Lapsi.al

Besmira Lekaj nuk është raciste. Megjithatë, në Lezhë, kjo aktiviste 39-vjeçare është përpjekur të bashkojë njerëzit kundër “këtyre burgjeve për emigrantët të negociuara në fshehtësi”. Por, përveç një proteste të shkurtër prej disa orësh, e cila u ndalua menjëherë nga bashkia, lëvizja e rezistencës nuk pati sukses. “Në dhjetë vite, pushteti ka shuar opozitën, ka mbytur shoqërinë civile. Nepotizmi po gërryen të gjitha partitë. E djathta, e majta, asgjë nuk ka më kuptim”, ankohet ajo në selinë e organizatës së saj: “Dorë më dorë kundër apatisë kombëtare”.

Pas më shumë se dyzet vitesh totalitarizëm, Shqipëria duket se ka rrëshqitur në një diktaturë tjetër: një “mafiokraci”, e gërryer nga oligarkët, krimi i organizuar dhe mediat që janë në shërbim të tyre. Formula është e shkrimtarit Fatos Lubonja, sipas të cilit kjo marrëveshje është një pjesë tjetër e “platformës gjigante të mbeturinave” që është bërë vendi i tij, i “shitur për interesat e Shteteve të Bashkuara dhe Italisë”. Disidenti politik, i burgosur për afro njëzet vite në burgjet e regjimit të Enver Hoxhës, e njeh shumë mirë kryeministrin Edi Rama, i cili ishte një nga redaktorët e revistës së tij “Përpjekja” në vitet ’90: “E kam parë të ndryshojë dhe të krijojë një personazh për të kënaqur Perëndimorët.”

Nga njëra anë, ai është një ikonoklast i gjithanshëm, njëkohësisht artist- ka studiuar në Beaux- Arts në Paris- intelektual, basketbollist profesionist, fytyra kozmopolite 2.0 e Shqipërisë, rinovuesi dhe stabilizuesi i Ballkanit, ai që i premton Antony Blinken-it, sekretarit të Shtetit Amerikan, një vend të pastër, të liruar nga krimi dhe paraja e pistë. Nga ana tjetër, ai është klientelist, mik i Melonit, Trumpit dhe Erdoganit, që di të bëjë të harrohen lidhjet e tij me Camorrën italiane. Kur i kujtohet lista e të afërmve të tij të akuzuar për korrupsion ose trafik droge, duke filluar me ish ministrin e tij të Brendshëm të dënuar në 2022, Edi Rama përgjigjet se “s’ka pyll pa derra”.

Megjithatë, derrat trajtohen mirë: ata banojnë në burgje VIP, me kuzhinë personale dhe palestër. Njëmbëdhjetë vjet pas ardhjes së Edi Ramës në pushtet, Shqipëria është ende një nga vendet më të korruptuara në Evropë, sipas OJQ-së Transparency International. Një narko- shtet që po zbrazet nga popullsia e tij: që nga rënia e regjimit totalitar në 1991, afërsisht një milion shqiptarë, ose një e treta e popullsisë, kanë ikur nga papunësia dhe paga mesatare prej 750 eurosh. 

Ata që mbeten, shohin vendin e tyre duke u shitur për ofertat më të larta: Edi Rama sapo i ka dhënë Jared Kushner-it, dhëndrit të Donald Trump-it, një koncesion mbi ishullin e Sazanit, të njohur gjithashtu si “Maldivet e Evropës”, për ta shndërruar atë në një kompleks për milionerët, me vila luksoze dhe pishina. Dhe kjo nuk është e gjitha: në 2020, ai gjithashtu dha koncesionin e portit të Durrësit grupit Emaar, me qendër në Emiratet e Bashkuara Arabe, për të ndërtuar aty një marinë prej 2 miliardë eurosh.

“Kështu është me Ramën: ai vepron dhe mendon si një pronar me Shqipërinë”, thotë me trishtim Migen Qirashi, një aktivist i grupit të opozitës qytetare Civic Resistance në Tiranë. Në kryeqytet, kullat nuk ndalen së ndërtuari dhe çmimet e pasurive të paluajtshme po rriten: “Sot, një apartament në Tiranë kushton më shumë se në Mynih, Romë ose Londër”, konstaton arkitekti 37-vjeçar. Kulla kryesisht të pabanuara, të përdorura edhe për pastrim parash nga krimi dhe korrupsioni, sipas disa mediave investigative… 

Kjo duket se nuk shqetëson Edi Ramën. Për të kënaqur Giorgia Melonin, kryeministri shqiptar shumon përkuljet dhe gjestet qesharake. Kështu, pranë portit të Shëngjinit- dhe burgut të tij për emigrantët- ai përuroi në gusht Tratoria Meloni, një restorant me prodhime deti paksa të veçantë, pasi është i mbuluar tërësisht me portrete të lideres italiane. Nëpër mure, ajo shfaqet në të gjitha moshat dhe në të gjitha pozicionet e jetës së saj, në një homazh Warholian shumë kitsch.

Login to post comments